1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fëmijët dhe rreziqet nga kompjuteri

Arnd Riekmann/Bahri Cani14 Gusht 2012

Laptopi, sistemi i navigimit, apo Smartphone janë bërë të pazëvendësueshëm. Ato i përdorin madje edhe fëmijët e vegjël. Por sa të rrezikshme janë ato për zhvillimin e fëmijëve?

https://p.dw.com/p/15oyQ
Fëmijët dhe kompjuteri
Fëmijët dhe kompjuteriFotografi: Fotolia/VladimirS

Manfred Spitzer flet shumë bujshëm kur bëhet fjalë për përdorimin gjithnjë e më të madh të kompjutrëve nga fëmijët dhe rinia. Kompjuteri apo video-lojërat janë "makina që pengojnë mësimet", pohon profesori i psikiatrisë në Universitetin e Ulmit. Spitzer pohon se "gjenerata e re do të jetë e dëmtuar shumë".

Hippocampus (Plural Hippocampi)
HippocampusFotografi: DW

"Është dëshmuar se rinia që kalon shumë kohë me mediat digjitale, është e dëmtuar në procesin e mësimeve", pohon Spitzer dhe shpjegon: kompjuterët na largojnë nga puna shpirtërore, e cila kërkon një angazhim më të madh të trurit. Ky angazhim më i madh e ushtron trurin dhe e bën më të mençur.

Spitzer krahason aftësinë e trurit me muskujt, të cilët kur nuk përdoren zvoglohen gjithnjë e më shumë. Ulja e nivelit të aftësisë mendore në kushte të caktuara edhe mund të matet. Për shembull: ai që gjithmonë përdorë një sistem navigimi në veturë, dobëson sistemin e navigimit në kokën e tij. Kështu jo vetëm që dobësohet orientimi, por zvoglohet edhe volumi i një pjese të caktuar të trurit, që quhet Hippocampus.

Dëmtimet në zhvillim dhe notat më të dobëta

Hulumtuesi i zhvillimit të trurit paralajmëron nga përdorimi i tepërt i kompjuterit, sepse disa fëmijë fillojnë tepër heret me përdorimin e tij. Studimet kanë dëshmuar se deri në moshën tre vjeçare, fëmijët nuk mund të mësojnë asgjë nga lojërat me kompjuter. Përkundrazi, ekziston rreziku që të shkaktohen dëmtime në zhvillimin e gjuhës. Por edhe më vonë kompjuteri dhe lojërat tjera digjitale nuk ndihmojnë shumë fëmijët në zhillimin e tyre, pohon profesori në një bisedë me Deutsche Wellen.

Manfred Spitzer
Manfred SpitzerFotografi: Universitätsklinikum Ulm

"Duhet ta keni parasyshë se kur fëmijëve të klasës së parë, të dytë apo të tretë i bleni një lojë digjitale, do të thotë se i keni dhuruar nota më të dobëta. Ndërsa kompjuteri në dhomën e një 15-vjeçari ulë nivelin e notave të tij dhe nuk e përmirëson atë. Kjo është dëshmuar edhe me studimet shkencore", pohon Spitzer.

Por tezat e tij kontestohen nga studjues të tjerë për arsim. Një nga kritikët e tij është edhe Stefan Aufenanger, profesor i pedagogjisë për media në Universitetin e Majncit.

Stefan Aufenanger
Stefan AufenangerFotografi: picture-alliance/dpa

"Unë jam kundër vlerësimeve të tilla të përgjithësuara, ku thuhet se kompjuteri ka përkeqësuar të gjitha dhe se më parë ka qenë më mirë. Kjo nuk është e vërtetë", pohon ai. Por edhe Aufenanger është kundër qëndrimt tepër të gjatë të fëmijëve të vegjël para kompjuterit apo televizorit.

"Ka prindër të cilët mendojnë se ulja e fëmijëve të vegjël para mediave digjitale do t'u ofrojë mundësi më të mëdha për një profesion më të mirë, por kjo është plotësisht e pavërtetë", pohon pedagogu për media.

"Komjuteri hapë shansa për mësime në shkollë"

Mediat elektronike, kur përdoren si duhet, mund të shërbejnë shumë mirë edhe për mësime në shkollë. "Komjuteri ofron materiale të shumta dhe mundësi për të provuar gjëra të ndryshme, për të menduar mbi gjërat, për zhvillimin e faktorëve të ndryshëm", pohon ai. Si një shembull pozitiv ai veçon lojërat ekonomike dhe shoqërore në kompjuter, të cilat stimulojnë hulumtimet në një vend fiktiv dhe ofrojnë zgjidhje për funksioninim e një qyteti.

Pamje e trurit
Truri dëmtohet?!Fotografi: Fotolia/Andrea Danti

Wassilios Fthenakis është një nga hulumtuesit në "Didacta", në panairin më të madh të Europës për arsim, i cili çdo vit mbahet në Gjermani. Edhe ai paralajmëron nga vlerësimet tepër negative ndaj mediave digjitale. "Hulumtimet e bëra nuk ofrojnë ndonjë dëshmi për dëmtimin e domosdoshëm nga përdorimi i këtyre mediave. "Dëmtojnë përbërja, gjatësia e përdorimit dhe përdorimi për qëllime që nuk i hërbjnë zhvillimit", shpjegon ai. Pra nëse fëmijët përballen me një përbërje që nuk i përshtatet moshës së tyre. Fthenakis dhe Aufenanger janë të mendimit se këtu përgjegjësinë më të madhe e kanë prindërit. Ata duhet të japin kontributin e tyre dhe duhet t'u shpjegojnë fëmijëve me kohë gjarat që mund të bëjnë në kompjuter dhe lojëra dhe jo të demonizojnë mediat elektronike.

Wassilios E. Fthenakis
Wassilios E. FthenakisFotografi: picture-alliance/dpa

Kur prindërit kanë përshtypjen se fëmijët po përdorin tepër gjatë kompjuterin, atëherë duhet të flasin me fëmijët dhe t'u shpegojnë atyre rreziqet që kanosen. Por edhe këto probleme mund të zgjidhen duke shpjeguar gjërat dhe jo me masa dënimesh.