1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fëmijëri e humbur - Brezi i 60 vjeçarëve sot janë fëmijët dhe të rinjtë e kohës së Luftës së II-të Botërore

Brinkmann, Regina 7 Shkurt 2008

Rreth 7 milionë njerëz edhe sot vuajnë prej ngjarjeve dhe imazheve të kohës së fëmijërisë. Vëzhgimet e një psikiatri, i cili konstaton, se si të prekurit tregojnë, që edhe sot lufta karakterizon jetën e tyre.

https://p.dw.com/p/D45R
Viti 1940 në Gjermani, fëmijë duke u evakuuar prej bombardimeveFotografi: dpa
Rreth një e katërta e popullsisë gjermane kanë qenë fëmijë dhe të rinj në kohën kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore. Fëmijët e luftës dikur janë sot mbi 60 vjeç. Në vitet 50-të shkencëtarët ende mendonin, se ky brez i ka përballuar mirë ngjarjet dramatike të Luftës së Dytë Botërore dhe të periudhës së pasluftës. Asokohe përjashtohej mundësia e pasojave të mëtejshme të luftës. Por siç vërtetojnë studimet më të reja ky ka qenë një vlerësim i gabuar.
Si i përpunojnë fëmijët përjetimet traumatike? Në Gjermani një brez i tërë vazhdon të vuajë edhe sot pasojat e Luftës së Dytë Botërore.
Alarm i avionëve bombardues, një sinjal paralajmërues në kohë lufte. Sot kjo sirenë dëgjohet nëpër qytetet e komunat gjermane vetëm si një alarm nëse ka ndonjë problem. Sirena jehon nëpër rrugë e rrugica, në të cilat më shumë se 60 vjet pas luftës asgjë nuk të kujton më tmerrin dhe shkatërrimet. Atje ku ndodheshin të vdekurit dhe rënojat, sot janë ngritur shtëpi të reja, rriten pemë dhe fëmijët luajnë nëpër rrugë. Sërish gjithçka është mëse normale, deri në çastin kur dëgjohet ndonjë sirenë.
Hildegard Jost- Berns: "Kur dëgjoj sirenën më rrënqethet mishi dhe më përshkojnë ethe të fothta."
Renate Döring: "Kur jepja mësim në shkollë dhe ndonjëherë në orën 12 binte sirena, unë nuk mund të vazhdoja dhe zakonisht e ndërprisja mësimin. Ua kisha thënë edhe nxënësve. Kjo më ka mbetur si një relik."
Hildegard Jost- Berns und Renate Döring kanë qenë fëmijë kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore. Njëra jetonte në Kasel dhe tjetra në Esen kur forcat aleate për herë të parë bombarduan qytetet e tyre. Hildegard Jost-Berns është 5 vjeç kur shtëpia e prindërve të saj përfshihet nga flakët. Ajo ishte shumë e vogël për të kuptuar, se përse ndodhte kjo, por megjithatë në një moshë shumë të madhe për ta harruar atë që ka përjetuar. Flakët e ndiqnin atë vazhdimisht në ëndërr. Në kujtesën e saj është rrënjosur edhe kujtimi i natës së bombardimeve, kur atë tërhoqën forcat e ndihmës mes rënojave për ta shpëtuar.
"Si fëmijë më tërhoqën të parën dhe në dorë mbaja arushin tim. Një punonjës i aviacionit më vendosi mbi një gur pranë shtëpisë. Asnjë nga pjestarët e familjes nuk ndodhej më aty, skenat më rishfaqen të forma ndryshme. Unë isha ulur me arushin tim dhe shihja shtëpiat përballë dhe flakët. Këtë nuk e harroj."
Eshtë humbja e atdheut dhe e sigurisë, por njëkohësisht edhe humbja e fëmijërisë.
Edhe Beatrix Wagner ka kujtime traumatike : "Gjithçka mbaroi me sulmin ndaj Drezdenit. Kjo ishte diçka krejt e papritur dhe katastrofale. Ndonëse ne shpëtuam prej bombardimit, kishim frikë. Nëna ime të nesërmen na hipi në makinë dhe shkuam në fshat. Përpara se ne të arrinim atje nisi vala e dytë e bombardimeve. Ishte një ndjenjë për diçka shumë të tmerrshme."
Por askush nuk mund të kujdesej për ndejnjat e plagosura të shtatëvjeçares Beatrix Wagner. Nëna e saj dhe të tjerë të rritur ishin vet të pafuqishëm dhe të mbingarkuar me situatën. Edhe periudha e pasluftës nuk ofroi mundësi për të përpunuar përjetimet. Psikologë, që të kujdeseshin për fëmijët e traumatizuar nuk kishte. Shqetësimet eventuale shpirtërore dhe fizike të këtyre fëmijve dhe të rinjve u hodhën poshtë nga një studim i kryer në vitin 1954. Psiqiatri Hartmut Radebold rezultatet e atëhershme i shpjegon përmbledhtas: "Në këtë studim bazuar në metodat e atëhershme asnjëri prej fëmijëve nuk shfaqte pasoja. Ata kishin rifituar peshën normale, rritje normale trupore, rezultate normale në shkollë dhe asnjëri nuk rezultonte të kishte ndryshime psiqike që duheshin trajtuar. Me këtë rezultat ishin të gjithë të kënaqur. Prindërit ishin të kënaqur, e po ashtu edhe opinioni e shkenca."
Vetëm në fillim të viteve 2000 studjuesve iu tërhoq vëmendja prej brezit të fëmijëve të luftës. Në punën e tij shkencore dhe terapike si psiqiatër Radebold herë pas here haste tek mbi 60 vjeçarët simptoma dhe veprime, që mëse qartë ai mund t´ i përkufizonte si përjetime të pakapërcyera të fëmijërisë. Ajo që bie në sy ndër të tjera është çrregullimi i marrëdhënieve të partneritetit, siç i përshkruan edhe Beatrix Wagner: "Unë jam rritur në një shoqëri grashë. Gratë në atë kohë i kanë qëndruar pranë njëra-tjetrës dhe janë kujdesur për mbijetesën. Unë gjithmonë kam pasur ndjenjën, që s´kam nevojë për burrat. Eshtë një ndjenjë pasigurie, unë nuk mund të jem e çlirët me meshkujt."
Por jo vetëm partneriteti i rikthen fëmijët e luftës në të kaluarën, ndonjëherë është sirena, ndonjëherë angushtia. Të gjitha këto rikthejnë në ndërgjegje pamjet e tmerrit nga fëmijëria. Një proces, prej të cilit disa e kanë të vështirë të çlirohen.
Kujtimet janë ngrutësuar duke zënë rrënjë në tabanin e subkoshiencës së ish-fëmijë të luftës në kulim e jetës së së tyre profesinale dhe familjare. Me arritjen e moshës së pensionit këto kujtime depërtojnë sërish në "sipërfaqe" pra në vetëdijen e njeriut. Duke mos pasur më preokupimin e intensitetin e punës së përditshme ish-fëmijët e luftës dikur kthehen tek vetvetja dhe tek e kaluara e tyre. Psojat janë depresioni, ataket e panikut dhe shqetësimet fizike.