Fitore historike për opozitën
11 Mars 2012Gëzim në selinë e partisë socialdemokrate. Eshtë një fitore historike për opozitën. Asnjëherë më parë në historinë e Sllovakisë së pavarur një parti nuk ka mundur të fitojë kaq shumë vota. Pas një nate të gjatë fituesi i zgjedhjeve Robert Fico doli para mikrofonëve:
„Socialdemokratët kanë arritur një rezultat, që ne na befasoi. Ne kemi marrë më shumë se një milionë vota. ëndrra ime e fshehtë është plotësuar.„
Me rezultatin prej rreth 45 përqind socialdemokratët mund të qeverisin të vetëm në katër vitet e ardhshëm. Shumicën e tij absolute kryeministri i ardhshëm dëshiron ta shfrytëzojë për reforma socialpolitike:
„Ne do të kemi një shtet social, që nuk i rregullon financat në kurriz të njerëzve të varfër. Ne do të gjejmë zgjidhje që të mos e ulim edhe më tej nivelin e jetesës së atyre, që kanë të ardhura të pakëta."
Humbje e madhe për partitë e qendrës së djathtë
Partitë e qendrës së djathtë të rënduara me një aferë korrupsioni mezi arritën të kapërcejnë pragun e 5 përqindëshit. Partia deri tani më e fortë në pushtet SDKU humbi dy të tretat e votave. Një humbje dramatike për kryetarin e partisë, ministrin e Jashtëm Dzurinda: „Ishte fare e qartë se afera e madhe e korrupsionit ka dëmtuar partinë tonë. Ne nuk kemi mundur që të mposhtim këto emocione kundër nesh."
Skandali i korrupsionit ishte tema kryesore në fushatën zgjedhore. Për javë me rradhë sllovakët demonstruan në shumë qytete të vendit. Protesta e tyre drejtohej kundër një rrjeti të ngushtë nga politika dhe ekonomia që kishte në dorë privatizimin e ndërmjarrjeve shtetërore. Politikanë të të gjitha partive duhet të kenë bashkëpunuar për vite me rradhë. Qeverisja e socialdemokratëve në të ardhmen si forcë e vetme politike, mendon analisti politik Jan Baranek, nuk është lajm i mirë: „Eshtë gjithmonë më mirë, kur në një koalicion ka një farë kontrolli. Ne e dimë ndërkohë se në Sllovaki ka kudo korrupsion. Një qeveri pa mekanizma kontrolli është gjithmonë në rrezik."
Me të vertetë në aferat korruptive ka akuza edhe kundër socialdemokratëve. Por natën pas zgjedhjeve Robert Fico deklaroi një luftë energjike kundër korrupsionit. Edhe në parketin evropian kryeministri i ardhshëm do të luajë një rol pozitiv:
„SMER-i është një parti proeuropiane. BE mund t'u besojë socialdemokratëve. Ne jemi një vend i vogël dhe duam ta mbajmë eurozonën.“
Ekonomia sllovake, e orientuar fort nga eksporti, vuan nga kriza enkonomike dhe financiare. Me afro 14 përqind ky vend ka papunësinë më të lartë në Europë. Sidomos investorët e huaj paralajmërojnë për rrezikun e largimit nga kursi i reformave ekonomike dhe kthimi në një politikë sociale në kontenkstin e financimit të borxhit.
Autor/Stefan Heinlein/Angjelina Verbica
Redaktoi: Aida Cama