Ekip ndërkombëtar për sigurimin e vendit, ku u rrëzua MH17
24 Korrik 2014Ministrja e jashtme australiane Julie Bishop tha se së bashku më kolegun e saj holandez Frans Timmermans do të vizitojnë Ukrainën të enjten (24.07.2014) për të diskutuar se sa e sigurtë është zona prej 50 kilometrash katror e përplasjes.
Ka kaluar pothuajse një javë që nga dita kur Boeing 777 i Malaysia Airlines u godit me raketa nga sulmues të panjohur në lindje të Ukrainës, ku po luftohet.
Në bordin e avionit ishin persona me 11 kombësi të ndryshme, duke përfshirë 193 holandezë, 44 malajzianë dhe 37 australianë.
Ekip ndërkombëtar në vendngjarje
Dy gazeta, Daily Telegraph e Sidneit dhe The Australian, shkruajtën se kryeministri holandez Mark Rutte ka propozuar krijimin e një ekipi ndërkombëtar për të siguruar vendin e ngjarjes. Ekipi do të udhëhiqet nga holandezët dhe në përbërje do të ketë edhe personel nga Malajzia dhe Australia.
Të hënën Këshilli i Sigurimit të OKB miratoi një rezolutë në mënyrë unanime, ku u kërkohej rebelëve të bashkëpunonin për një hetim të pavarur dhe të lejonin që të merreshin viktimat.
Disa viktima nuk janë gjendur ende
40 arkivolë më trupat e viktimave ende të paidentifikuara mbërritën në Hoalndë të mërkurën. Një pjesë tjetër do të vijë gjatë ditës së sotme. Deri tani autoritetet holandeze kanë bërë të ditur se kanë rekuperuar 200 nga 298 trupa të viktimave.
Bordi i Sigurisë Holandeze, që është duke drejtuar ekipin ndërkombëtar të mbledhjes së provave, deklaroi se 25 hetues në Kiev janë duke analizuar fotografi, imazhe sateliti dhe informacione radari.
Përveç kësaj nga rebelët ukrainas dhe qeveria e Ukrainës u deklarua një armëpushimi rreth zonës së rënies së avionit. Kjo ishte një gjë e rëndësishme për qasjen pa pengesa të hetuesve në zonë, tha zëdhënösi i bordit Tjibbe Joustra.
Ndërkohë të dyja palët, qeveria ukrainase dhe rebelët pro-rusë, kanë mohuar se kanë goditur me raketë avionin. Zëdhënësi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) përgjegjës për Ukrainën, Michael Bociurkiw, tha të mërkurën se në vendngjarje shihen ende pjesë trupash.
Analisti ushtarak Konrad Muzyka tha për Associated Press se format e dëmtimit të avionit tregonin se një raketë kishte shpërthyer jashtë Boeing 777. Autoriteti i aviacionit civil i OKB me bazë në Montreal deklaroi se regjistrimi i zërit në kabinë ishte në “gjendie të mirë”. Pajisja ishte një nga dy pajisjet, që rebelët i dorëzuan autoriteteve malajziane dhe tani po ekzaminohen në një laborator aviacioni në Britani.