1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fantazia është jetike - në 100 vjetorin e lindjes së autores për fëmijë Astrid Lindgren

Catrin Möderler9 Nëntor 2007

Lindgren është një përjashtim në rradhën e shkrimtarëve për fëmijë. Më shumë se 90 libra ka shkruar krijuesja e Pipi Çorapegjatës të përkthyer në më shumë se 92 gjuhë. Në Gjermani tirazhi është rreth 30 milionë kopje.

https://p.dw.com/p/C5uP
Autorja suedeze për fëmijë Astrid Lindgren (Foto e vitit 1997)Fotografi: dpa

Çmimin nobel për letërsinë Astrid Lindgren nuk e ka marrë kurrë megjithëse ka qenë shpesh në listën e kandidatëve. Por suksesin mbarëbotëror tek fëmijët dhe të rriturit në të gjithë botën e ka patur të sigurtë edhe pa këtë çmim. Në 14 nëntor Astrid Lindgreen do të ishte bërë 100 vjeç.

Lindgren, autorja që ka revolucionuar letërsinë për fëmijë, e konsideronte jetike fantazinë: "Mendoj se fantazia është e nevojshme dhe për fat ka ende njerëz që kanë fantazi!"

Fantazia e njerëzve e para së gjithash e të vegjëlve i ka dhënë krahë Astrid Lindgrenit gjatë gjithë jetës. Me histori herë plot tension, herë prekëse, herë të trishtueshme e herë moskokçarëse ajo ë shtë futur në zemrat e fëmijëve nga e gjithë bota. Heronjtë e saj të vegjël të librave "Fëmijët e Bulerby", "Karlson mbi çati", "Mihel në kusinë e supës" e para së gjithash "Pipi Çorapegjata" ishin çapkënë dhe të gjallë. Ndryshe nga personazhet e "mbarë" të cilët karakterizonin deri atëherë letërsinë për fëmijë.

Pipi Langstrumpf
Pipi Çorapegjata personazhi i njohur nga filmi për fëmijë me të njëjtin titullFotografi: AP

Pipi Çorapegjata, anarkistja me gërsheta të kuq, është krijesa më e famshme e Astrid Lindgrenit. Vajza që është më e fortë se burri më i fuqishëm, që jeton vetëm në vilën ngjyra-ngjyra dhe që bën çfarë i pëlqen, entuziasmon qysh prej vitit 1945 fëmijët në të gjithë botën. Veçanërisht në Gjermaninë e pasluftës kjo figurë simbolizonte vlera jo autoritare përpara se lëvizja e '68-s të vinte në pikëpyetje autoritetet e vjetra.

Astrid Lindgren publikon qysh në moshën 19 vjeçare tregime të shkurtra në revista, në shumicën e rasteve me pseudonim. Me "Pipi Çorapegjatën" sekretarja e një shtëpie botuese arrin suksesin si shkrimtare dhe brenda një kohe të shkurtër edhe jashtë vendit. Ende sot me 7 milionë ekzemplarë "Pipi Çorapegjata" është një nga librat më të shitur në Gjermani. Sipas botuesit gjerman të Lindgrenit, Oetinger, në të gjithë botën janë në treg rreth 145 milionë libra të shkrimtares suedeze.

Mesazhi i Lindgrenit në fjalën e saj të falenderimit për "Çmimin e Paqes të Librarive Gjermane" në vitin 1978 në Frankfurt ishte ky: respket për fëmijët në liri dhe siguri.

"Edukim i lirë dhe jo autoritar nuk do të thotë që fëmijëve të mos u kushtohet vëmendje. Ne të gjithë kemi nevojë për norma sjelljeje, të rritur dhe fëmijë, dhe përmes shëmbullit të prindërve të tyre fëmijët mësojnë më shumë se me çdo metodë tjetër."

Vetë Astrid Lindgren u edukua në atmosferën gazmore e plot dashuri e përkushtim prindëror në atdheun e saj Vimerbi. Kujtimet nga fëmijëria e saj e lumtur në fermën e prindërve pasqyrohen në shumë tregime të saj. Por nuk është vetëm kjo botë e vogël dhe e lumtur që i bën kaq të parezistueshëm librat e Astrid Lindgrenit. Edhe temat serioze si dhuna, varfëria dhe vdekja nuk janë kursyer nga Lindgreni. Ajo dinte si të trajtonte anët e errëta të jetës në libra si p.sh. "Vëllezërit zemërluan" me të cilët prekte zemrat e lexuesve të saj të vegjël pa i tronditur ata.

"Ata që tani janë fëmijë një ditë do të drejtojnë punët e botës ku jetojnë nëse prej tyre do të mbetet ende diçka. Janë ata që do të vendosin mbi luftën dhe paqen dhe se në çfarë shoqërie do të jetojmë. Në një shoqëri ku dhuna është në rritje apo në një ku njerëzit jetojnë në paqe dhe mirëkuptim me njëri-tjetrin."

Mesazhi i Astrid Lindgrenit për paqe dhe mirëkuptim është nderuar. Ajo ka marrë shumë çmime, vetëm çmimin Nobel për letërsinë jo megjithëse ka qenë shpesh në listën e kandidatëve. Nëse do t'a kishte marrë Lindgren do të kishte qenë shkrimtarja e parë për fëmijë dhe do t'a kishte merituar thonë pikërisht në këto ditë të jubileut shumë zëra nga fusha e letërsinë.

Por të nevojshëm Lindgren nuk e ka patur Nobelin. Bashkëkombasit e zgjodhën atë në shkurt të vitit 1999 suedezen më të dashur të shekullit. Dhe luftëtarja e të drejtave e fëmijëve dhe kafshëve ka arritur disa suksese edhe në politikë: falë saj u miratua një ligj i ri për mbrojtjen e kafshëve. Dhe vetëm një vit pasi mbajti në Frankfurt në vitin 1978 fjalimin e saj të famshëm "Kurrë dhunë" Suedia si vendi i parë miratoi ligjin që ndalonte ndëshkimin fizik të fëmijëve. Në fjalën falenderuese për "Çmimin e paqes të librarive gjermane" Lindgren tregoi historinë e vogëlushit që duhej të kërkojë vetë shkopin me të cilin mamaja do t'a ndëshkojë:

"Vogëlushi u vonua shumë. Më në fund u kthye duke qarë dhe tha: "unë nuk gjeta asnjë shkop, por ja ku ke një gur me të cilin mund të më qëllosh." Por pas këtyre fjalëve nëna filloi të qante sepse papritur gjithçka e pa me sytë e fëmijës. (...) Atëherë nëna e vendosi gurin në një raft në kuzhinë dhe atje mbeti ai si një kujtesë e vazhdueshme për nënën që të mos harronte premtimin e dhënë: kurrë dhunë!"