Frikë prej një gare të re armatimi?
2 Dhjetor 2017Në fund të viteve 70-të e në fillim të viteve 80-të bëhej fjalë për "ekuilibrin e tmerrit". Asokohe Bashkimi Sovjetik dhe SHBA-ja zhvillonin një garë të pashembullt në histori armatimesh. Raketat me rreze të mesme veprimi të tipit "SS 20" nganjëra anë dhe "Pershing II" nga ana tjetër ishin kthyer në metaforat e konfliktit Lindje-Perëndim. Frika nga një luftë bërthamore ishte reale. Në Gjermani u krijua një lëvizje e re për paqen. Protesta e saj ishte në fakt e pasukses, sepse Bundestagu në fund të vitit 1983 vendosi që të dislokohen raketat me rreze të mesme veprimi në territorin e RFGJ-së.
Asokohe askush nuk e imagjinonte si të mundshme, që pak vite më vonë do të mund të arrihej "marrëveshja e parë e çarmatimit pas 1045". Kështu u shpreh Bernd Greiner, drejtues i Kolegjit të Berlinit për Luftën e Ftohtë, në konferencën mbi Marrëveshjen INF (Intermediate Range Nuclear Forces Treaty) vendosur 30 vjet më parë mes Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së.
Marrëveshja INF ndodhet mbi baza të lëkundura
Parë në retrospektivë shtrohet pyetja, se "si ka qenë e mundur që të ratifikohej një marrëveshje e tillë". Përgjigje për këtë në sfondin e "aktualitetit të politikës së ditës" mundohen të japin pjesëmarrësit në konferecën që vazhdon deri të shtunën (02.12) në Berlin. Shpejt shtrohet në diskutim problemi i Koresë së Veriut dhe vazhdimi i provave me raketat bërthamore që kryen regjimi nën Kim Jong Un. Megjithatë eksperti Greiner dhe të tjerë pjesëmarrës i referohen vazhdimisht çështjes, se si qe e mundur të vendosej marrëveshja INF para 30 vjetësh.
Rusia si trashëgimtare e Bashkimit Sovjetik duket se sot ka pak interes që ta zgjasë afatin e kësaj marrëveshjeje historike. Arsyeja është: dislokimi i raketave me rreze të mesme veprimi në Kinë, Indi dhe në Pakistan. Edhe nga pala e SHBA-së ka "mendime të ngjashme" për t'u shkëputur nga marrëveshja INF. Në një sfond të tillë Greiner shpreh shqetësim lidhur me politikën globale të sigurisë, "sepse debati për rrezikimin e marrëveshjes nuk ka arritur në nivelin ku do të duhej të ishte".
Nevoja për një politikë shtensionimi
Por që bota ndodhet vërtetë para një gare të re armatimi këtë e vë në pikëpyetje Susanne Baumann. Ajo është zëvendësja e së ngarkuarës së qeverisë për çështjet e çarmatimit dhe kontrollit të armatimeve. Megjithatë disa shtete i kushtojnë një rëndësi krejt të re armëve bërthamore. Korenë e Veriut Baumann e konsideron si "shembullin më të spikatur, se si një shtet përpiqet që të sigurojë vendin e vet në botë përmes zhvillimit të armëve bërthamore". Ajo thotë, se situata e sigurisë në Europë "ka ndryshuar në masë me aneksimin e Krimesë".
Armët atomike vitet e fundit kanë fituar peshë në retorikën ruse. Por ekspertja ka dyshim nëse "mund të bëhet fjalë vërtetë për një 'renukelarizim'. Ndërsa Otfried Nassauer nga Qendra e Informacionit për Sigurinë Transatlantike në Berlin është më skeptik. Ai druan, se mund të ketë një diskutim për armë atomike në Europë. Si dëshmi për këtë ai përmend programin e SHBA-së për modernimzimin e armëve të tilla. Otfried Nassauer i cilëson marrëdhëniet aktuale ruso-amerikane si një "raport klasik i një lufte të ftohtë". Ai rekomandon si zgjidhje thelbin e idesë së politikës socialdemokrate të shtensionimit që u aplikua në kohën e Luftës së Ftohtë kur Gjermania ishte e ndarë: "Përpara se të kritikojmë tjetrin, duhet të vihemi njëherë vet në pozitën e tij."