Evropa tregohet e vendosur në takimin e G-20
19 Qershor 2012Nuk kishte të bënte me temperaturat e larta në vendin e takimit, kur Presidenti i Komisionit të BE-së José Manuel Barroso reagoi ditën e hënë (18.06.) i nxehur. I nxehur ai reagoi në një konferencë për shtyp ndaj akuzës se evropianët bëjnë shumë pak dhe kanë nevojë për shumë kohë për të mposhtur krizën: "Ndryshe nga disa vende të veçanta të G20, vendet e BE-së janë demokratike dhe marrin vendime në mënyrë demokratike. Nganjëherë duhet më shumë kohë në një bashkim 27 vendesh. Por, të themi seriozisht ne nuk kemi ardhur këtu për të marrë mësime demokratie dhe politikës ekonomike," tha Barroso.
Ai po ashtu përmendi se evropianët janë kontribuesit më të mëdhenj të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Fondit Ndërkombëtar Ekonomik, një institucion që sipas Barrosos është në shërbim të të mirë së përgjithshme edhe nëse ato që përfitojnë prej tij janë vendet e pasura evropiane. "Stabiliteti financiar, edhe në disa vende evropianë është në interes të të mirës së përgjithshme, prandaj unë nuk shoh asnjë arsye që këto institucione të mos japin kontributin e tyre."
Pastaj Barroso kaloi në sulm: "Për më tepër, kriza nuk ka filluar në Evropë por në Amerikën e Veriut. Dhe sektori financiar u dëmtua nga metoda jo-ortodokse të disa fushave të tregut financiar."
Njëjtë në përmbajtje por me ton më pajtues foli presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy, i cili deklaroi se fitorja e mbështetësve të euros në zgjedhjet greke, tregon se evropianët kanë besim. Por ai shtoi se: "Duhet kohë për të mposhtur krizën, nuk ekziston ndonjë zgjidhje e shpejtë, por ne do të bëjmë gjithshka për ta kapërcyer."
Edhe Rompuy tregoi me gisht të tjerët, pa përmendur direkt kinezët, të cilët e mbajnë monedhën e tyre ekstra në vlerë të ulët, që të nxisin suficitet tregtare.
"Bashkimi Evropian është duke korrigjuar mungesat e ekuilbrit të brendshëm, dhe shpresojmë që edhe vendet e tjera të G-20 të kompesojnë mungesat e ekuilibrave eksternë," tha Rompuy. Dëshirën e tij ai e përmbledh kështu: "Ne shpresojmë nga ky takim i G-20 që të marrim deklarata pozitive për rritjen ekonomike, hapjen e vendeve të punës dhe stabilitetin e ekonomisë, një deklaratë të fortë për arkitekturën financiare ndërkombëtare dhe pranimin e tregtisë së lirë dhe investimeve."
Kancelarja gjermane Angela Merkel foli me të njëjtën linjë duke treguar për "planin e veprimit të Los Cabos-sit", i cili duhet të dalë nga ky takim i nivelit të lartë dhe që do të përmbajë nismat për rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve të punës.
"Çdo kontinent do të japë këtu kontributin e tij, duke përfshirë edhe ne evropianët. Nga ana e evropianëve ne do të bëjmë të qartë me një linjë të përbashkët se do të luftojmë me vendosmëri problemet që kemi brenda zonës së euros, duke përzier reformat strukturore me konsolidimin e buxhetit dhe natyrisht, impulset e zhvillimit."
Në takimin e nivelit të lartë sunduan tonet e çtensionuara dhe evropianët dëgjuan edhe fjalë të mira. Për shembull nga Presidenti amerikan Barack Obama, i cili tha nëpërmjët një zëdhënësi të tillë se pas takimit më kancelaren gjermane "është inkurajuar" sa i përket mposhtjes së krizës së evropianëve. Presidenti meksikan Felipe Calderon lëvdoi në bisedë më Merkelin rolin e saj në luftën kundër krizës së euros. Të dy theksuan domosdoshmërinë e një tregtie të lirë dhe paralajmëruan nga masat proteksioniste. Gjermania është partneri më i madh tregtar i Meksikës në BE.