1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EULEX-i (nuk) ka mandat për veprim në veri

18 Prill 2012

Zyrtarë të EULEX-it thonë se po tentojnë të vendosin rendin dhe ligjin në veri të Kosovës. Por po pengohen nga barrikadat serbe. Ndërsa ekspertët e sigurisë thonë se EULEX-i ka mandat për të vepruar.

https://p.dw.com/p/14fg3
Barrikadat serbe në veri
Veriu i bllokuarFotografi: picture alliance/dpa

Ekspertët e çështjeve të sigurisë thonë se në pjesën veriore të Kosovës që nga paslufta, nuk është vendosur rendi dhe ligji dhe për pasojë ajo pjesë e Kosovës, lehtë mund të prodhojë konflikt ndëretnik. Është rasti i fundit i vrasjes me një mjet eksploziv i një shqiptari dhe plagosjes së disa anëtarëve të familjes së tij në pjesën veriore të Mitrovicës, që tensionoi situatën edhe ashtu të brisht në atë rajon.

Hetimet dhe spekulimet

Eulex Logo
Ka mandat misioni i BE-së për veprim?

Hetimet e policisë për kërë rast akoma po vazhdojnë dhe autorët e sulmit nuk dihen. Zyrtarë të misionit të Bashkimit Evropian për rend dhe ligj, thonë se ata vazhdimisht po tentojnë të vendosin sundimin e ligjit në këtë pjesë të Kosovës. Por po pengohen nga barrikadat e vëna tash e gati një vit nga serbët e atjeshëm. Zëvëndësshefi i misionit EULEX, Andy Sparkes ka deklaruar disa herë së fundi se "zgjidhja e problemit të veriut duhet kërkuar edhe me mjete politike".

“Siç e dini ne nuk mund të operojmë sipas dëshirës sonë në territorin e veriut të Mitrovicës për shkak të bllokadave të krijuara nga qytetarët lokal. Ne nuk do të jemi ne gjendje që ta zgjidhim situatën përveçse me mjete politike. Në mënyrë që t'u ndihmojmë njerëzve atje, ne dëshirojmë që zgjidhja politike të bëhet sa më shpejtë”, thotë Andy Sparkes.

Çështja e veriut duhet ndarë nga politika

Por Behar Selimi, njëri nga ish-komandantët e policisë së Kosovës, i tha Deutsche Welles se nevoja për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës është urgjente dhe se kjo çështje duhet ndarë nga politika.

“Sa më parë që bashkësia ndërkombëtare ta ketë të qartë se ajo e ka mandatin ekzekutiv për të vepruar në veri të Kosovës për të zbatuar rendin dhe ligjin dhe sa më parë që të ndahen çështjet e sundimit të ligjit nga çështjet politike, aq më parë rregullohet çështja e veriut”, thotë Selimi.

Rrugët e bllokuara.
Rrugët e bllokuaraFotografi: DW

Në veri të Kosovës tash e 13 vjet, vazhdon të jetë një gjendje status-quo me tensione të vazhdueshme. Eksperti Anton Cuni, ish-ushtarak, thotë për DW se një situatë e tillë për një kohë kaq të gjatë, prodhon grupe njerëzish që veprojnë dhe përfitojnë nga kriminaliteti.

Nxitja e kriminalitetit dhe masat e qeverisë

“Çdo zvarritje e një problemi mund të ketë një kostomë të lartë apo pasoja më të rënda, atëherë kur ndërmirren masat për kthimin e rendit dhe qetësisë në atë pjesë e cila është jashtë kontrollit. Kjo për faktin se njerëzit fillojnë të akomodohen në atë gjendje, fillojnë që këtë gjendje ta kuptojnë si një jetë shumë normale dhe në këtë klimë fillon të zhvillohet kriminaliteti”, thotë Anton Cuni.

Qeveria e Kosovës, disa herë është shprehur se ajo mund të dialogojë me serbët e veriut të Kosovës, por nuk do të ketë dialog me Beogradin zyrtar. Për Prishtinën zyrtare i vetmi plan që mund të integrojë pjesën veriore të Kosovës, është plani i Marti Ahtisarit që parasheh edhe krijimin e komunës së veriut të Mitrovicës, si dhe mbajtja e zgjedhjeve lokale në tri komunat në veri, të organizuara nga institucionet e Kosovës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Bahri Cani