1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fëmijët, ardhmëria dhe problemet

Bianca von der Au27 Shtator 2007

Çfarë duan fëmijët në Gjermani? Si e ndjejnë veten ata dhe çfarë mendojnë? Këto janë pyetjet të cilat janë trajtuar në një studim të kryer në Gjermani.

https://p.dw.com/p/BkLG
Fëmijë duke luajtur
FëmijëFotografi: picture-alliance/dpa

Në studim janë përfshirë 6.200 fëmijë, të moshës nëntë deri 14 vjet, nga shtatë lande të ndryshme të Gjermanisë. Një barometër i këtillë fëmijësh punohet në landin Nord Rain Vestfalen që prej vitit 1997. Fëmijët dhe të rinjtë japin mendimet e tyre për shumë gjëra që kanë të bëjnë me kushtet e jetës, dëshirat dhe nevojat e tyre. Kësaj radhe studimi kishte karakter mbarëvendor. Ai është zhvilluar nën patronatin e ministres federale për familjen, Ursula fon der Lejen (von der Leyen).

Shumica e fëmijëve në Gjermani janë të kënaqur me vetveten

Dy të tretat e fëmijëve e ndjejnë vetem mirë apo shumë mirë. Veten më së miri e ndjejnë kur janë me shokët apo në familje. Në barometrin për fëmijë dhe të rinj, më tej thuhet se të gjithë fëmijët të paktën një herë në javë bëjnë ndonjë sport në shkollë, ndërkohë që dy të tretat prej tyre janë edhe anëtarë të ndonjë klubi apo shoqate sportive. Mirëpo në studim thuhet se një pjesë e fëmijëve shpesh ndjehet keq ose janë të sëmurë. Ministrja për familjen, Ursula fon der Lejen në radhë të parë thekson anët pozitive të studimit, por flet edhe për problemet të cilat përmenden edhe në këtë studim. "Në barometër fëmijët flasin vet, dhe kjo është me të vërtetë një gjë e mirë. Të gëzon shumë fakti që shumica e fëmijëve e ndjejnë veten mirë në rrethin shoqëror apo në familje, tek shtëpia. Mirëpo ka një pjesë e fëmijëve, një e katërta, të cilët kanë ngarkesa të shumifishta. Ata janë shpesh të sëmurë, ushqehen keq, nuk lëvizin shumë dhe shpesh ndjehen të shkëputur prej shoqërisë. Këtu duhet të kemi kujdes dhe të veprojmë për të përmirësuar gjërat, në mënyrë që pikërisht këta fëmijë të arrijnë nivelin e knaqësisë së fëmijëve të tjerë", thotë ministrja.
Në barometër thuhet se një e pesta e fëmijëve marrin "ushqime të shpejta", që do të thotë se marrin ushqime jo të shëndosha. Ndërkohë që gjashtë përqind e fëmijëve pranojnë se kurrë nuk ulen me prindërit për të ngrënë së bashku. Ministrja Ursula fon der Lajen i quan alarmante të dhënat sipas së cilave çdo i treti i ri në Gjermani sot peshon më tepër se sa që duhet.
Më së shumti gjëra të tilla ka tek fëmijët dhe të rinjtë nga shtresat më të paarsimuara, shpesh me preardhje të huaj. Ministrja thotë se pikërisht këtu duhet ndalur dhe duhet marrë seriozisht kërkesat dhe nevojat e këtyre fëmijëve.

Fëmijë duke ngrënë ushqime të shpejta
Fëmijë duke ngrënë ushqime të shpejtaFotografi: AP
Ministria gjermane për çështjet e familjes Ursula von der Leyen (CDU) prezanton barometrin e fëmijëve 2007
Ministria gjermane për çështjet e familjes Ursula von der Leyen (CDU) prezanton barometrin e fëmijëve 2007Fotografi: picture-alliance/dpa

Fëmijët e thonë shumë qartë se duan të mbrohen nga dhuna

Sepse dhuna në familje luan një rol shumë të rëndësishëm. Ata kanë nevojë për më shumë lëvizje, ushqim më të mirë dhe arsimim. Janë këto fusha shumë të rëndësishme për trajtimin e fëmijëve dhe ku gjërat duhet të përmirësohen në bashkëpunim me prindërit. Duhet të shikojmë se si mund të përmirësojmë gjendjen shëndetsore të famijëve. Prandaj kemi themeluar një komision ekspertësh i cili në fund të vitit të ardhshëm do të prezantojë rezultatet", pohon ajo. Komisioni i themeluar me iniciativën e ministres ka për detyrë që deri në fund të vitit 2008 të hartojë propozimet për një strategji të re të kujdesit për fëmijë dhe të rinjë. Një hap i rëndësishëm sipas ministres është edhe kujdesi për fëmijët në kopshte, me qëllim që aty të përfshihen sa më shumë prej tyre.

Mirupafshim fëmijë- posteri i filmit francez 2007
Mirupafshim fëmijë- posteri i filmit francez 2007Fotografi: Concord

Ruajtja e të drejtave të fëmijëve ka rëndësi të madhe

Udhëheqësja e Shoqatës për mbrojtjen e fëmijëve, Paula Honkanen - Shobert (Schobert) thotë se ruajtja e të drejtave të fëmijëve ka një rëndësi të jashtëzakonshme. "Mendoj se një prej kërkesave tona më të rëndësishme duhet të jetë mbrojtja e të drejtave të fëmijëve, e kjo mund të bëhet përmes futjes së tyre edhe në kushtetutë", mendon ajo. Një studim i këtillë ku fëmijët vet mund të flasin për gjendjen e tyre, është një bazë shumë e mirë për të vlerësuar si duhet gjendjen, nevojat dhe dëshirat e tyre. Kjo mund të ndihmojë edhe në hartimin e kërkesave ndaj politikës dhe shoqërisë.
"Ne gjithmonë duhet të kujdesemi që situata e fëmijëve, të drejtat dhe nevojat të argumentohen edhe me të dhëna shkencore. Prandaj bisedimet me vetë fëmijët janë të një rëndësie të jashtëzakonshme, sepse vet ata e dinë më së mire se cfarë është më e rëndësishmja për ta. Ata janë ardhmëria dhe realiteti ynë. Prandaj duhet të kujdesemi sot dhe jo vetëm në të ardhmen", thotë Shobert.