Elita e policisë gjermane: GSG 9
16 Janar 2018Pas tyre nuk vjen njeri tjetër, deklaron komandanti i GSG-9-ës Jerome Fuchs. "Ky është një pretendim i madh për ne, që veç nesh nuk ka më askush, që mund ta zgjidhë çështjen. Kjo do të thotë që këtë duhet ta zgjidhim ne", i tha Fuchsi Radios Berlin-Brandenburg. Shumicën e herëve, njësisë speciale i duhet të shpëtojë jetë njerëzish. Për misionet në dispozicion janë snajperë, polombarë, parashutistë dhe ekspertë të lëndëve shpërthyese.
Mesatarisht misione një herë në javë
Sipas të dhënave të njësisë, trupa shkon në mision 50 deri 60 herë në vit - në të kaluarën e afërt në atentatin në Sheshin Breitscheid në Berlin, në takimin e G20-ës në Hamburg dhe në arrestimin e atentatorit ndaj autobusit të ekipit të futbollit Borussia Dortmund. Komandanti Fuchs tha se që prej themelimit njësia ka marrë pjesë në rreth 1900 misione.
Trajtimi katastrofik i pengmarrjes në Lojërat Olimpike të Mynihut më 1972 bëri që të nisë punën njësia speciale. Anëtarë të grupit terrorist palestinez "Shtatori i zi" patën sulmuar atëherë dhomat e ekipit olimpik izraelit. Dështimi i aksionit të përgjakshëm bëri që të humbisnin jetën të 11 sportistët izraelitë. Kjo bëri të qartë se Gjermanisë i mungonin forca speciale për kërcënime terroriste.
Vetëm pesë vjet më vonë, më 1977, trupa e mbrojtjes së kufirit GSG 9 u bë e famshme në të gjithë botën: për çlirimin e avionit "Landshut". Ky avion pasagjerësh i Lufthansas u rrëmbye në fluturimin prej Majorkës në Frankfurt mbi Main nga terroristët palestinezë. Pas disa ditësh fluturimesh mbi Mesdhe dhe mbi Gadishullin Arabik, avioni u ul në Mogadishu, Somali. Në ndërhyrjen e forcave speciale u arrit të çlirohen të gjitha pengjet - me përjashtim të kapitenit, që qe vrarë më parë nga terroristët.
Numri i anëtarëve të njësisë është i panjohur
Deri tani, kjo njësi niset për të gjitha misionet e saj nga St. Augustin pranë Bonnit. Ndërtimi i qendrës së dytë në Berlin do të bëjë që numri i anëtarëve të trupës të rritet - me një të tretën. Numrin e saktë të anëtarëve të saj GSG 9 nuk e bën të ditur "për shkaqe sekreti". Pas një deklarate të komandantit themelues të saj, që vdiq pak kohë më parë, Ulrich Wegener bëhet fjalë për rreth 400 vetë.
Komandanti aktual Fuchs, vetë ish-polombar i njësisë, e sheh si sfidë "gjetjen e gjakut të ri". Rëndësi krahas formës fizike të mirë i kushtohet edhe forcës së karakterit, aftësisë për të punuar në ekip, aftësisë për të punuar nën presion dhe stabilitetit në situata stresuese.
Ai që kërkon të bëhet anëtar i GSG 9 duhet të jetë punonjës i kualifikuar policie. Ai që ka probleme me shikimin, nuk përfshihet në listë. Në një test katërditor përzgjedhjeje, krahas testeve të ndryshme sportive dhe bisedave psikologjike provohet edhe aftësia për të përballuar lartësitë dhe precizioni në qitje.
Që prej vitit 2015, në luftën antiterror, njësinë speciale të policisë federale GSG9 e mbështet edhe një njësi tjetër "Njësia e Sigurimit të Provave dhe e Arrestimeve plus" (BFE+). Kjo trupë është e shpërndarë që tani në disa qendra në Gjermani. Sipas Ministrisë Federale të Brendshme, kjo njësi do të mbështesë aftësinë e reagimit dhe të rezistencës të Policisë Federale në rastin e një atentati terrorist. Në një ushtrim doli në pah se ndërsa GSG9 u përqendrua te sulmuesit, BFE+ u përpoq të largonte persona jo pjesë të ngjarjes dhe të plagosurit nga zona e ngjarjes.