1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EULEX-i dhe kryeministri i Kosovës premtojnë transparencë për akuzat e vrasjeve politike

1 Dhjetor 2009

Misioni EULEX dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci garantojnë transparencë për zbardhjen e akuzave të publikuara nga një dëshmitar, ku flitet për vrasje me motive politike në Kosovë.

https://p.dw.com/p/Kmkv
Shefi i EULEX-it, de Kermabon kërkon punë pa presione për prokurorët
Shefi i EULEX-it, de Kermabon kërkon punë pa presione për prokurorëtFotografi: picture-alliance/ dpa

Policia ndërkombëtare e misionit EULEX, në mbrëmjen e shkuar arrestoi Nazim Bllacën, i cili një ditë më parë u vetëdeklarua para mediave së ka vrarë dhe ka marrë pjesë në vrasje nën urdhërat e SHIK-ut, pas luftës në Kosovë. EULEX-i e akuzon Nazim Bllacën për një vrasje dhe përfshirje në krim të organizuar. Shefi i misionit EULEX-it, Yves de Kermabon pas kësaj ngjarjeje u kthye urgjent nga Brukseli në Kosovë, takoi kryeministrin dhe presidentin e Kosovës dhe në një konferencë për media tha se prokurorët e misionit EULEX do të kryejnë punën e tyre.

“E para është se në Kosovë duhet të veprojë rendi dhe ligji, për këtë EULEX-i është duke punuar. E dyta është se politika nuk duhet të ndërhyjë në rend dhe ligj dhe kjo është bazë për çdo demokraci të re dhe e treta është se EULEX do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet e Kosovës”, thotë Yves de Kermabon. Ai thotë se prokurorët e misionit EULEX duhen lënë ta kryejnë punën e tyre pa presione.

Thaçi: Ka elemente të cënimit të rendit kushtetues

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi premton barazi për të gjithë para ligjit
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi premton barazi për të gjithë para ligjitFotografi: DW

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se ngjarjet e fundit, ku përmenden emra personash nga partia e tij të përfshirë, siç thotë Nazim Bllaca, në organizim vrasjesh kanë krijuar rrethana të reja në Kosovë, të cilat sipas tij kanë elemente të cenimit të sigurisë në Kosovë.

“Janë rrethana me elemente të cënimit të rendit kushtetues dhe sigurisë kombëtare prandaj është konkludim i përbashkët se do të ketë veprime unike të respektimit të plotë të ligjit të pa motivuara politikisht”, thotë Thaçi. Kryeministri Thaçi, në orët e mbrëmjes mblodhi edhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në të cilin u konsatua se në Kosovë nuk do të lejohet destabilizimi i vendit dhe askush në Kosovë nuk do të jetë mbi ligjin.

Askush në Kosovë nuk do të jetë mbi ligjin

“Çdo rrethanë e ngritur do të sqarohet deri në fund. As akuzuesit dhe as të akuzuarit nuk mund t'u ikin përgjegjësive të transparencës dhe vendosjes së plotë të rendit dhe ligjit, si të atyre të Republikës së Kosovës ashtu edhe atyre të misionit evropian EULEX”, thotë kryeministri Thaçi.

Policia e Kosovës tashmë po siguron shtëpitë edhe të dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Adem Salihaj dhe Gani Geci, të cilët një javë më parë në parlamentin e Kosovës thanë se kanë dëshmi për vrasjet e figurave politike pas luftës në Kosovë me urdhëra të Shërbimit Informativ të Kosovës.


Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi