1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Euro pa Gjermaninë?

Maya E. Shwayder27 Korrik 2015

Prej muajsh politikanët e Europës shtronin pyetjen, mos do të ishte më mirë që Greqia të dilte nga Euro. Por tani disa ekonomistë thonë: mos vallë është më mirë që Gjermania të dalë nga Euro. Mendimet për këtë ndahen.

https://p.dw.com/p/1G5Jm
Deutschland Geschichte Kapitel 5 1989 – 1999 Abschied von der D-Mark
Fotografi: picture-alliance/ZB

Ndërsa muajt e kaluar buçiste grindja për një Grexit (dalja e Greqisë nga Eurozona) të mundshëm, kur mospërputhja e mendimeve për politikën e duhur të shpëtimit dominote artikujt kryesorë, kur ndihej droja për insistimin e Gjermanisë për një politikë rigoroze dhe rritej gjithnjë e më shumë frika e donatorëve, se nuk do t'i merrnin kurrë paratë mbrapsht, disa ekonomistë të njohur fare të patrazuar e si të thuaash nëpërtë skicuan një rrugë të mëtejshme për daljen nga kriza: një dalje të Gjermanisë nga Euroja.

Gjermania, kështu teza e tyre, largohet nga monedha e përbashkët duke hapur kësisoj rrugën për vendet jugore të Euros, që t'i stabilizojnë borxhet e tyre me një monedhë dukshëm të zhvleftësuar dhe si rrjedhojë të venë nën kontroll edhe ekonominë e tyre. Me këto vende është fjala për Greqinë, Italinë, Spanjën dhe varësisht nga rrethanat edhe për Portugalinë.

Së fundi Ashoka Mody nga Universiteti i Princetonit në SHBA e mbrojti këtë model. Në një koment, që u publikua më 17 korrik, ai parashtron, se përse Gerxit (pra një dalje e Gjermanisë, "German Exit") do të ishte më e preferuar se sa një Grexit (dalja e Greqisë nga Eurozona).

"Një riorganizim i unionit monetar gjatë 25 apo 30 viteve të ardhshëm do të jetë i pashmangshëm ", thotë Mody për Deutsche Welle. "E vetmja çështje është, se cila është rruga e arsyeshme, që shkakton më pak dëm?"

Një kornizë e detyrueshme fiskale

Mody mbron pikëpamjen, se ministri i Financave të Gjermanisë gabohet, kur përzien me njeri-tjetrin problemin e borxheve shtetërore të Greqisë dhe „eksperimentin e Eurozonës“.

"Mendimi i Schäubles është: nëse Grekët largohen nga Euro, Eurozona me anëtarët që mbeten do të funksionojë pa probleme. Schäuble nuk e sheh problemin tek konstrukti i Eurozonës, por tek paaftësia e grekëve, që të ndjekin rregullat europiane të lojës“, thotë Mody.

Mody e pranon gjithësesi, që Greqia ka një problem me borxhet, por ai thekson, se borxhet nuk kanë të bëjnë me problemet e tjera, me të cilat përballet unioni monetar. "Nëse nuk ndodh gjë, veçse Greqia të largohet nga Eurozona, atëherë me siguri shumë shpejt do të shfaqet një tjetër problem „grek“. Problemi, që ekonomi kaq të ndryshme nuk mund të futen në një kornizë të detyrueshme monetare dhe fiskale, do të mbetet edhe më tej."

Ai si dhe shumë ekonomistë të tjerë dhe kritikë të Eurozonës, konsiderojnë Italinë si një vend të ri problematik të Euros. "Ne nuk e dimë, nëse Italia do të jetë ndonjëherë në gjendje t'i paguajë borxhet e veta", thotë Mody dhe shton: "Përpjekja për t'i bërë një vendet me mundësi të ndryshme dhe me premisa të ndryshme historike e kulturore nuk funksionon."

DM-Scheine und Euro
Fotografi: AP

"Një union i pamenduar"

Për Mody është e qartë, që rrugëdalja me më pak dëm nga kriza do të ishte, nëse Gjermania kthehet tek marka gjermane D-Mark: "Gjermania do të vuante më se pakti nga dalja prej Euros.“

Ideja, një „Gerxit“ më mirë se një „Grexit“, nuk është e re. Ajo zë fill së paku qysh nga viti 2012. Asokohe investuesi amerikan George Soros përshkruante në një blog, se si mund të dukej një kthim gjerman tek D-Marka dhe se sa efekt bekues mund të kishte kjo: Gjermania do të kishte monedhën e vet të fortë dhe ekonomitë e dobëta do të mund ta rimerrnin veten me një euro dukshëm të dobësuar. Gjermanët do të pasuroheshin dhe europiano-jugorët do të ishin më pak të varfër.

Në të njëjtën ditë, kur Mody botoi artikullin e tij, edhe Ben Bernanke, ish-shefi i Bankës së Rezervave të SHBA-së, Fed, shkruante një koment për Brookings Institute, një Think-Tank me influencë në Uashington. Në të ai shkruante, se Europa nuk po e jep kontributin e saj për zgjidhjen e krizës greke të borxheve.

Ndërsa në Eurozonë kuota e papunësisë gjatë viteve të shkuara luhatej rreth 11%, në SHBA ajo ra në 5,3% në vlerën më të ulët qysh prej vitesh. Sipas tij në Eurozonë ka dallime të mëdha; në Gjermani papunësia aktualisht është nën pesë përqind, ndërsa në vendet e tjera të hapësirës së Euros ajo është në rreth 13%.

"Premtimi i Euros ishte shtimi i mirëqenies dhe nxitja e integrimit europian", shkruante Bernanke. Por kjo, sipas tij, nuk po ndodh dhe nuk do të ndodhë, për aq kohë sa vendet e Euros kanë kapacitete të ndryshme ekonomike.

Këto vende, thonë analistët, jo vetëm kanë kapacitete të ndryshme në rendiment, por ato kanë edhe kushte krejt të ndryshme ekonomike. Për këtë arsye, argumenton Mody, mendimi për të farkëtuar një zonë monetare me vende kaq të ndryshme, nuk ka qenë fort i mençur: "Unioni është menduar keq dhe tani po shkakton dhimbje të mëdha."

Të gjendet një ekuilibër

Pa një vullnet të fortë politik, për ta mbajtur në jetë unionin monetar, shpërbërja e tij është e pashmangshme, paralajmërojnë ekspertët. Vendi, që mund të vuante më pak prej kësaj, për këtë janë në një mendje Mody, Bernanke, Soros dhe shumë të tjerë, do të ishte Gjermania.

"Ky konstatim", sipas Mody, "tregon, se si mund të gjendet një ekuilibër për vende të ndryshme. Ekuilibri mund të ishte i tillë, që të ketë dy monedha: një Euro në Jug dhe Deutsch Marka në Veri. Por mund të ketë edhe 15 monedha të reja në 30 vitet e ardhëshme."

Një katastrofë kërcënon

Njëkohësisht ka të tjerë që mendojnë ndryshe si p.sh. dy profesorët Iain Begg dhe John Ryan nga London School of Economics, të cilët një dalje gjermane nga Euro e konsiderojnë si një „katastrofë“. "Pas themelimit të Bashkimit Europian Euro është një ndër arritjet më të mëdha të Gjermanisë në gyjsmën e dytë të shekullit të njëzetë ", i thotë Ryan Deutsche Welle-s. "Në këndvështrimin politik këtu është investuar shumë kapital."

Përveç kësaj Euro është një arritje gjeopolitike me potencial të fuqishëm. Europa, konstaton ai, është një liman i sigurtë për investime dhe marrëdhënie biznesi. "Dhe një Gjermani, që largohet nga Euro, do të ishte një sinjal shkatërrimtar. Nuk mund të imagjinohet, që Eurozona do ta mbijetonte këtë."

Nëse Gjermania e lë Euron, atëherë si pasojë e menjëhershme edhe Holanda, Belgjika, Austria dhe shtetet baltike do të nxitonin drejt daljes së emergjencës, thotë Iain Begg. Kontinenti do të coptohej dhe si Veriu edhe Jugu do të vuanin prej kësaj. Ndërsa vendet si Irlanda, Sllovakia dhe Sllovenia do të mbeteshin varur.

Një Gjermani pa Euro, me një pasojë Europën e shpërbërë, do të kishte „pasoja të thella për intergimin europian dhe për Euron gjithsesi. Kjo do të perceptohej në Berlin si katastrofë."

Rigjallërimi do ta bënte D-Markën, thonë si Ryan ashtu edhe Begg, fare shpejt një monedhë shumë të fortë. Por shtojnë ata, ndonëse kjo tingëllon mirë, në të vërtetë ajo do të ishte një pengesë e madhe për eksportuesit gjermanë, të cilëve do t'u duhej të përballonin një rënie të ndjeshme të aftësisë së konkurrencës.