FMN i shqetësuar për krizën në Kosovë
25 Janar 2016Kriza politike në Kosovë paraqet "rrezikun kryesor" për një marrëveshje financimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ajo mund të ndikojë në korrigjimin e parashikimit të zhvillimit të Kosovës për këtë vit dhe për vitet në vazhdim. Këtë paralajmërim e bëri Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një deklaratë të hënën. "Ne e shohim bllokadën politike dhe tensionet si rrezik serioz për programin", tha Ruud Vermeulen, përfaqësuesi i FMN në Kosovë në një konferencë shtypi për marrëveshjen e huasë. "Ne jemi të shqetësuar se kjo mund të minojë besimin e investorëve", shtoi ai.
FMN: Kosova 3.8 përqind rritje për 2016
Vermeulen tha se ekonomia e Kosovës pritet të shënojë një rritje prej 3.8 përqind këtë vit dhe 4.1 përqind në vitin 2017. Rritja ekonomike e Kosovës vitin e kaluar ishte 3.5 përqind, 0.3 përqind më e lartë se parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Burimet kryesore të rritjes qenë përcjelljet financiare nga migrantët dhe investimet e huaja.
Por nëse situata aktuale vazhdon ose përkeqësohet, neve ndoshta do të na duhet ta korrigjojmë parashikimin për këtë vit dhe për vitet e ardhshme.
Kosova ra dakord për një marrëveshje dyvjeçare financimi nga FMN në korrik të vitit të kaluar. Marrëveshja kap shumën 184 milionë euro.