Enrique Peña Nieto president i ri i Meksikës
2 Korrik 2012Fitimtar në zgjedhjet presidenciale në Meksikë doli avokati Enrique Peña Nieto. Peña Nieto fitoi sipas të dhënave zyrtare 37,9% të votave. Kandidati i Partisë së Revolucionit të Institucionalizuar është kështu në avantazh të parekuperueshëm ndaj konkurrentëve të tij më të rëndësishëm Andres Manuel Lopez Obrador nga partia e majtë e Revolucionit Demokratik dhe Josefina Vazques Mota, e cila u paraqit nga partia në pushtet Aksioni Kombëtar. Suksesi elektoral i Peña Nietos do të thotë edhe një ringjallje e Partisë së Revolucionit të Institucionalizuar, e cila ka qeverisur Meksikën nga 1929 deri 2000 në mënyrë autoritare. Qeverisja e saj u shoqërua nga korrupsioni, manipulimet e zgjedhjeve, shtypja dhe nepotizmi. 45-vjeçari Peña Nieto pason në postin e presidentit Felipe Calderonin, i cili ka qenë kryetar i shtetit që prej fundit të vitit 2006.
Nuk ka rrezik për kthim në kohërat autoritare
Politologu gjerman Güntger Maihold është shprehur për agjencinë Rojters se me ardhjen e Partisë së Revolucionit të Institucionalizuar rishtazi në pushtet, vendin nuk e kërcënon rikthimi në kohërat autoritare. "Shoqëria meksikane pas tranzisionit në demokraci ka pranuar procedurat demokratike dhe rezultatet e saj dhe do t'o mbrojë këto arritje". Vendi është bërë më transparent, mendon ai. Nga pikëpamja ekonomike, Nieto i qëndron shumë afër qarqeve të biznesit, gjë që ai do ta paraqesë si sukses të tijin.