Fjalë të qarta në hapje të Konferencës së Sigurisë
18 Shkurt 2017Wolfgang Ischinger shtroi pyetjen, që aktualisht e shtrojnë shumë vetë: a do të ndjekë presidenti Donald Trump traditën e 50 viteve të fundit dhe do ta mbështesë projektin e integrimit europian? Apo ai do të vazhdojë t'i inkurajojë vendet anëtare të BE-së, që të ndjekin shembullin e Brexit?
Për drejtuesin me përvojë të gjatë në këtë funksion të Konferencës së Sigurisë është e qartë: nëse Trump do ta bëjë këtë, atëherë kjo i ngjan një "lloj shpalljeje lufte jo ushtarake". Këtë e theksoi Ischinger në një intervistë për DW. Kjo do të thoshte një konflikt mes Europës dhe SHBA-së.
A është kjo ajo që do SHBA-ja?
Në hapje të konferencës Ischinger shtroi më tej pyetjen: "A është kjo ajo që do SHBA-ja? A është kjo mënyra se si Amerika do të bëhet sërish e madhe? Ne kemi shumë pyetje."
Fakt është: Trump pak para marrjes së postit e cilësoi NATO-n si "të pavlefshme" dhe kritikoi angazhimin e pakët financiar të aleatëve europianë si dhe angazhimin e pakët të aleancës në luftë kundër terrorizmit.
Ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen e trajtoi këtë temë dhe tha në hapje të konferencës: "Ne e dimë, që duhet të marrim përsipër një barrë më të madhe dhe ndarë më drejtë për sigurinë tonë të përbashkët atlantike". Ndarja e barrës nuk është vetëm një çështje e financave. Në të bën pjesë edhe ndërmarrja e inciativës. Von der Leyen i bëri thirrje BE-së, që t'i drejtojë më mirë 17 misionet e veta civile dhe ushtarake, të planifikojë më mirë bashkarisht projektet e pëbashkëta të armatimit dhe t'i financojë ato. Edhe ky është një kontribut për ndarjen e barrës.
Pavarësisht rritjes me tetë përqind të buxhetit të mbrojtjes nga viti 2016 në vitin 2017, tha më tej ministrja e Mbrotjjes, investimet për sigurinë e brendshme dhe të jashtme duhet të rriten më shpejt në vitet e ardhëshme. Kjo nga njëra anë për një shpërndarje më të drejtë në Europë dhe në aleancën e mbrojtjes NATO, nga ana tjetër edhe për modernizimin e ushtrisë gjermane, Bundeswehr.
Ndonëse shefi i tij shprehet ndryshe, ministri i Mbrojtjes i SHBA-së, James Mattis e vlerëson NATO-n. Von der Leyen e falenderoi kolegun amerikan për pohimin e tij të qartë javën e kaluar për aleancën mbrojtëse. Ministrja e Mbrojtjes tha më tej: "Bota ka nevojë për një Amerikë të angazhuar globale dhe të vetëdijshme për përgjegjësinë." Mattis javën e kaluar në Bruksel i kërcënoi partnerët e NATO-s me më pak angazhim, në rast se ato nuk i rrisin shpenzimet ushtarake.
Mattis në fjalën e tij e rithkesoi pohimin për NATO-n. Asnjë vend nuk mund ta garantojë i vetëm sigurinë, tha ai. Kjo arrihet vetëm në ekip. "Lidhja transatlantike mbetet fortifikata jonë më e fuqishme kundër mungesës së stabilitetit dhe dhunës. Jam i bindur, që ne do ta forcojmë partneritetin tonë."
Bashkarisht kundër terrorit islamik
Von der Leyen theksoi edhe, se lufta kundër terrorit islamik duhet të zhvillohet në partneritet edhe me vendet myslimane dhe shtetet arabe dhe ajo nuk duhet të orientohet si një "front kundër islamit dhe myslimanëve". "Sepse në një rast të tillë rrezikojmë, që nga thellimi i hendekut të nxitet edhe më shumë dhunë e terror."
Konferenca vazhdon për rreth 48 orë, nga e premtja deri të dielën (17.02 - 19.02). Në kuadër të saj shumë politikanë drejtues u kanë bërë thirrje europianëve për një kurs më të vetëdijshëm kundrejt SHBA-së. Drejtuesi i konferencës, Wolfgang Ischinger, i bëri thirrje BE-së, që të mos druhet prej Uashingtonit. Shumë politikanë shpresojnë që në Mynih të qartësohet kursi ndaj Uashingtonit.
vfb/ust/haz (dpa, afp, rede)