Elitat në borë: Çfarë sjell Davosi 2019?
21 Janar 2019Rritja ekonomike botërore globale ka ngadalësim, konfliktet tregtare janë shtuar, problemet e ambientit dhe ndryshimi i klimës janë të pazgjidhura dhe njëkohësisht janë sinjalizuar ndryshime të mëdha përmes digjitalizimit. "Secila nga këto tema e marrë veç është sfidë e madhe", thotë Borges Brende, ish-ministër i Jashtëm i Norvegjisë dhe tani President i Forumit Ekonomik Botëror (FEB). "Të marra bashkë ato janë një detyrë e madhe, e cila mund të përballohet vetëm me bashkëpunim." Megjithatë mungon vullneti për bashkëpunim. Presidenti i SHBA, Donald Trump është kundërshtar i deklaruar i marrëveshjeve multilaterale, Presidenti i ri i Brazilit përdor gjithashtu tone nacionaliste. Në Evropë gjithçka vërtitet rreth Brexitit.
Presidenti i FEB, Brende dukej si pronar i një tregu, kur fliste me pasion për nivelin e lartë të pjesëmarrësve këtë vit. "Ne kemi 37 kryetarë shtetesh dhe qeverish nga Evropa dhe Euroazia, nga Lindja e Afërt janë nëntë. Kemi gjashtë presidentë nga Amerika Latine dhe gjashtë ose shtatë nga Afrika".
Gjithsej janë 70 kryetarë shtetesh dhe qeverish si dhe krerët e Kombeve të Bashkuara, të FMN-së, të Bankës Botërore dhe të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) midis 3000 pjesëmarrësve.
Po çfarë bëjnë ata në malet zvicerane? "Sfida jonë është që të kërkojmë së bashku me të gjithë qeveritarët, përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, të botës së biznesit dhe të shoqërisë civile për zgjidhje për problemet më urgjente të botës", shprehet Brende.
Pa Trumpin dhe Macronin, me Bolsonaron dhe Merkelin
Megjithatë në Davos nuk nënshkruhen marrëveshje ndërkombëtare. Dhe Donald Trumpi, njeriu që si askush tjetër i vë pikëpyetje rendit të deritashëm, nuk do të jetë i pranishëm. Ai e anuloi pjesëmarrjen duke tërhequr vëmendjen tek grindja e pazgjidhur me Kongresin e SHBA.
Edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron do të qendrojë në shtëpi - zyrtarisht për shkak të kalendarit të tij të zënë të aktiviteteve, jo zyrtarisht, sepse pjesëmarrja e tij në takimin elitar me siguri do ta dëmtonte besueshmërinë e tij në dialogun e posanisur me qytetarët.
Por nga ana tjetër, në Davos vjen kancelarja gjermane Angela Merkel, si edhe pasardhësja e saj si shefe e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer, dhe ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn (CDU). Presidenti i ri i Brazilit, Jair Bolsonaro do të mbajë në Davos fjalimin e tij të parë para publikut ndërkombëtar.
Vështrim drejt së ardhmes
Nga pikëpamja tematike, Forumi këtë vit do t'u kushtohet pasojave të globalizimit dhe të digjitalizimit industrial. Nën titullin "Globalizimi 4.0: në kërkim të arkitekturës globale në epokën e Revolucionit të Katërt Industrial" do të guxohet të hidhet vështrimi në të ardhmen. Klaus Schwab, i cili e ka themeluar Forumin në vitin 1971 thotë: "Kur flasim tani për globalizimin 4.0, ai duhet të jetë më përfshirës dhe më i qëndrueshëm". "Dhe ai duhet të bazohet më fort në parimet morale. Kemi nevojë për një moralizim, një rimoralizim të globalizimit."