1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekonomia turke në udhëkryq

Jasper Sky/Amarildo Topi9 Gusht 2014

Në garën e zgjedhjeve presidenciale në Turqi, mes Bankës Qendore dhe kryeministrit Erdogan ka lindur një debat rreth normës bazë të interesit. Ekspertët i tremben një flluske borxhi të paqendrueshme.

https://p.dw.com/p/1CrfA
Fotografi: Stringer/AFP/Getty Images

Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan është në mosmarrveshje me Bankën Qendrore në lidhje me politikën monetare, një konflikt që mund të ketë pasoja të këqia për të ardhmen e ekonomisë turke.

Erdogan kërkon që Banka Qendore të ulë normën bazë të interesit në mënyrë që të rritet kreditimi, por Banka Qendrore i trembet rrezikut të inflacionit dhe rënies së vlerës së lirës turke, prandaj do të rrisë normën e interesit.

Deri tani Erdogani është duke fituar. Banka Qendrore e Turqisë ose CBRT, uli normën bazë të interesit për të tretin muaj radhazi. Por kritikët thonë se kjo fitore e Erdoganit mund të sjellë një krizë financiare në Turqi.

CBRT ngriti normën bazë të interesit në muajin janar për të shmangur një gjë të tillë, por në të njëjtën kohë hasi edhe në kundërshtimin e Erdoganit, i cili kërkonte uljen.

Türkei Istanbul Blick über den Bosporus
Fotografi: picture-alliance/Arco

Erdogan do të mbajë të ulët normën e interesit

Politika e normës së ulët të interesit së Erdoganit ka si qëllim stimulimin e kredidhënies dhe të rrisë shpenzimet e konsumatorëve dhe biznesit. Gjithashtu frymëzohet edhe nga rregullat e Islamit ku është e ndaluar të jepen para borxh me interes.

“Ne kemi si qëllim që me kalimin e kohës të heqim interesin, në mënyrë që njerëzit të rrisin të ardhurat përmes punës së tyre dhe jo interesave”, tha Erdogan në maj të vitit 2011 në një konferencë të shoqatës së biznesit Islam Tuskon në Stamboll.

Erdogan është duke udhëhequr sondazhet për zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen më 10 gusht. Ai ka deklaruar se nëse ai fiton politikat ekonomike nuk do të ndryshojnë, por do të jenë ato që kanë qenë që prej 2003 kur ai u ngjit në postin e kryeministrit.

Gjatë kësaj periudhe GDP e Turqisë është katërfishuar. Shumë investime janë bërë në infrastrukturë dhe janë kredituar investime private si gradaçela, qendra tregëtare dhe hotele luksoze.

Por në të njëjtën kohë është rritur edhe borxhi vjetor i bizneseve dhe kompanive. Kreditë për sektorin privat në Turqi janë katërfishuar që prej vitit 2008, pavarësisht se GDP reale e vendit është rritur me një të tretën.

Është Turqia një mrekulli ekonomike apo thjesht flluska klasike?

Investitorët e imobiljeve marrin vendime blerjeje në varësi të pagesës mujore që ata mund të përballojnë. Sa më e ulët të jetë norma e interesit, aq më e vogël është shuma mujore që duhet paguar. Në këtë mënyrë shkohet drejt rritjes së çmimit të truallit dhe shtëpive, në një kohë që bie norma e interesit.

Türkei Istanbul Panorama über Bosporus
Fotografi: picture-alliance/dpa

Fatkeqësisht edhe e kundërta është e vërtetë. Nëse normat e interesit rriten me arsyetimin e Bankës Qendore se do të tërheqë blerës të huaj tek Lira turke, atëherë këstet e pagesës për truallin apo shtëpinë që ishin blerë kur norma e interesit ishte e ulët, do të jenë të papërballueshme.

Kjo është ajo që ndodhi në vitin 2008 në Spanjë kur shpërtheu griza globale financiare. Për pasojë pati shumë falimentime bankash dhe papunësi në masë, të shoqëruara me një rritje të borxhit publik. Sipas kritkëve të politikave ekonomike te Erdoganit Turqia mund të pësojë atë që pësoi Spanja në vitin 2008.