1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Erdogan në Athinë: Hapi i parë drejt pajtimit

8 Dhjetor 2023

Kryeministri grek Mitsotakis dhe presidenti turk Erdogan shfaqen me tone pajtuese në takimin e tyre në Athinë. Ata duan të bisedojnë në qetësi për mosmarrëveshjet mes tyre.

https://p.dw.com/p/4Zvb0
Kyriakos Mitsotakis dhe Tayyip Erdogan duke mbajtur dokumentin e marrëveshjes bilatera të nënshkruar prej tyre.
Atmosferë miqësore: Kyriakos Mitsotakis dhe Tayyip Erdogan Fotografi: Dimitris Papamitsos/Greek Prime Minister’s Office/REUTERS

Surprizat pozitive aktualisht janë të rralla në politikën ndërkombëtare. Aq më tepër kur vijnë nga dikush si Recep Tajip Erdogan. Pothuajse një vit e gjysmë më parë, ai kërcënoi Greqinë me pushtim - "do të vijmë papritur një mbrëmje", tha ai. Ndërsa të enjten (07.12.2023) ai u shfaq nëGreqi jo si një agresor, por si një fqinj paqësor, i cili do të nisë një "epokë të re" në marrëdhëniet turko-greke.

Kjo ishte vizita e parë e Erdoganit në Athinë që prej gjashtë vjetësh - megjithëse tre vjetët e fundit u shënuan tensione të rrezikshme mes tyre. Por këtë herë, presidenti turk Erdogan me sa duket erdhi në Athinë me vendosmërinë për të treguar fytyrën e tij miqësore si për audiencën greke ashtu edhe për atë ndërkombëtare.

Kyriakos Mitsotakis dhe Tayyip Erdogan shtrëngojnë duart me njeri-tjetrin
Kyriakos Mitsotakis dhe Tayyip Erdogan Fotografi: Aristidis Vafeiadakis/ZUMA Wire/IMAGO

Kur të kthehet në Ankara ai do të ketë me vete një deklaratë të përbashkët të nënshkruar miqësie dhe bashkëpunimi. Deklarata përfshin angazhimin e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis për të dhënë viza vjetore për shtetasit turq që dëshirojnë të vizitojnë ishujt lindorë të Egjeut. Gjithashtu përmban edhe dy premtime: Qeveria greke dëshiron të punojë në Bashkimin Evropian për të siguruar që biznesmenët dhe shkencëtarët turq të marrin më lehtë viza kur udhëtojnë dhe që vëllimi i tregtisë dypalëshe greko-turke të dyfishohet.

Problemet "mes vëllezërve"

Presidenti turk u takua me gjysmën e kabinetit të tij në Këshillin e 5-të të Lartë të Bashkëpunimit, një forum dypalësh për bashkëpunimin greko-turk i themeluar në vitin 2010, por që nuk ishte mbledhur prej vitesh. Erdogan u buzëqeshi të gjithë bashkëbiseduesve të tij - që është e pazakontë për të - dhe foli përkrah Kyriakos Mitsotakis për "problemet që vëllezërit mund të kenë mes tyre", e që mund të zgjidhen me pak vullnet të mirë nga të dyja palët. Erdogan u përpoq shumë të mos thoshte asgjë që mund ta shqetësonte mikpritësin e tij.

Lajtmotivi i takimit - mosmarrëveshjet midis Ankarasë dhe Athinës për të drejtat sovrane dhe zonat ekonomike në Mesdheun Lindor janë të mëdha, por ata duan të flasin për këtë në të ardhmen. Për momentin, është e rëndësishme që të dyja vendet të ruajnë një klimë të qetë në marrëdhëniet dypalëshe. Për Erdoganin, bëhet fjalë për të treguar se është i aftë të mbajë marrëdhënie të mira me të paktën një fqinj. Nga ana e tij, Mitsotakis dëshiron të zbusë tensionet në Egje në një masë të tillë që publiku grek të mos ketë më frikë nga fqinji i tij i vështirë.

Erdogan flet para gazetarëve
Presienti turk Erdogan në konferencë shtypiFotografi: Murat Kula/Anadolu/picture alliance

Ujërat e qeta

Dëshira për të shmangur çdo mundësi skandali ishte aq e madhe sa Erdogan dhe Mitsotakis bënin vetëm deklarata për shtyp. Në fund të fundit, pikëpamjet e dy krerëve të shteteve dhe qeverive për çështjen e Qipros, por edhe për luftërat në Ukrainë dhe veçanërisht në Gazë, janë shumë të ndryshme. Kështu gazetarët qëndruan në Megaro Maximou, selia e kryeministrit grek, si një dekor i gjallë dhe vetëm dëgjuan. Pyetjet nuk lejoheshin.

Kyriakos Mitsotakis e përshkroi ditën si "të veçantë". Ai tha se ishte "detyrimi i tij historik" të bashkonte të dy vendet. Ai kishte rënë dakord me presidentin turk për t'i udhëhequr të dyja vendet në një "rrugë të qetë". "Nëse nuk mund t'i kapërcejmë dallimet tona, të paktën dallimet nuk duhet të shkaktojnë kriza," tha ai. Erdogan foli, disi në mënyrë lirike, për "ujrat e qeta" dhe për Egjeun, të cilin "duam ta shndërrojmë në një det paqeje dhe bashkëpunimi".

Deklarata e shumëpritur e miqësisë

Pika kryesore e vizitës ishte nënshkrimi i Deklaratës së Miqësisë mes dy vendeve, që deri vonë as që mund të ëndërrohej. Babai i kryeministrit aktual, Konstantinos Mitsotakis, u përpoq në janar 1992 të bindte presidentin e atëhershëm turk Suleyman Demirel për një pakt miqësie. Pa sukses.

Më shumë se tri dekada më vonë dhe pas shumë tensionesh, u bë e mundur më 7 dhjetor 2023. Me këtë Deklaratë të Miqësisë, Greqia dhe Turqiamarrin përsipër se do të angazhohen në konsultime të vazhdueshme konstruktive dhe do të përmbahen nga çdo deklaratë apo veprim që mund të rrezikojë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Kjo është vetëm një deklaratë e vullnetit të mirë dhe nuk është e detyrueshme sipas ligjit ndërkombëtar. Por kjo tregon se klima e qetë në marrëdhëniet dypalëshe do të vazhdojë. Po aq premtuese ishte ftesa e Erdoganit drejtuar Mitsotakis për të vizituar Ankaranë pranverën e ardhshme. Të dyja palët po përpiqen të ndërtojnë një marrëdhënie besimi – për sa kohë që presidenti turk, i cili fillimisht dëshiron të shfaqet si një fqinj i mirë, nuk e ndryshon mendjen.

Biznesi

Mitsotakis dhe Erdogan përsëritën qëllimin për të dyfishuar vëllimin e tregtisë dypalëshe nga 5.5 miliardë dollarë aktuale në 10 miliardë dollarë në pesë vjet. Të dy vendet duan të bashkëpunojnë më ngushtë ekonomikisht. Nën Këshillin e Lartë të Bashkëpunimit u nënshkruan gjithsej 15 marrëveshje dhe deklarata të përbashkëta në fushat e tregtisë, investimeve, eksporteve, kulturës, sportit, turizmit, shkencës dhe doganave.

Kyriakos Mitsotakis duke i uruar mirëseardhjen në Athinë presidentit turk Recep Tayyip Erdogan
Kyriakos Mitsotakis mirëpret presidentin Recep Tayyip Erdogan në Athinë Fotografi: Aris MESSINIS/AFP

Çështjet e vështira të kufijve detarë nuk u diskutuan. "Kur kushtet të jenë pjekur, ne mund të fillojmë të përcaktojmë rajonin kontinental dhe Zonën Ekskluzive Ekonomike (ZEE)”, tha kryeministri grek. Për momentin, konkluzioni është se kushtet nuk janë pjekur.

Për sa i përket çështjes së refugjatëve, synimi për të bashkëpunuar ishte qartë i dukshëm nga të dyja palët. Athina dhe Ankaraja duan të punojnë ngushtë së bashku në të ardhmen për të kufizuar imigracionin ilegal nga Turqia në Greqi. Për këtë qëllim, oficerë ndërlidhës nga rojet bregdetare të të dy vendeve do të dërgohen në ishullin grek të Lesbos dhe në Izmir të Turqisë - ata duhet të koordinojnë masat kundër migrimit të parregullt. Deri vonë, kryeministri grek foli për "një luftë hibride" nga ana e Turqisë - tani ai duket i bindur për gatishmërinë e Erdoganit për të bashkëpunuar për çështjen e refugjatëve.

Kaki Bali me flokë deri te supet, me ballukë, shikon me çiltërsi në kamera.
Kaki Bali Korrespondente në Athinë