Europa ime: Erdogani - viktima e fortë
19 Mars 2017Jemi dëshmitarë të një spektakli politik, ku bien pre madje edhe lopët holandeze. Shoqata turke e industrisë së mishit, deklaroi, se 40 lopë holandeze janë nxjerrë jashtë Turqisë. Patriotët turq dhe përkrahësit e Erdoganit nuk duan të konsumojnë produkte mishi të një vendi që akuzohet "për metoda naziste” dhe "fashizëm”. Satirikët nuk janë për t'u pasur zili për profesionin e tyre në këto kohë…
Grindja u ashpërsua pas dëbimit të ministres turke të familjes nga Holanda dhe refuzimit të hyrjes në Holandë të ministrit të Jashtëm turk javën e kaluan. Kryeministri holandez, Marc Rutte mbajti qëndrim ndaj udhëheqjes turke, gjë që të mërkurën (15.03) i solli edhe një sërë votash.
Fjala e ndaluar
Por fituesi i vërtetë i këtij spektakli qesharak është në Ankara, Recep Tayyip Erdogan. Presidenti turk qeveris duke e anashkaluar kushtetutën dhe kërkon ta legalizojë këtë gjendje me një referendum më 16 prill. Për shkak se nuk e ka mazhorancën e cilësuar të dy të tretave në parlament, ai duhet të pyesë popullin turk, i pasigurtë, se si duhet të votojë për këtë diktaturë presidenciale.
Prandaj AKP e ka përjashtuar nga hapësira publike fjalën „hayir" – jo. Në mes të shkurtit qindra mijëra broshura të zyrës së shëndetësisë kundër pirjes së duhanit u hoqën nga përdorimi, sepse aty qëndronte fjala „jo". AKP dëshiron që turqit të harrojnë, se çfarë do të thotë të pohosh „jo". Erdogan dëshiron që turqit të harrojnë, se ç'do të thotë të bësh rezistencë kundër një diktatori. Pas ndalimit të aktiviteteve elektorale të ministrave turq në Gjermani e Holandë, Erdogani ka gjetur një mjet efektiv për të arritur qëllimin e tij të diktaturës presidenciale. Ai inskenon veten dhe turqit si viktima.
Europa nuk është më model
Erdogan akuzoi së fundmi Holandën për vrasjen e 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë. Ai instrumentalizon me këtë viktimat e krimit më të madh në truallin europian pas Luftës së II Botërore, me qëllim që të paraqesë si viktima veten dhe klientelën e përkushtuar myslimane, viktima të një kryqëzate të europianëve. Akuzave absurde, Erdogani i shton: „Askush nuk mund të na japë neve mësime në civilizim. Ky popull ka një ndërgjegje të pastër."
Ndërgjegja është e pastër, sepse mohohet gjenocidi ndaj armenëve. Ndërgjegja është e pastër, sepse rezistenca demokratike e kurdëve në formën e partisë, HDP diskreditohet si terroriste. Ndërgjegja është e pastër, sepse zërat kritike mbyten, ose pas mureve të burgjeve ose në ekzil. Në asnjë vend në botë nuk janë burgosur kaq shumë gazetarë.
Ka pasur një kohë, kur Europa ishte model për Turqinë, por kjo kohë ka kaluar, kujtimi madje është zbehur tek shumë vetë. Sot udhëheqja turke nuk pranon mësime nga europianët arrogantë, dhe se ia ka dalë me fuqinë e vet të kthehet në një nga fuqitë ekonomike botërore.
Turqit "e bardhë" e "të zinj"
Sociologja Nilüfer Göle futi në përdorim në fillim të viteve 60-të nocionin e „turqve të bardhë" e „turqve të zinj" për të përshkruar shtresat shoqërore në vend. Turqit e bardhë janë më qytetarë, në gjendje më të mirë ekonomike dhe kanë qenë një kohë të gjatë funksionmbajtësit e shtetit e shoqërisë. Për „turqit e zinj" e religjiozë ata nuk kishin veçse përçmim. Erdogani e paraqet veten si „turk të zi". Njëri nga ata pa të drejta, që u ngjit nga një shitës paninesh në lagjen e portit të qytetit Kasimpasha deri në krye të shtetit turk. Ka pasur një kohë, kur „turqit e bardhë", e përqeshnin me religjiozitetin e „turqve të zinj", ata e kontrollonin shtetin, pavarësisht rezultateve të kutive zgjedhor. Sot ata nuk përqeshin më.
Erdogan i shfuqizoi „turqit e bardhë" dhe u mundësoi miliona „turqve të zinj" ngjitjen në shtresën e mesme. Por përvoja e poshtërimit dhe margjinalizimit rëndon ende. Pikërisht këto ndjenja mobilizon Erdogani, për të qëndruar në pushtet. Statusi i viktimës dhe historia e suksesit të Erdoganit, njëri prej nesh që ia dalë, është për përkrahësit e tij më e rëndësishme se liria e shtypit dhe drejtësia e pavarur.
Gazetari i arrestuar, Deniz Yücel shkroi më 3 prill 2016 mbi Erdoganin: "Përkrahësit e tij e duan, sepse kanë të njëjtat deformime si ai vetë. Sepse ai në metodat e Chuck Norris u tregon kundërshtarëve ku e kanë kufirin." Prandaj duhen gjetur gjithnjë e më shumë kundërshtarë, të cilëve u duhet treguar kufiri. Tani ai inskenohet si burri i fortë që ngrihet edhe kundër Europës. BE, Gjermania, Angela Merkel i kanë treguar kurrizin Turqisë. Partneritet i privilegjuar: Po, por anëtarësim Jo. Kjo e dobësoi motivimin e udhëheqjes turke për të ecur në rrugën e demokracisë dhe shtetit ligjor. Sot ai e ka më të lehtë të fyejë europianët arrogantë.
Kultivimi i statusit të viktimës
Për përkrahësit e Erdoganit nuk ka rëndësi liria e shprehjes, sepse ata ndajnë mendimin e tij. Ata flasin për „demokraci" dhe kanë parasysh me këtë as më pak e as më shumë por diktaturën e shumicës së supozuar kundrejt atyre që mendojnë ndryshe, opozitës dhe pakicave. Një vend, ku mijëra opozitarë burgosen nuk është më demokraci. Kjo e shpjegon edhe popullaritetin e Erdoganit mes qytetarëve me origjinë turke në Gjermani e Holandë. Edhe ata e shohin veten si viktima. Sado real është diskriminimi i përditshëm i tyre, po aq i bindur në të drejtën është edhe statusi i viktimës, sepse viktima ka gjithmonë të drejtë, ajo mund t'ia japë fajin të tjerëve për gjendjen e vet. Viktimat nuk duhen të mendojnë se shkelin kufirin e bëhen të padrejtë me të tjerët. Erdogani inskenon veten dhe klientelën e tij si viktima, për të mbytur që në embrion çdo reflektim. Por Erdogani dhe AKP nuk janë viktimat. Ata janë autorët e vërtetë.
Krsto Lazarevic (27) ka lindur në Bosnje-Hercegovinë dhe ka ardhur si fëmijë me familjen në Gjermani. Sot ai jeton në Berlin dhe shkruan për media të ndryshme gjermane.