1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Escobar në Tiranë: Në fokus lokalet 2023 e situata në rajon

12 Prill 2023

Me vizitën e tij në Tiranë i Dërguari i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar nënvizon rëndësinë e zgjedhjeve lokale në Shqipëri. Sot Esobar takohet me përfaqësues nga opozita.

https://p.dw.com/p/4Pvm6
Gabriel Escobar me presidentin Begaj, ambasadoren amerikane, Yuri Kim, 11.04.2023
Gabriel Escobar me presidentin Begaj, ambasadoren amerikane, Yuri Kim, 11.04.2023Fotografi: Albania Presidency Press Office

Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i shtetit për Çështjet Europiane dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, (BP) vijon të mërkurën, (12.04 ) vizitën zyrtare në Tiranë me takimet me përfaqësues të opozitës.

Escobar, që mbërriti në Tiranë të martën pasdite (11.04) pati takime me kryeministrin Rama dhe Presidentin e Republikës, Bajram Begaj. Takimi me kryeministrin Rama ishte i mbyllur për mediat dhe zyra e shtypit e kryeministrisë nuk shpërndau njoftim zyrtar lidhur me temat e bisedimeve. Ambasada amerikane në Tiranë njoftoi, përmes një njoftimi në median sociale qëllimin e vizitës së Gabriel Escobar në Tiranë dhe temat kryesore të bisedimeve me autoritetet e larta të vendit. Njoftimi thekson se "Zëvendës Ndihmës Sekretari, Escobar do të nënvizojë rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme vendore në Shqipëri, nevojën për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe që partitë politike, liderët të sigurojnë që kandidatët të përmbushin kërkesat e ligjit dhe pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për integritet të lartë. Ai do të diskutojë gjithashtu bashkëpunimin SHBA-Shqipëri, përparësitë rajonale dhe globale, përfshirë refuzimin e pushtimit rus të Ukrainës," theksohet në njoftimin e ambasadës amerikane në Tiranë.

Escobar-Begaj: Në qendër zhvillimet në rajon

Mbështetja e SHBA ndaj procesit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian (BE) dhe zhvillimet në rajonin e BP ishin në qëndër të bisedimeve Escobar-Begaj, theksohet në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidencës. "Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen e tyre reciproke, është një proces me ndikim të madh rajonal, si në kuadër të aspekteve të sigurisë ashtu edhe të zhvillimit të qëndrueshëm të rajonit,” citohet të ketë thënë Presidenti Begaj në takimin me Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të shtetit për Çështjet Europiane dhe të Dërguarin e  Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Gabriel Escobar takohet me presidentin Begaj
Gabriel Escobar takohet me presidentin BegajFotografi: Albania Presidency Press Office

Presidenti Begaj i ka cilësuar "të shkëlqyera” marrëdhëniet mes dy vendeve dhe ka vlerësuar lart partneritetin strategjik Shqipëri-SHBA. Ai e ka vlerësuar "të pazëvendësueshëm rolin e SHBA në garantimin e paqes dhe sigurisë në BP.” Po ashtu u theksua, se siguria kibernetike dhe kërcënimet ishin një temë tjetër e bisedimeve mes tyre. "Mbështetja dhe asistenca e agjencive të specializuara amerikane kanë një rëndësi jetike dhe vendimtare për rritjen e kapaciteteve dhe aftësive kibernetike të Shqipërisë”, citohet të ketë thënë Presidenti Begaj në takimin me Gabriel Escobar.

Sot, në ditën e dytëtë vizitës së tij  në Tiranë, pritet që Escobar të zhvillojë takime me kryetarin e komanduar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, që pranohet si drejtuesi zyrtar i opozitarëve demokratë nga SHBA de me ish-presidentin Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë.

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana