1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Francë: Më shumë siguri me dëbimin e radikalëve të dyshuar?

Andreas Noll
5 Korrik 2021

Franca ka riatdhesuar më shumë se gjysmën e njerëzve që i përcaktoi si islamikë radikalë, që jetojnë në vend pa leje qëndrimi që nga viti 2018. Tani ajo dëshiron të zgjasë dënimin dhe të dëbojë edhe më shumë persona.

https://p.dw.com/p/3w1RI
Frankreich Abschiebung von Asylsuchenden
Fotografi: picture-alliance/NurPhoto/J. Mattia

Kur Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin mblodhi prefektët rajonalë të vendit në qershor, mesazhi i tij ishte i qartë. Autoritetet në rajonet e Francës u desh të ndërmarrin veprime të shpejta dhe vendimtare kundër të huajve që kryejnë krime. Lejet e qëndrimit duhet të rishikohen dhe më shumë shkelës të ligjit duhet të dëbohen nëse kanë kryer krime, veçanërisht të rënda, të tilla si vrasje të shkallës së dytë, trafik droge dhe përdhunim.

Edhe nëse nuk dëbohen menjëherë, ata që kanë kryer një vepër penale në Francë marrin një letër që u tregon atyre se çfarë pret shteti prej tyre. "Çdo vit, Republika Franceze merr njerëz nga vende të tjera. Një nga kushtet për këtë është respektimi me përpikmëri i rregullave dhe ligjeve që rregullojnë rendin në territorin e vendit," citon gazeta Le Journal du Dimanche nga një model i letrës, shkresës zyrtare, që mbyllet me një paralajmërim: "Çdo krim i mëtejshëm do të çojë në një rishikim të statusit tuaj të qëndrimit, i cili mund të rezultojë që juve t'ju kërkohet largimi nga Franca".

Paralelisht me këtë iniciativë, qeveria gjithashtu komunikoi shifra të reja mbi dëbimet. Ka rreth 23,000 emra në Listën e Vëzhgimit të Francës për Parandalimin e Radikalizimit Terrorist (FSPRT). Nga 1,115 persona të regjistruar, statusi i qëndrimit i të cilëve ishte i parregullt, statistikat tregojnë se 601 të huaj u dëbuan përsëri në vendet e tyre gjatë tre viteve të fundit, domethënë më shumë se gjysma. Nga 514 "terroristë potencialë" të mbetur, një numër i madh aktualisht po vuan dënime me burg ose ndodhen në paraburgim në pritje të dëbimit. 

Frankreich | tötliche Messerattacke auf Polizistin in Rambouillet | Castex und Darmanin
Kryeministri Jean Castes dhe ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin flasin me shtypin pas sulmit vdekjeprurës të një tuniziani ndaj policeje, 23 prill 2021Fotografi: Bertrand Guay/AFP/Getty Images

Profili i keqbërësit ka ndryshuar

Më shumë se 250 vetë janë vrarë në sulmet terroriste në Francë vitet e fundit. Qeveritë rajonale të bindjeve të ndryshme politike janë përgjigjur duke aplikuar ligje më të ashpra. Por çështja e dëbimit është bërë më e diskutueshme, pjesërisht sepse profili standard i një atentatori të tillë ka ndryshuar.

"Kohët e fundit, autorët e krimit nuk janë më shtetas francezë që janë rritur në Francë dhe kanë shkuar në shkolla franceze. Për dy ose tre vjet tashmë, ata kanë më shumë të ngjarë të jenë shtetas të huaj, disa prej të cilëve kanë status ligjor në Francë - si azilkërkues, për shembull - ndërsa të tjerët janë në vend në mënyrë të parregullt," shpjegon Marc Hecker, një ekspert i terrorizmit dhe drejtor i kërkimit në Institutin Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare (IFRI) në Paris. Ai e shtjellon këtë zhvillim në librin e tij të ri, "La guerre de vingt ans" [Lufta e viteve njëzet].

Është një ndryshim që përbën sfida të mëdha për politikëbërësit. Shumë vende refuzojnë t'i pranojnë përsëri qytetarët që janë radikalizuar. Nëse ata bien dakord ta bëjnë këtë, jeta e të dëbuarve mund të jetë në rrezik në atdheun e tyre. Rasti i Djamel Beghal, i dënuar për terrorizëm në Francë më 2005 dhe i cili më vonë pretendohet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në radikalizimin e sulmuesve të Charlie Hebdo në Paris, tregon se si, në të kaluarën, grindjet për dëbimin mund të zgjasnin një kohë shumë të gjatë. Beghal, një shtetas algjerian, kishte mbërritur në Francë në 1987 në moshën 21 vjeç dhe kishte qenë në radarin e shërbimeve të sigurisë që nga vitet 1990. Edhe pse atij iu hoq shtetësia franceze më 2006, dëbimi i tij në Algjeri dështoi në atë kohë për arsye humanitare.

Vendet pritëse të mbingarkuara

Tek pala franceze aktualisht ka ndryshuar qartë influenca prej vlerësimeve të tilla, sepse ndonëse Franca ende nuk i dëbon njerëzit në zonat e luftës, lista e vendeve ku ata nuk dëbohen është bërë më e shkurtër gjatë viteve. Djamel Beghal u dëbua në Algjeri tre vjet më parë, menjëherë pas lirimit nga burgu.

Numri i riatdhesimeve në Algjeri, Tunizi dhe Marok u rrit ndjeshëm pas negociatave me vendet e Magrebit dhe kjo nga ana tjetër ka pasur një ndikim në situatën e sigurisë atje. Në vitet 2010, rreth 25,000 burra dhe gra vetëm nga Tunizia u përpoqën t'i bashkohen luftës civile në Siri. Rreth 4500 ja dolën dhe shumë prej tyre janë kthyer prej kohësh, gjë që përbën një sfidë të madhe për agjencitë e sigurisë në atdheun e tyre. Eksperti i terrorizmit Marc Hecker komenton se "dërgimi i njerëzve të radikalizuar në vendet që nuk kanë të njëjtat aftësi vëzhgimi si Franca rrit natyrshëm problemin për ato vende".

Sidoqoftë, dëbimet edhe pse mbështeten nga opozita politike e Francës, burimet e shtetit francez janë të kufizuara. "Baza e të dhënave FSPRT e individëve të radikalizuar aktualisht përfshin rreth 23,000 njerëz, nga të cilët rreth 8,000 konsiderohen si aktivë," thotë Hecker. "Kjo është shumë për një vend si Franca. Është gjithashtu e qartë nga numri i sulmeve në muajt dhe vitet e fundit që shërbimet e inteligjencës nuk janë të pagabueshme."

Trauer nach Anschlag auf Charlie Hebdo - Solidaritätsveranstaltung in Berlin
Pikëllim në Francë pas atentatit ndaj revistës satirike, Charlie Hebdo, 07.01.2015Fotografi: picture-alliance/dpa/B. von Jutrczenka

Lehtësimi i barrës ndaj agjencive të sigurisë

Nuk është vetëm numri i madh i njerëzve në listën e "terroristëve të mundshëm" që po shtrijnë sistemin e mbikëqyrjes franceze deri në kufi. Ekspertët gjithashtu shqetësohen se autorët e sulmeve më të fundit nuk ishin aspak në radarin e shërbimeve të inteligjencës. Abdoulakh A. i lindur në Çeçeni ishte i panjohur për ta para se të vriste mësuesin e historisë Samuel Paty në tetor 2020, ashtu siç ishte vrasësi tunizian që vrau tre persona në një kishë në Nicë pak kohë më pas. Marc Hecker shpjegon se sulmuesi i Nicës "ishte në Francë në mënyrë të parregullt dhe kishte hyrë në vend pak kohë më parë. Në fakt, ai arriti në Evropë nga Tunizia vetëm një muaj para sulmit." Një sulmues tjetër tunizian, një 36-vjeçar që goditi me thikë dhe vrau një punonjës administrativ të policisë në një rajon policie në Rambuje prillin e kaluar, ishte gjithashtu më parë i panjohur për autoritetet.

Mbetet të shihet, nëse dëbimet do të ndikojnë në një përmirësim të qëndrueshëm të situatës së tensionuar të sigurisë në Francë. Ato duhet të paktën të lehtësojnë barrën e autoriteteve në një periudhë afatshkurtër. Hecker beson, se detyrimet e regjistrimit dhesistemi i informacionit Shengen do ta bëjnë të vështirë për të dëbuarit të kthehen të pazbuluar përmes Mesdheut në Francë. Sidoqoftë, ka ende pyetje që duhen adresuar. "Franca aktualisht po zhvillon një diskutim nëse po ndryshon profili i atentatorëve. Nëse është kështu, a është ky ndryshim vetëm i përkohshëm, sepse i gjithë 'brezi i vjetër' i terroristëve vendas janë aktualisht në burg dhe përfundimisht do të lirohen, apo kjo reflekton një tendencë më të qndrueshme?" pyet ai.