1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fëmijë nga Sllatina vizitojnë Berlinin

3 Korrik 2010

Wolfgang Ischingerin e sheh zakonisht krah politikanëve të nivelit të lartë. Por këto ditë atë e gjen në rrugët e Berlinit, jo duke shoqëruar personalitete të famshme nga politika, por disa nxënës nga Kosova.

https://p.dw.com/p/O9k5
Fëmijë nga Sllatina vizitojnë Berlinin
Fëmijë nga Sllatina vizitojnë BerlininFotografi: DW

Disi ndryshe e kishte përfytyruar Vetoni Berlinin: “Nuk kam besuar që ka qenë kaq i madh. Bëmë një shëtitje me autobus nëpër qytet dhe pashë që ishte shumë shumë i madh”, çuditet 14-vjeçari. Edhe Amira, Adriatiku dhe Egzoni kanë mbetur të mahnitur nga madhësia e kryeqytetit gjerman.

Ata vetë vijnë nga një fshat i vogël në jug të Kosovës me emrin Sllatinë dhe deri para pak ditësh për herë të parë hipën në avion. Këtë eskursion njëjavor në Berlin fëmijëve nga Sllatina ua ka bërë dhuratë ambasadori gjerman, Wolfgang Ischinger. 64-vjeçari ndjehet shumë i lidhur me shkollën e tyre.

Nxënës të shkollës "Florian Ischinger" në Berlin.
Nxënës të shkollës "Florian Ischinger" në Berlin.Fotografi: DW

Testamenti për fëmijët e Sllatinës

“Gati dhjetë vjetë më parë vdiq djali im i madh dhe para se të vdiste shprehu dëshirën që paratë që kishte, t'i vinte në dispozicion të fëmijëve nga Kosova”, rrëfen diplomati. I ati e realizoi këtë dëshirë të 20-vjeçarit dhe së bashku me organizatën gjermane Cap Anamur rindërtoi shkollën e djegur të Sllatinës, në komunën e Kaçanikut. Që atëherë shkolla e vogël quhet “Florian Ischinger”.

Drejtori Enver Dalloshi është shumë krenar për këtë. Ai nuk e merrte me mend që shtatë vjet më vonë, Wolfgang Ischinger do të bëhej kaq i famshëm. Në korrik të vitit 2007 – ende ambasador i Gjermanisë në Londër – Ischingeri u caktua të përfaqësonte Bashkimin Evropian në bisedimet diplomatike të Troikës për Kosovën. “Deri atëherë e njihnim zotin Inschinger nëpërmjet Zyrës Gjermane, si dikë që interesohej për shkollën”, kujton Dalloshi. “Më vonë e kuptuam që Florian Ischinger është djali i një miku të madh të vendit tonë”.

Enver Dalloshi, Drejtor i shkollës Florian Ischinger
Enver Dalloshi, Drejtor i shkollës "Florian Ischinger".Fotografi: DW

Një javë në Berlin

Wolfgang Ischinger e viziton shpesh Sllatinën dhe shkollën e saj të vogël. Por këtë radhë ai donte t'u tregonte nxënësve Berlinin. Është jo vetëm vendi ku banon ai, por edhe vendi ku ka jetuar Florian Ischingeri. 26 nxënës numëron e gjithë shkolla, gati një e treta e tyre kanë ardhur tani në Gjermani. Bashkë me ta janë edhe katër të rritur nga administrata e shkollës dhe qytetit.

Diplomati me përvojë ka përgatitur një program për mysafirët. Natyrisht që në të nuk mungojnë dhe vizita zyrtare si në Ministrinë e Punëve të Jashtme ose në Ambasadën e Kosovës në Berlin, por pjesën më të madhe e zënë aktivitetet dëfryese: Shëtitje me anije, vizitë në kopshtin zoologjik e të ngjashme. “Sigurisht që ky nuk është ndonjë program me përmbajtje të lartë intelektuale. Është për të rinj, në mënyrë që ata të krijojnë një përshtypje nga Berlini”, thotë Ischinger.

Një anëtar i familjes është gjithmonë i pranishëm në turneun e nxënësve në Berlin. Por Wolfgang Ischinger e shfrytëzon çdo orë të lirë për të qenë pranë mysafirëve të tij të vegjël. Ai duket se e ndjen veten mirë në mesin e këtyre fëmijëve me bluza të bardha në shpinën e të cilëve është shkruar me të zeza emri i të birit.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama