Francën e pret një krizë politike me mocionin e votëbesimit
3 Dhjetor 2024Asambleja Kombëtare do të votojë të mërkurën për dy mocionet e mosbesimit që janë dorëzuar, u tha të martën në qarqet parlamentare. Meqenëse partia e djathtë populiste Tubimi Kombëtar (RN) ka deklaruar se do të votojë për mocionin e opozitës së majtë, rënia e qeverisë duket e sigurt. Kryeministri Michel Barnier pritet t'i drejtohet vendit në një fjalim televiziv të martën në mbrëmje në orën 20:00.
Kryeministri francez Barnier premtoi të hënën se do t'ia imponojë buxhetin e parlamentit kombëtar, hap ndaj të cilit opozita do të paraqesë një mocion votëbesimi kundër qeverisë së tij të pakicës. Barnieri tha se do të përdorte nenin 49.3 të Kushtetutës franceze për të kaluar buxhetin pa votim pas dështimit për të siguruar mbështetje nga opozita e ekstremit të djathtë me një lëshim të minutës së fundit.
Barnier i tha asamblesë se "Franca ka nevojë për një buxhet" për vitin 2025 - me shumë pak kohë tani në dispozicion - dhe u kërkoi deputetëve të mos mbështesin votimin e mundshëm pasues kundër qeverisë së tij.
"Jemi në një moment të së vërtetës”, deklaroi Barnieri, duke e lënë në duart e deputetëve fatin e qeverisë së tij. "Francezët nuk do të na e falin që kemi vënë interesat e individëve përpara të ardhmes së vendit".
Le Pen deklaron se RN do të paraqesë një mocion votëbesimi si përgjigje
Partia Mitingu Kombëtar (RN) e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen-it dhe blloku i krahut të majtë i udhëhequr më parë nga Jean-Luc Mélenchon e kishin paralajmëruar tashmë Barnierin se do të paraqesnin një mocion votëbesimi kundër qeverisë së tij në këtë rast.
Presidentja e RN, Marine Le Pen, deklaroi më pas se Barnieri "nuk tregoi dëshirë t'i përgjigjej kërkesës së 11 milionë votuesve të Mitingut Kombëtar”.
"Ai tha se të gjithë do të marrin përgjegjësitë e veta, kështu që ne do të marrim përgjegjësitë tona”, tha Le Pen. "Ne po bëjmë një mocion censurimi dhe do të votojmë për të censuruar qeverinë.”
Mathilde Panot, e grupit parlamentar La France Insoumise (LFI), grupi i dytë parlamentar pas RN, deklaroi gjithashtu se partia e saj do të kërkonte të rrëzonte qeverinë Barnier "përballë këtij mohimi të demokracisë".
"Ne po jetojmë në kaos politik për shkak të qeverisë së Michel Barnierit dhe presidencës së Emmanuel Macron-it”, tha Panot.
Qeveria e pakicës e varur nga mbështetja e opozitës
Michel Barnier dhe qeveria e tij u emëruan në shtator, pas zgjedhjeve të parakohshme të verës që dobësuan pozitën e aleancës së presidentit Emmanuel Macron në parlament.
Veterani i politikës franceze i ka mbijetuar tashmë një mocioni votëbesimi në tetor.
Macron kishte thirrur votimin e parakohshëm për muajin korrik pas rezultateve të mira të RN dhe LFI në zgjedhjet evropiane të këtij viti.
Lëvizja u pa si një lëvizje pokeri, e cila në fund dështoi, duke forcuar secilin nga dy kampet në Asamblenë Kombëtare, ndërsa reduktoi numrin e deputetëve në aleancën e Macronit.
Qeverisë së Barnierit i mungojnë pothuajse 80 mandate për të pasur një shumicë ku nuk do t'i duhej ndihmë e jashtme.
Përpjekja e kryeministrit për të ulur shpenzimet nuk është e lehtë
Kryeministri, i cili vjen nga partia tradicionale e qendrës së djathtë të Francës, UMP, aleate me bllokun e Macronit në qeveri, kishte këmbëngulur që Franca duhet të zvogëlojë borxhin kombëtar me afro 3300 miliardë euro (afërsisht 3.4 miliardë dollarë) në buxhetin e vitit 2025 .
Si rezultat, ai e pa veten duke kërkuar mbështetje shtesë para së gjithash nga RN, me ndërsa LFI dukej më pak e prirur për të mbështetur planet e tij.
Mathilde Panot, nga LFI, e akuzoi Barnierin për ofrimin e koncesioneve "të pandershme" për RN-në si pjesë e këtij procesi.
Investitorët kanë ushtruar presion mbi qeverinë franceze në tregje, pasi kostot e Francës për të marrë hua përmes bondeve arritën të hënën në të njëjtat nivele me ato të Greqisë, e konsideruar prej kohësh një nga anëtaret më borxhlesha të eurozonës
Çfarë do të ndodhë më pas?
Opozita ka 24 orë kohë për të paraqitur mocionin e mosbesimit, siç ishte paralajmëruar. Votimi pritet të bëhet të mërkurën pasdite.
Asnjë qeveri franceze nuk është rrëzuar në këtë mënyrë që nga viti 1962, por mjafton
që opozita e djathtë dhe opozita e majtë të votonin në unison për të rrëzuar qeverinë Barnier vetëm pak muaj pas marrjes së detyrës.
aud (AFP, dpa, rtr,dw)