Bashkimi Bankar do të mbrojë taksapaguesit
20 Dhjetor 2013"Mesazhi i Krishtlindjeve është që Evropa funksionon" tha me shaka ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble në fillim të diskutimeve të 28 ministrave të Financave të BE-së në lidhje me bashkimin bankar. Pas disa muaj konsultimesh dhe pas bisedimeve të fundit dyditore në Bruksel po ravijëzohet një model i përbashkët për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e bankave të sëmura në Evropë. Hollësitë e fundit ligjore pritet të zgjidhen deri në shkurt 2014, por marrëveshja politike për krijimin e një mekanizmi për shpërbërjen e bankave që falimentojnë dhe të një fondi për financimin e këtij procesi është afër. Komisioneri i Çështjeve Monetare Olli Rehn u shpreh për një "përparim të madh" që ishte arritur në mesin e 17 ministrave të Financave të eurozonës.
Rregulla të komplikuara
Nga viti 2014 130 bankat e mëdha në Europë do të jenë nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Bankës Qendrore Evropiane. Në rast se autoriteti mbikëqyrës vendos që një bankë është e rrënuar dhe duhet rehabilituar ose duhet shkrirë, atëherë hyn në veprim i ashtuquajturi "Mekanizmi unik i shpërbërjes" (RSM). Autoriteti i ri është zhvillon një plan rimëkëmbjeje, i cili duhet të financohen nga pronarët e bankës, kreditorët e saj dhe një fond i ri për shpërbërjen e bankave. Për marrjen e vendimeve në autoritetin mbikëqyrës, ministrat e Financave kanë zhvilluar një model jashtëzakonisht të komplikuar duke marrë në konsideratë shqetësimet e Gjermanisë. Fjalën e fundit do ta kenë ministrat e Financave dhe jo Komisioni i BE-së. Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, i cili do të jetë edhe kreu i autoritetit mbikëqyrës, e quajti në një seancë në Parlamentin Evropian këtë procedurë si "shumë të komplikuar". Hapat e shumtë do të marrin shumë kohë, tha Draghi. Në rast se një bankë falimenton duhet të veprohet shpejt, madje brenda natës, në mënyrë që të mos alarmohen tregjet financiare dhe për të shmangur rrezikun për bankat e tjera.
Fondi i shpërbërjes së bankave gati pas dhjetë vjetësh
Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble tha se kritika ka edhe nga organizata financiare botërore ose nga ministra financash nga vende jashtë Evropës, dhe se edhe ai e di se procedura është e komplikuar, por se deri tani ka pasur ndonjë ide më të mirë se si nga 28 vende të krijohet një bashkim politik dhe ekonomik dhe nga 18 monedha të ndryshme një monedhë e përbashkët evropiane.
Pika më e madhe e mosmarrëveshjeve mes vendeve të pasura dhe të varfra të eurozonës ishte financimi i fondit për shpërbërjen e bankave. Në parim ky duhet të mbushet nga vetë bankat gjatë një periudhe prej dhjetë vjetësh. Në fund ky fond do të ketë 55 miliardë euro. Sipas propozimit të Gjermanisë, deri sa të mbushet fondi në rast falimentimi të një banke për këtë duhet të paguajë secili shtet më vete. Në qoftë se ky nuk kanë të holla atëhere ai mund të marrë hua nga Fondi Evropian i Shpëtimit ( ESM ) në Luksemburg, por nën kushte të rrepta. Spanja e ka praktikuar tashmë këtë gjë për të shpëtuar bankat e saj të sëmura. Vendet në krizë si Spanja, Italia dhe Irlanda donin që t'u lejohej bankave që të merrnin direkt hua nga ESM, sepse në këtë raste këto para nuk do të llogariteshin si borxh i ri shtetëror. Por ato nuk ia dolën mbanë me këtë kërkesë.
Pronarët e bankave duhet të mbajnë më fort përgjegjësi
Bashkimi Bankar është sipas Presidentit të Komisionit Evropian, José Manuel Barroso, projekti më i rëndësishëm i Bashkimit Evropian. Ai duhet të parandalojë që në rast të një krize të re bankare humbjet t'i paguajnë taksapaguesit evropianë. Për pronarët dhe investitorët e bankave është e qartë se rreziku i tyre në sektorin e biznesit bankar do të rritet për shkak se ata tani e tutje duhet të mbajnë përgjegjësi
Megjithatë ministri gjerman Schäuble mendon se Bashkimi Bankar do ta bëjë më të qëndrueshme euron dhe është një hap "për stabilizimin e saj dhe për t'i bindur tregjet financiare se euroja funksionon megjithë strukturat e komplikuara evropiane."
Parlamenti Evropian, Këshilli i Ministrave dhe Komisioni Evropian ranë dakord që kursimet e individëve deri në 100 000 euro në bankat e Evropës do të jenë të garatuara në rast të një dështimi të mundshëm të bankës në të ardhmen.