Fëmijë? Jo faleminderit!
28 Qershor 2006Krahasuar me vendet e tjera evropiane Gjermania zë vendin e fundit. Alarmante nuk është vetëm shifra faktike e fëmijëve të lindur. Një studim i fondacionit Robert Bosh tregon, se edhe dëshira për të pasur fëmijë po bie gjithnjë e më shumë.
5.500 njerëz nga mosha 20 deri në 49 vjeç janë marrë në pyetje mbi përfytyrimin që kanë për të qenë prindër dhe për familjen. Rezultati: shumë gjermanë nuk duan të kenë fëmijë dhe janë të kënaqur me këtë. Studimi mbi dëshirën për të pasur fëmijë publikohet të mërkurën më 28 qeshor në Berlin.
- Grua: "Unë kam dëshirë të kem dy fëmijë."
- Burrë: "Po, të kesh fëmijë për mua është shumë mirë. Madje mendoj ose të kesh direkt shumë fëmijë, ose hiç fare. Për mua një fëmijë i vetëm është kot fare."
-Grua: "Nëse burri do tre fëmijë, atëherë do të kisha bërë edhe një të tretë, por për mua është shumë bukur me dy fëmijë."
-Burrë: "Për mua kjo temë tani s´është akute, por nuk e përjashtoj, që do të kisha tendencë për të pasur fëmijë, ndoshta më vonë."
-Grua: "Po, dy deri në tre fëmijë dua t´i kem patjetër. Vetëm një fëmijë s´është gjë, e ç´mund të dalë nga një fëmijë i vetëm i llastuar. Kjo s´më pëlqen."
-Grua: "Unë mendoj, se kur njeriu është i moshuar është shumë bukur të kesh fëmijë, nipër e mbesa dhe të mos jesh vetëm."
-Burrë: "Unë s´shoh ndonjë arësye që të jem kundër. Edhe prindërit e mi kështu kanë menduar, ndryshe unë s´do të ekzistoja."
Nëse do të ishte realiteti kështu siç mendojnë pjesëmarrësit e një seminari në Universitetin e Bonit, Gjermania do të kish qenë një parajsë për fëmijët. Por gjendja faktikisht është ndryshe: gratë gjermane, sipas statistikave, duan vetëm 1,75 fëmijë, ndërsa burrat e tyre edhe më pak.
Ingrid Ham është menaxhere në fondacionin Robert Bosh. Ajo sheh një arësye thelbësore për mungesën e dëshirës ndaj fëmijëve. Pas studimeve dhe një periudhe të gjatë kualifikimi deri në konsolidimin në profesion mbetet një kohë shumë e shkurtër, brenda së cilës duhet të kalojë e gjithë jeta: "Pra nga mosha 30 deri në 40 vjeç duhet të bësh gjithçka, të martohesh, të lindësh fëmijë, të ndërtosh shtëpinë, të bësh karrierë dhe të kujdesesh për pleqërinë. Nën këtë presion, siç pohojnë njerëzit, dëshira për të pasur fëmijë, është një dëshirë që mund të shtyhet."
Por edhe nëse në këtë fazë të jetës një grua e re është mëse e qartë për ato që do të bëjë, ekziston gjithmonë një faktor frenues në dëshirën për të pasur fëmijë. Këta janë burrat! Burrat gjermanë janë më skeptikë se gratë sa i përket dëshirës për pasardhës. Një në katër burra vendos kundër jetës me fëmijë, thotë Ingird Ham: "Për ne është tronditës fakti që gjithnjë e më shumë burra vendosin për të mos pasur fëmijë. Eshtë mëse e qartë, se përgjegjësia që kërkon një fëmijë, është ajo që i bën gjithnjë e më shumë burra të stepen."
Krahasuar me vendet e tjera evropiane dëshira e pakët për fëmijë në Gjermani është evidente. Në Poloni dhe në Finlandë gratë dhe burrat duan të kenë më shumë së dy fëmijë. Kjo është një vlerë, që gjermanët e kanë arritur për herë të fundit përpara 20 vjetësh. Kjo ka ndodhur pasi humbja ekonomike, që pëson një grua duke u shkëputur nga profesioni, është shumë më e madhe në një shoqëri të mirëqenies, sqaron Ingrid Ham: "Një arësye tjetër është, se ne po humbasim besimin dhe të qenit e vetkuptueshme, se disi do t´ia dalim mbanë, ndaj s´kemi përse të frikësohemi. Ky besim në biografinë individuale tek ne gjermanët është shumë më i zbehtë se sa tek të tjerët. Ne kemi më shumë frikë nga e ardhmja."
Ndonëse, për të qenë i saktë, është e vështirë që të flasësh në përgjithësi për "gjermanët". Sepse dëshira për të jetuar pa fëmijë është shumë më e lartë në landet perëndimore të Gjermanisë krahasuar me landet lindore. Në Lindje të Gjermanisë një në 17 gra nuk dëshiron të ketë fëmijë. Ham: "Nëse je rritur në ish-RDGJ (Republika Demokratike e Gjermanisë) ke përjetuar që fëmijët ishin kudo. Nënat e tyre punonin po ashtu si edhe baballarët. Prej kësaj merr shembullin që ta lehtëson ndjenjën, që fëmijët të jenë të vetëkuptueshëm edhe në një shoqëri ndryshe në rrethanat e ekonomisë së tregut."
Konkluzioni i studimit mbi dëshirën për fëmijë është: që të qenit prind në jetën e shumë gjermanëve është një vlerë si edhe shumë të tjera. Kjo duket edhe në jetën e përditshme të gjermanëve: rrallëherë sheh familje me shumë fëmijë, madje familje të tilla shihen me sy kritik. Ka restaurante dhe komplekse pishinash që janë të ndaluara për fëmijët. Por një gjë e tillë nuk shkakton indinjatë. Në shumë shoqëri të tjera një gjë e tillë do ishte e paimagjinueshme thotë Ingrid Ham: "... ndërsa në Gjermani është mëse sociale të mos kesh fëëmijë. Statusi nuk përmirësohet nëse ke fëmijë."