1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Festivali i Bach-ut 2023: Kantata për përjetësinë

29 Qershor 2023

Lajpcigu feston me 160 aktvitete të ndryshme 300 vjetorin e fillimit të punës së Johann Sebastian Bach-ut si drejtues i korit të kishës së Shën Thomait. Veprat e tij kanë edhe sot ndikim në botën muzikore.

https://p.dw.com/p/4T8X8
Johann Sebastian Bach
Johann Sebastian BachFotografi: Jan Woitas/dpa/picture alliance

Johan Sebastian Bach-u kompozoi disa nga kantatat e tij më të bukura kishtare kur mori në vitin 1723 postin e drejtuesit të korit të Kishës së Shën Thomait në Lajpcig. Këto "pjesë muzikore për konsum të përgjithshëm” u kthyen në muzikë të përjetshme, gjë që as ai vetë nuk e kishte imagjinuar. Në jubileun e 300-të të Bachut, këto kantata janë në qendër të festës së organizuar në Lajpcig për nder të tij.

70 mijë vizitore dhe vizitorë nga 56 vende të ndryshme të botës, erdhën në festivalin e organizuar nën moton "Bach for Future" - një rekord i ri ky ndërkombëtar për aktivitetet e organizuara në vendet origjinale ku ka jetuar dhe punuar të Bachut. "Sa më ndërkombëtar që bëhet festivali, aq më i ri bëhet publiku,” i tha Deutsche Welles drejtori i Festivalit të Bachut, Michael Maul. "Prandaj unë nuk shqetësohem për të ardhmen e muzikës së Bach-ut. Ai është i pranishëm në gjithë botën dhe tërheq nga e gjithë bota njerëzit që të vijnë në Lajpcig si kurrë më parë."

Kori Bach Collegium Japan duke interpretuar pjesë nga Mesha në h-Moll
Kori Bach Collegium Japan duke interpretuar pjesë nga Mesha në h-MollFotografi: Bach-Archiv Leipzig/Gert Mothes

Në Kishën e Shën Thomait grupi Bach Collegium Japan interpretoi me sukses nën drejtimin Masaaki Suzukit pjesë muzikore nga Mesha në h-Moll. Partitura e kësaj pjese, shkruar me shkrim dore, është kthyer në trashëgimi botërore që në vitin 2017. 

Bachu dhe Lajpcigu

Johann Sebastian Bach shkoi në Lajpcig në moshën 38-vjeçare për t'u bërë drejtues i korit të Kishës së Shën Thomait dhe drejtor muzikor i qytetit. Ai nuk kompozoi vetëm kantata kishtare për shërbimet fetare të së dielës, por drejtoi edhe "Korin e Thomanëve”, një nga koret më të famshme të djemve në Gjermani, me një histori 600-vjeçare. Përveç kësaj ai u kujdes për mbarëvajtjen e instrumenteve dhe luajti muzikë në dasma dhe ceremoni mortore.

Pamje nga koncerti i La Capella Ducale
Pamje nga koncerti i La Capella Ducale Fotografi: Gaby Reucher/DW

Për të shkruajtur kantatat Bach harxhoi shumë energji, sidomos në vitet e para të punës. Në Festën e Bach-ut katër njohësit më të mirë të muzikës së Bachut drejtuan asambletë e tyre për të luajtur kantatat e preferuara.

Koncertet e drejtuara nga dirigjentët e njohur për praktikat historike të dirigjimit, Philippe Herreweghe dhe Ton Koopman, mund t'i dëgjohen në kanalin e Deutsche Welles në Youtube "DW Classical Music".

Muzikë për të gjitha fetë

Johann Sebastian Bach përfshiu në muzikën e tij forma të reja muzikore për instrumente të panjohura dhe përzierje tingujsh, që shpesh sot cilësohen si sferike ose qiellore. Kompozitori u kushtoi rëndësi të veçantë inskenimit muzikor të teksteve dhe fjalëve të Biblës në kantatet e tij. 

Ceremonia e hapjes Festivali i Bach-ut Leipzig
Ceremonia e hapjes Festivali i Bach-ut LeipzigFotografi: Gert Mothes/Bach-Archiv Leipzig

"Kantatat janë mbase muzika më komplekse dhe më e vështirë për t'u dëgjuar nga muzika e Bachut,” thotë intendanti Michael Maul. Edhe vetë gjermanët kanë probleme me gjuhën për të kuptuar tekstet e stërholluara barok. Përveç kësaj njerëzit nuk kanë sot frikë nga Zoti siç kanë pasur frikë në periudhën e Bachut. "Megjithatë Bach dëgjohet pa kufi fetarë, kulturorë dhe gjeografikë.”

Kori i Thomanëve të Bachut

Kur ishte gjallë gjenialiteti muzikor i Bachut nuk u kuptua. "Bach-u është shumë më i vështirë për t'u interpretuar krahasuar me kompozitorët e tjerë të asaj periudhe.

Muzika e tij është po ashtu komplekse, prandaj mbase njerëzit në atë kohë ishin të mbingarkuar nga muzika e tij", thotë Maul.

Kori i Thomanëve të Bachut
Kori i Thomanëve të BachutFotografi: Jan Woitas/dpa/picture alliance

Bach ngarkoi shumë edhe djemtë e korit të Thomanëve. Ai u ankua tek Këshilli i Qytetit për cilvsinë e djemve të zgjedhur dhe me kalimin e viteve iu dedikua gjithnjë e më shumë muzikës laike, kjo edhe për shkak të diferencave me Këshillin e Qytetit. Ai krijoi pjesë mësimore si "Arti i fugës " (1751) dhe kompozoi vepra të famshme si variacionet e Goldbergut (botuar më 1741), që në Festën e Bachut u luajtën përmendësh me precision virtuoz nga pianisti armen, Sergei Babayan. 

Legjenda e rokut Sting ftuar në koncertin e Thomanëve

Kori i Thomanëve ishte shumë i kërkuar këtë vit. Në koncertin e hapjes kori nuk këndoi vetëm kantatën e Bachut "Të varfërit duhet të hanë”, por këndoi edhe për herë të parë një pjesë të dirigjentit, klarinetistit dhe kompozitorit Jörg Widmann, që morri si bazë formën e kantatës për të kënduar për luftën, shpresën dhe paqen.

Kantori i Kishës Thomas, Andreas Reize mendon se kjo ishte sfida më e madhe e festimeve të 300 vjetorit: "Në premierën e kësaj pjese ne i kaluam kufijtë e asaj që jemi në gjendje të bëjmë, por përvoja ishte e papërfytyrueshme", thotë Reize. "Ishte e vështirë për tu kënduar, për tu luajtur nga orkestra dhe për tu dirigjuar nga unë.”

Thomanët u nderuan me medaljen e Bachut, për meritën që kishin në këndimn e veprave të Johann Sebastian Bachut. E papritur ishte për korin e djemve kur legjenda e rokut, Sting, po ashtu një thomanër, u shfaq në publik në Kishën e Thomasit. Sting njihet si dashamirës i Bachut dhe drejtori i Festivalit, Michael Maul e di që herë pas here Sting luan në kitarë edhe disa takte Bachu.

"Choral Total" më 2024 me kore nga gjithë bota

300 vjetori i Bachut do të festohet në Lajpcig për një vit me radhë. Kështu Thomanët do të marrin pjesë në shërbimet e përjavshme fetare të së dielës, në të cilat do të luhen të njëjtat programe muzikore si në kohën e Bachut. Muzeumi i Bachut ka hapur ekspozitën e veçantë "Hap skenën për Johan Sebastian Bachun!”, që do të qëndrojë deri në mars të 2024. Në tre aktivitete të njëpasnjëshme kemi të bëjmë me muzikën kishtare të Bachut, muzikën e tij për instrumenta me tastierë dhe trajtimin e muzikës së Bachut për brezat që vijnë.

Nën moton "Choral Total" do të mblidhen në Festivalin e Bachut 2024, (nga 7 në 16 qershor) asamble të Bachut nga e gjithë bota, për të kënduar kantatet e Bachut, të ashtuquajtura kantate korale të krijuara nga ai në vitin e dytë të mbajtjes së postit si kantor i korit të Thomanëve (1724/25). Krah koreve gjermane dhe europiane aty pritet të marrin pjesë edhe kore nga SHBA, Japonia dhe Malajzia. Përveç kësaj do të krijohet një kor i festivalit ku mund të regjistrohen këngëtarë dhe këngëtare nga e gjithë bota.

Gaby Reucher Redaktore kulture, autore