1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Betohet presidenti i ri i Egjiptit

Mimoza Cika-Kelmendi4 Korrik 2013

Pas rrëzimit të presidentit të Egjiptit Mohammed Mursi nga ushtria, është emëruar tashmë Kryetari i Gjykatës Kushtetuese si president i ri i vendit.

https://p.dw.com/p/192Cv
Presidenti i përkohshëm i Egjiptit, Adli MansourFotografi: Reuters

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Adli Mansur ka marrë në Kajro mandatin e kreut të vendit dhe njëkohësisht ka bërë betimin për të drejtuar vendin deri në zgjedhjet e reja presidenciale. Ai u shpreh se ndjehet krenar për postin e ofruar si lider i përkohshëm duke vlerësuar rolin e protestave dhe të ushtrisë. Koha e qëndrimit të tij në këtë post nuk u bë e ditur. Islamisti Mohamed Musri ishte zgjedhur në këtë post gati një vit më parë, por pas protestave të shumta masive ai u shkarkua dhe po mbahet në arrest shtëpiak.

Sipas agjencisë së lajmeve, Mena, edhe anëtarët e tjerë të Vëllazërisë Myslimane që mbështetën presidentin e rrëzuar, janë ndaluar nga forcat e armatosura dhe po qëndrojnë në burg në Kajro. Forcat e sigurisë egjiptiane kanë arrestuar gjithashtu liderin e partisë politike të Vëllazërisë Muslimane, Saad el-Katatni. Aty është burgosur edhe ish presidenti i rrëzuar para dy vitesh, Husni Mubarak.Ndërkohë bëhet e ditur se gjatë përleshjeve mes ithtarëve dhe kundërshtarëve të Mursit, kanë humbur jetën të paktën 14 vetë.