1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa ime: Evropa lindore eleminon vetveten

15 Dhjetor 2018

Mungesë për fuqi punëtore të kualifikuar në Perëndim dhe në Veri të Evropës, papunësi në Jug e në Lindje. "Migrim i kualifikuar" është formula e re magjike, paralajmëron Norbert Mappes-Niedek.

https://p.dw.com/p/3AA74
Norbert-Mappes-Niediek - t Korrespondent mehrerer deutschsprachiger Zeitungen in Südosteuropa
Fotografi: L. Spuma

Gjermania ka nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar - para së gjithash, por jo vetëm në përkujdesje dhe në shëndetësi. Krejtësisht kundër imigrimit sot janë gjithsesi vetëm përjetësisht të djeshmit dhe populistët e djathtë. "Migrim i kualifikuar" është fjala e re magjike: Gjermania tregohet e hapur ndaj botës dhe turret në betejën për mendjet më të mira.

Pra çfarë flet kundër faktit që qeveria federale t'u lehtësojë me një ligj të ri të rinjve të interesuar nga Ballkani punën në Gjermani? Për shembull infermiereve nga Kosova? Natyrisht asgjë; aq më tepër kur në raste si ai i Kosovës ka më të vërtetë infermiere të papuna, të cilat do të vinin me shumë dëshirë në Gjermani. Mbi të gjitha, po të flasim me statistika, shumica e të ardhurve kanë gjithsesi prej kohësh të afërm në Gjermani. Qeveria e Kosovës gjithsesi nuk ua pengon fatin. Ajo gjermane jo se jo. Do të ishte një ide e mirë, një marrëveshje e pastër. 

Evropa lindore shpopullohet

Por në Evropën lindore gjithnjë e më shumë llogaritë bëhen ndryshe. Vërtet që shumë infermiere te ne janë pa punë, dëgjon për shembull nga Kosova. Por jo sepse ne nuk kemi nevojë për to. Thjesht nuk ka para, për t'i marrë në punë. Asnjë shtet nuk shpenzon kaq pak për shëndetin, sa më i riu. Kujdesu për veten, është slogani që u përplas në fytyrë kjo republikë të sëmurëve të saj.

Jo vetëm nga shtetet e Ballkanit, edhe nga shtetet më të reja anëtare të BE të rinjtë vazhdojnë të vijnë në kolona drejt perëndimit. Letonia ka humbur që prej fundit të komunizmit një të katërtën e popullit të saj, Rumania dhe Lituania një të gjashtën, edhe në Hungari gjithsesi janë gjashtë përqind e popullatës. Në Bullgari sot jetojnë 22 përqind më pak njerëz se në 1990 dhe deri në vitin 2050, sipas parashikimeve aktuale do të zhduket edhe një çerek tjetër. Përgjegjës për rënien e numrit të popullsisë është në dy të tretat migrimi. Për çerekun tjetër kujdeset rënia e numrit të lindjeve.

Mungesë perspektive dhe mungesë e cilësisë së jetesës

Rumania ka dendurinë më të vogël të mjekëve në BE, Kosova dendurinë më të vogël të mjekëve në të gjithë kontinentin. Por në shëndetësi, problemi vetëm sa del në pah më qartë. Edhe degë të tjera ndërkohë ankohen për mungesë personeli. Në mënyrë dramatike ka rënë për shembull numri i punëtorëve të ndërtimit. Në rajonet e bumit ekonomik të Lindjes evropiane, projektet e ndërtimit mbeten në vend për muaj të tërë, sepse nuk ka punëtorë. Po t'i paguanin më mirë, çmimet e banesave që ndërtojnë ata do të ishin të papërballueshme për të shpërngulurit nga fshati - një rreth vicioz.

Nuk është më varfëria ekstreme - ose vetëm në raste të veçanta - ajo që i bën njerëzit të marrin arratinë. Njerëzit ikin, sepse kanë mundësinë të ikin. Në Perëndim ka oferta më atraktive për shkollim. Pikërisht ata që janë të shkolluar më mirë vlerësojnë edhe atmosferën ndërkombëtare të metropoleve perëndimore. Edhe paga luan një rol, megjithëse nuk është vendimtarja. E rehatshme jeta, veçanërisht në sektorin e pagave të ulëta, nuk është. Njerëzit duan të kthehen nga kanë ardhur. Por ajo që e sjell në mendje kthimin - për shembull që fëmijët të rriten me gjuhën amëtare ose që prindërit e tu po plaken gradualisht - ka përballë humbje të ndjeshme. Paga bie shumicën e herëve të paktën në gjysmën. Nganjëherë nuk njihen as tituj të përfundimit të shkollave më të larta. Burokracia është shpesh e plogësht.

Lindja ka gjithmonë karta më të këqia

Ata që kthehen, shpesh i shohin të zëna vende të mundshme pune, nga kolege dhe kolegë të shkolluar më keq, por me rreth shoqëror shumë më të mirë. Ata që kanë ikur janë të hapurit ndaj jetës, të gatshmit për aventura; ata që kanë mbetur shpesh janë më të plogështit, më mendjengushtët. Atij që vjen nga rajone të largëta ose nga fshati, i mungojnë pas kthimit variacioni, ofertat e kohës së lirë ose serioziteti i autoriteteve dhe i gjykatave. Në luftë për mendjet më të mira, Lindja ka gjithmonë kartat më të këqia.

Në shtetet e Evropës lindore, pakësimi i numrit të popullatës çuditërisht nuk është temë e madhe, edhe kur është, nuk trajtohet si duhet. Janë para së gjithash partitë e djathta, të cilat mobilizohen kundër "murtajës së bardhë", që paralajmërojnë zhdukjen e kombit, duan t'i kthejnë gratë sërish buzë vatrës dhe që e fusin emigrimin në fushën e tradhëtisë ndaj vendit. Modernët, ata që janë të orientuar te reformat tregohen të përmbajtur me kritika - me siguri edhe sepse vetë herë pas here luajnë me idenë që edhe vetë ta kërkojnë fatin diku tjetër.

Problemet e së nesërmes

Politika strukturore mund të jetë në radhë të parë një problem i shteteve të veçanta anëtare. Por thirrja vlen pak, kur shteteve u mungojnë mjete strukturore, për t'i nxitur vërtet rajonet e tyre. Modeli i zhvillimit i kohës pas kthesës politike, investimet masive të huaja, nuk ofrojnë zgjidhje për rënien e numrit të popullatës: po të rriten pagat, ndoshta vërtet do të qëndronin punëtorët. Por investorët do të shkonin dikur tjetër. Dhe pagat e ulëta, me të cilat shtetet i tërhoqën investorët, u mungojnë atyre, kur bëhet fjalë që rajone të largëta të bëhen sërish të përshtatshme për të jetuar.

Një Evrope, që gëzohet për fuqi punëtore nga Lindja, herët e vonë do t'i duhet të kujdeset edhe për ata që kanë mbetur. Ajo mund të fillonte me shtimin, në vend të shkurtimit, të fondeve të kohezionit të BE në kuadrin e ardhshëm financiar. Dhe me ndarjen e mjeteve jo më për frymë, por për rajon. Ky do të ishte një fillim.

Norbert Mappes-Niedel jeton në Grac të Austrisë dhe është korrespondent i Evropës Juglindore i shumë gazetave gjermanofone.