1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Frika nga një luftë e padëshiruar

Shabnam von Hein
21 Maj 2019

Presidenti amerikan, Trump e kërcënon Iranin me asgjësim. Njerëzit në Iran kanë frikë nga shpërthimi i një lufte aksidentalisht.

https://p.dw.com/p/3Iox6
US-Präsident Donald Trump
Fotografi: AFP/B. Smialowski

Atmosfera është aq e ndezur, saqë mjafton një shkëndijë që të shpërtheje një luftë e re në Lindjen e Afërt. Të dielën presidenti amerikan përmes twitterit e kërcënoi Iranin me shkatërrim. Pak orë më parë të panjohur kishin hedhur një raketë katjusha në zonën shumë të siguruar e të njohur si "zona e gjelbër" në Bagdad. Askush nuk u lëndua.

Megjithëse nuk dihej, kush e kreu këtë akt e cili ishte qëllimi i raketës, presidenti Trump e ashpërsoi edhe më shumë retorikën. "Nëse Irani do të luftojë, ky do të jetë fundi zyrtar i Iranit. Mos e kërcënoni kurrë më SHBA."

Sarif hedh poshtë kërcënimin e Trumpit

Mohammad Javad Zarif iranischer Außenminister
Ministri i Jashtëm iranian, Mohamed SarifFotografi: Reuters/C. Allegri

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohamed Dzhavad Sarif e hodhi poshtë kërcënimin e Trumpit. Po përmes twitterit ai u shpreh të hënën, se aludimet e Trumpit për "gjenocid" dhe "përbuzjet" nuk do të thonë "fund i Iranit". Sarif akuzoi këshilltarin e sigurisë të presidentit amerikan, John Bolton se së bashku me princin trashëgimtar, Mohamed bin Salman dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, duan ta fusin SHBA në luftë me Iranin.

"Situata është tejet e tensionuar. Dhe mund ta mendoj shumë mirë, se kjo është kuptuar tek të gjitha qarqet e pushtetit", thotë në një bisedë telefonike me DW, Fatemeh Govaraie nga Teherani, anëtare e Këshillit të aktivistëve fetarë-nacionalistë të Iranit. "Marrëdhënia mes Iranit dhe SHBA është e tensionuar prej 40 vitesh. Por tani në pushtet në SHBA është një president, veprimet e të cilit janë të paparashikueshme. Probabiliteti që Irani ta provokojë SHBA në këtë situatë nuk është shumë i madh."

Askush në Iran nuk do luftë

Irani i ka mundësitë t'i hapë telashe si SHBA ashtu edhe aleatëve në Lindjen e Afërt. Në Irak për shembull janë aktivë shumë milicë shiitë, që kontrollohen nga gardat e revolucionit të Iranit. Nga ana tjetër Govareie është e sigurtë. "Askush tani në Teheran nuk e do një luftë me SHBA." "Ne nuk e dimë, se çfarë flitet pas dyerve të mbyllura, por gjuha zyrtare është e qartë."

Edhe Husein Salami, kreu i gardave të revolucionit deklaroi, se Irani nuk synon një luftë në rajon. Në të njëjtën kohë ai përdori tone luftarake. "Dallimi mes atyre (SHBA) dhe neve është, se ata kanë frikë nga një luftë dhe nuk e kanë vullnetin për këtë", deklaroi gjeneral Salami për agjencinë Fars.

Deklarata e tij erdhi pasi rebelët Huthi në Jemen, që mbështeten nga gardat e revolucionit në Iran deklaruan, se kishin sulmuar me drone disa vende transportimi të naftës në Arabinë Saudite. Në të shkuarën, rebelët Huthi kanë sulmuar disa herë mbretërinë saudite, me gjasë me raketa iraniane- E paqartë është, nëse ata kanë vepruar me porosi të Iranit. Ajo që është e qartë për të gjithë është, se çdo incident në Gjirin Persik mes Arabisë Saudite dhe Iranit rrezikon të shkallëzojë më tej konfliktin.

Arpad Soltesz | slowakischer Journalist
Husein SalamiFotografi: Tasnim

Krizë pa rrugëdalje?

Ministri i Jashtëm i Iranit, Sarif akuzon disa vende në rajon, se kanë interes për luftë. Kurse qëndrimin e qeverisë në Uashington, para katër ditësh gjatë një vizite në Tokio ai e përshkroi si "të papranueshme." Sipas tij, vendi i tij ndjehet ende i lidhur me marrëveshjen atomike dhe ushtron "vetëpërmbajtje maksimale".

Në bisedë me Deutsche Wellen, Abas Abadi, ish-okupues i ambasadës amerikane, më vonë kritik i regjimit, nga Teherani thotë, se "ajo që e keqëson situatën është prania e njerëzve si John Bolton, që prej vitesh e kërkojnë një luftë me Iranin." Për të nuk ka rrugëdalje nga kriza. "Në këto kushte nuk ka kuptim të negociosh me SHBA. Nuk ka ndonjë temë për dialog. Presidenti Trump kërkon të negociojë me Iranin për një marrëveshje, që u nënshkrua nga bashkësia ndërkombëtare. Por pa pjesëmarrjen e partnerëve të tjerë të marrëveshjes, të ashtuquajturit 5+1 Irani dhe SHBA nuk do të gjejnë ndonjë zgjidhje. Dhe rreziku i një lufte të re rritet."