Erdogani kërcënon kurdët me administratë të detyruar
26 Mars 2019Njerëzit në Turqi presin me shqetësim rezultatet e zgjedhjeve komunale të 31 marsit. Sidomos në juglindje të Anadollit, ku jetojnë pjesa më e madhe e turqve me prejardhje kurde. Në krahasim me pjesën tjetër të vendit, për shkak të gjoja "përkrahjes për PKK", në këtë rajon janë dërguar administratorë të posaçëm nga qeveria e Ankarasë. Jo vetëm në njërën nga dy komunat, por në 110 komuna në krye janë vënë 97 administratorë. Kundër 60 kryetarëve të bashkive janë hapur procese hetimore, 40 prej tyre ndodhen në paraburgim. Në zgjedhjet e fundit komunale, të mbajtura më 2014, në këto komuna u zgjodhën kandidatë të partisë prokurde HDP.
"Nëse përkrahja për terroristët vazhdon, atëherë ne do të vendosim sërish administratorë të posaçëm," tha kryetari i AKP, Erdogan në një aktivitet të fushatës zgjedhore. Si pasojë popullsia është në qëndrim pritës.
Një nga qytetet ku dominon shqetësimi është Diyarbakır, në juglindje të vendit. Kryetarja e zgjedhur e bashkisë, Gültan Kışanak, ndodhet në burg sepse është dënuar me 14 vjet heqje lirie. Në krahasim me vitet e mëparshme, Diyarbakır nuk tregon interesim për zgjedhjet. Sepse popullsia e di, që HDP është e paaftë, megjithë suksesin e mundshëm në qytet dhe në komuna, sepse AKP ka kërcënuar se do të fitojë me çdo kusht, dhe se nëse nuk fiton vetë në zgjedhje do të vendosë administratorët e posaçëm.
HDP është në garë me partinë e Erdoganit
Kandidati i AKP, Cumali Atilla ka dy vjet që është vendosur si administrator i posaçëm në Diyarbakir. Dy kundërshtarët e tij nga HDP janë deputetët Dr. Selçuk Mızraklı dhe infermerja, Hülya Alökmen Uyanık. Para se t'i merrej HDP administrimi i qytetit, ishte e thjeshtë të fitoje në zgjedhjet komunale. Deputetja Leyla Güven, është padyshim në kryesim kur bëhet fjalë për fushatë në partinë e saj. Ajo ka katër muaj që ndodhet në grevë urie për të demonstruar kundër izolimit të kryetarit të PKK, Öcalan. Shumë nga ata që e përkrahin Güven-in vijnë nga Diyarbakır.
Ndërkohë që AKP bën mitingje të mëdha, aktivitete të hapjes së fushatës me skena të mëdha dhe impiante të fuqishme zëri, gjatë të cilave shfaqet edhe vetë presidenti Erdogan, mbledhjet e fushatës zgjedhore të HDP duken sikur janë të detyruara. Kryetari i partisë, Sezai Temelli thotë se partisë së tij nuk i jepet kohë në dispozicion në media. Edhe kur partia financon vetë reklamat, stacionet nuk i transmetojnë ato.
"Në aktivitetet tona, tek mitingjet qytetare ne pengohemi nga forcat e sigurisë. Njerëzit që duan të vijnë në vendet tona, filmohen nga policia dhe u futen emrat në lista të ndryshme. Përkrahësit tanë kërcënohet, akuzohen, pengohen, fëmijët e tyre shtyhen, dhunohen, kundër tyre përdoret dhunë, ofendime verbale dhe një seri ngacmimesh. Nën këtë presion, dhunë dhe ndikim ne jemi duke shkuar në zgjedhje," thotë Temelli.
Pa dyshim që administratori i posaçëm ka arritur suksese në nivel lokal, për këtë janë dakord si zgjedhësit e AKP ashtu edhe të HDP. Megjithatë, ka shumë përkrahës të HDP që nuk janë dakord me arrestimin e njerëzve që kanë zgjedhur. Prandaj, nuk ka fare rëndësi çfarë suksesi kanë patur administratorët e ndryshëm, ata nuk do ia japin votën këtyre përfaqësuesve të qeverisë. Secili prej tyre është i bindur se HDP do të ketë sukses në Diyarbakir. Sepse "Diyarbakir ka qenë gjithnjë kështjella e HDP".
"Ushqimi është shqetësimi më i madh për ne!"
Në Diyarbakır asnjë nuk ka dëshirë të flasë për zgjedhjet komunale. Përveç flamujve dhe pllakatave asgjë tjetër nuk të kujton fushatën zgjedhore. Në qytet sundon qetësi e tensionuar.
Nihat Kuş, një tregtar nga provinca Sur, nuk pret ndonjë gjë nga zgjedhjet. Dëshira e tij është që zgjedhjeve t'u vijë fundi dhe sidoqë të jetë rezultati, njerëzve do u duhet ta nxjerrin vetë bukën e gojës. "Shqetësimi ynë është si të sjellim në darkë bukën në shtëpi. Asnjë politikan nuk është i vetëdijshëm për këtë."
Mehmet Tufan shet lule në Diyarbakir. Edhe nëse ai nuk është mik i administratorit të posaçëm, ai pranon se punën administratori e ka bërë. Ai nuk tregon se kujt do ia japë votën. Por, beson se zgjedhjet do i fitojë HDP. "Ndërtimi i rrugëve dhe mbjellja e luleve nuk zgjidhin problemet e popllit. Ata duhet të merren me papunësinë."
Ayşe Çelik punon për një rrogë minimale në një restorant. Ajo nuk i beson më premtimet zgjedhore. Prandaj Ayşe nuk do shkojë fare në votim. "Vendosja e administratorëve të posaçëm është vendim i gabuar. Së fundi ata që vendosin janë zgjedhësit. Për të zbatuar interesat e veta qeveria ia merr pushtetin legjitim përfaqësuesve të popullit. Kjo është një praktikë krejtësisht e gabuar." Sidoqë të jetë qëndrimi i qeverisë. Secili i pret me padurim zgjedhjet komunale të të dielës. Sidomos për të marrë vesh nëse Ankaraja do të dërgojë aministrator të posaçëm apo jo.