1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Betejë për Elysee-në

22 Prill 2022

Pas një debati të ashpër televiziv mes kandidatëve, përfundoi fushata elektorale në Francë. Vendimi do të merret të dielën - A mundet Macron të ruajë epërsinë e tij në sondazh ndaj populistes së djathtë Marine Le Pen?

https://p.dw.com/p/4AGe3
Debatte vor der Präsidentschaftswahl in Frankreich
Fotografi: Ludovic MARIN/AFP

Sipas anketimeve të fundit, Emmanuel Macron, ka një epërsi të konsiderueshme - institutet e sondazheve i japin atij rreth dhjetë pikë më shumë se rivales, Marine Le Pen, por kjo nuk do të thotë se këshilltarët e tij duhet të ndihen të sigurt. Rreth një e treta e francezëve nuk kanë vendosur ende se për kë duan të votojnë Lufta për pallatin Elysée po i afrohet fundit.

Debati nuk është vendimtar

Pyetja dominuese para debatit ishte nëse paraqitja e Marine Le Pen-it në debatin televiziv me Emmanuele Macron-in do të ishte po aq skandaloze sa në vitin 2017. Por, siç duket, ajo ndërkohë ka mësuar të paraqitet më mirë në publik, formulimet ishin të zbutura dhe ishte shumë më e përgatitur ndaj sulmeve verbale gjatë replikave.

Në debat u cekën thuajse të gjitha temat: nga politika sociale, reforma e pensioneve, Rusia dhe lufta e saj në Ukrainë, e deri te mjedisi dhe ndalimi i shamisë. Siç pritej, Macron ishte i detajuar dhe mundi të bënte ca goditje të forta në adresë të Le Pen-it. Ai e akuzoi atë për lidhjet financiare të partisë së saj me donatorë rusë, dhe e quajti të varur nga Rusia.

Ai denoncoi gjithashtu idetë konfuze të Le Pen-it për politikën mjedisore. Për shembull, për planin e saj për të çmontuar turbinat me erë, sepse prishin peizazhin. Nëse është kundër energjisë së rinovueshme, atëherë nga duhet të vijë energjia elektrike, pyeti Macron-i, i nevrikosur dukshëm.

Presidenti aktual denoncoi edhe idetë e saj për kufizimin e çmimeve të energjisë, duke i quajtur të padrejta dhe jo të praktikueshme. Dhe ai fitoi pikë në debat kur erdhi fjala te ndalimi i shamisë së kokës, siç planifikon Le Pen: Franca do të ishte kështu i vetmi vend në botë që ndalon mbajtjen e simboleve fetare. Dhe kjo do të çonte në luftë civile, tha Macron-i.


Marine Le Pen u përqendrua në projektet e saj sociale dhe foli për një rritje të varfërisë në Francë gjatë mandatit të Macron-it. Ajo u premtoi të gjithëve: pensionistëve, punëtorëve me paga të ulëta, studentëve, familjeve, se do të kenë më shumë para në xhepat e tyre: ose përmes ndihmës, ose përmes uljes së taksave. Ky premtim u pëlqen shumë francezëve, të cilët gjatë gjithë kësaj fushate zgjedhore ishin ankuar për rënien e fuqisë blerëse si shqetësimin e tyre numër një. Cili votues rri e përllogarit se si mund të financohet kjo bamirësi?

Në fund, Emmanuel Macron ishte fituesi, siç u konfirmua nga 59 për qind e të anketuarve, por ndër vëzhgues ekziston konsensusi se kësi debatesh nuk janë vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve. “Është një lloj miti”, thotë politologia Ariane Bogain nga Universiteti Northumbria në një intervistë me Kanalin 'France 24'. "Ky është vetëm njëri ndër shumë faktorë". 
Le Pen-i nuk humbi në vitin 2017 për shkak të debatit të saj skandaloz, por sepse ajo krijoi përshtypjen se ishte jo kompetente.

Bernard Sananes nga instituti i sondazheve Elabe, thotë se të dy kandidatët shfaqën nga një dobësi të madhe: “Çdo i dyti shikues e gjeti Emmanuel Macron arrogant. Ndërsa gjysma e tyre e quajnë Marine Le Pen-in të lodhshme”. Shumë votues të rinj nuk duan kurrsesi as Macron-in dhe as Le Pen-in.

Lufta për votat e së majtës

Problemi më i madh i Emmanuel Macron është suksesi i tij në shtypjen e partive tradicionale franceze. Edhe pesë vjet më vonë, as konservatorët tradicionalë dhe as ish-socialistët nuk e kanë marrë veten nga goditja për vdekje. Në raundin e parë, të gjithë ata dolën me rezultate njëshifrore, dhe nuk dhanë gjë tjetër veçse një rezervuar votash për raundin e 2-të.
Ndërkohë, artistët, sindikalistët dhe ish-presidentët, Francois Hollande dhe Nicolas Sarkozy, i kanë bërë thirrje elektoratit të tyre që të votojnë për Emmanuel Macron. Por ata nuk kanë legjione politike nga pas.
I vetmi rezervuar i votave që ia vlen të merret në konsideratë, me afro 22 për qind, është ai i votuesve të të majtit të vjetër Jean-Luc Mélenchon, i cili pothuajse arriti të zmbrapste Le Pen-in nga vendi i dytë. Por këta mbështetës të socializmit, si dikur në RDGJ, e kanë veçanërisht të vështirë të vendosin mes Macron dhe Le Pen në balotazh.

Frankreich | Studentenproteste in Paris
Studentët në Sorbonne janë kundër Macron-it dhe kundër Le Pen-itFotografi: picture alliance / abaca
Marine Le Pen  duke shtrënguar dorën me presidentin rus Vladimir Putin, në Kremlin 2017
Marrëdhënia e saj me Rusinë është një nga dobësitë më të mëdha të Le PenFotografi: Mikhail Klimentyev/AP/picture alliance
Fushata elektorale në Francë | Marine Le Pen
Në fushatën zgjedhore Marine Le Pen kishte dëgjuar pa u lodhur shqetësimet e qytetarëveFotografi: Christophe Simon/AFP

Në mbrëmjen e zgjedhjeve, Mélenchon kishte bërë thirrje që në balotazh të "mos i jepej asnjë votë të djathtës". Por ai nuk tha se kujt t'i jepej vota dhe mbështetësit e tij janë në dilemë: Sipas sondazheve të fundit, vetëm 33 për qind e tyre donin të votonin për Macron-in, shumica do të abstenonte. Christophe Castaner, kreu i grupit parlamentar të Macron, i paralajmëroi të pavendosurit: "Të mos bësh zgjedhje është si të luash ruletë ruse".

Emmanuel Macron në miting elektoral në Marseille
Macron ka nevojë për çdo votë për të mundur Le Penin në balotazhFotografi: Laurent Cipriani/AP Photo/picture alliance

Si Marine Le Pen ashtu edhe Emmanuel Macron po luftojnë për të njëjtin grup votuesish, thotë Ariane Bogain: "Macron ka bërë një lëvizje të qartë nga e majta, kjo ishte e zgjuar sepse konservatorët dolën shumë keq". Kjo mund të shihet qartë në reformën e pensioneve apo politikën mjedisore. "Por faktori vendimtar do të jetë numri i jovotuesve dhe i abstenimeve. Dhe jo vetëm sasia e tyre, por edhe cilësia e tyre."

A mundet Macron të rishikojë idenë e vjetër të kordonit sanitar, i cili dikur përjashtonte ekstremistët e krahut të djathtë nga qeveria? A mund të mbledhë ai mjaft votues të krahut të majtë, që megjithëse të pakënaqur, sërish ta vënë kryqin te Macroni? Këto janë pyetjet që do të vendosin për rezultatin e zgjedhjeve të së dielës.

Për Evropën dhe NATO-n, Le Pen përbën kërcënim

Vetëm kur shikon përtej pjesës socio-politike të projektit të Marine Le Pen, thelbin e vërtetë të programit të partisë së saj, Rassemblement National, bëhet e qartë, se pas fasadës së moderuar qëndrojnë akoma planet ekstremiste djathtiste, ose së pak u plane populiste djathtiste. Zgjedhja e saj mund t'i sjellë Evropës goditjen vdekjeprurëse: Nga politika ekonomike, te migrimi e deri te njohja e ligjit të BE-së, qëndrimet e saj janë diametralisht të kundërta me BE-në ekzistuese. Planet e saj devijojnë aq shumë nga konsensusi aktual, saqë Franca, si vendi i dytë më i madh anëtar, mund të shpërbënte Bashkimin Evropian.

Politika e përbashkët ndaj Rusisë dhe Ukrainës gjithashtu do të merrte fund shpejt. Dhe pasojat ushtarake për të ardhmen e NATO-s do të ishin dramatike - Franca është e vetmja fuqi ushtarake e besueshme në Evropë. Në debatin e së mërkurës, Le Pen tha se nuk ishte kundër Evropës, por se donte një Evropë të ndryshuar. “Evropa është si një shtëpi në pronësi të përbashkët”, u përgjigj Macron. "Atë nuk mund ta ndryshojë një shtet i vetëm".

Të dielën votuesit e Francës duhet të bëjnë zgjedhjen:Nga njëra anë është Macron, një politikan i moderuar reformist, i cili, pavarësisht rrethanave të vështira, mund të dëshmojë një bilanc jo të keq në përfundim të mandatit të tij të parë. Por që ka një pikë të dobët që nuk e heq dot lehtë: namin e të qenit arrogant, dhe të qenit larg qytetarëve. Përballë tij është një politikane pa pikë përvoje në qeverisje, e cila dëshiron ta udhëheqë Francën në një rrugë të pashkelur drejt izolimit nacionalist, pasojat e të cilit janë të pallogaritshme. "Faites vos jeux" - "Luani lojën tuaj", thotë kruperi në ruletën e kazinosë në raste të tilla.