Fuqia rezatuese e vlerave të Evropës
28 Qershor 2014Demokracia, mirëqenia dhe paqja - këto janë vlerat e Bashkimi Evropian, edhe në qoftë se ai tronditet herë pas here nga kriza financiare dhe grindjet politike. Askund tjetër sa në Ukrainë BE-ja nuk ka një sot fuqi rrezatuese kaq të madhe. Atx presidenti rus Vladimir Putin po përpiqet që në mënyrë neo-imperialiste të përcaktojë sferat gjeostrategjike të influencës. Ai nuk ngurron të përdorë madje as forcën ushtarake dhe pikërisht me këtë i çon fqinjët e Rusisë në krahët e BE-së.
Për një kohë të gjatë BE-ja dukej vërtet e pavendosur ndaj vendeve të tilla si Ukraina, apo Gjeorgjia dhe Moldavia. Mbi të gjitha BE-ja ende nuk formuluar ndonjë perspektivë pranimi për këto vende. Por nën presionin e aneksimit të Krimesë dhe të mbështetjes ruse për separatizmin në Ukrainën lindore, Brukseli nënshkroi tani me këto tri republika ish-sovjetike marrëveshje të gjera asociimi dhe të tregtisë së lirë. Sjellja e Rusisë po shkakton në BE një unitet politik që mund ta ndryshojë Evropën.
BE-ja ofron mbështetje
Ndërsa Moska kërcënon dhe frikëson BE-ja vepron në mënyrë të përgjegjshme. Provokimeve ruse ajo iu përgjigj me sanksione dhe nuk i përjashton masat e tjera ndëshkuese. Kurse Gjeorgjisë, Moldavisë dhe Ukrainës u jep mbështetje politike dhe ekonomike. Këto vende duan të përvetësojnë standardet evropiane dhe për këtë u duhet të çojnë përpara reformat. Kjo nuk do të jetë e lehtë, për shkak se këto shtete kanë nevojë të madhe për reforma dhe janë politikisht dhe ekonomikisht jo të qëndrueshme.
Edhe vetëm për këtë arsye Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina janë partnerë të vështirë. Brukseli duhet t'u zgjasë atyre masivisht dorën e ndihmës politike dhe financiare. Megjithatë problemet e tyre strukturore këto vende duhet t'i zgjidhin vetë. BE-ja vetëm mund të ndihmojë. Siguria ligjore, antikorrupsioni dhe modernizimi ekonomik janë të rëndësishme, në mënyrë që këto vende të arrijnë një nivel europian. Vetëm atëherë mund të ketë suksese ekonomike, prej të cilave mund të përfitojnë të gjitha palët.
Vlera demokratike në vend të sundimtarëve autoritarë
Marrëdhëniet me Rusinë do të mbeten të tensionuara. Presidenti Putin deri tani ka bërë çdo përpjekje për t'i penguar Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën në rrugën për në Evropë. Me Bashkimin re tij Euroaziatik, Putini po provon një kundër-projekt politik ndaj BE-së. Ai dëshiron që shtete autoritare si Bjellorusia dhe Kazakistani lidhë si një rrip përreth Rusisë për të mbrojtur sistemin e tij të sundimit prej lirisë dhe demokracisë nga Evropa. Ky model nuk është tërheqës as politikisht dhe as ekonomikisht. Por Moska krijon kështu kontradikta politike dhe ideologjike që më shumë se 20 vjet pas konfliktit Lindje-Perëndim mund ta ndajnë Evropën përsëri në dy kampe.
Ashtu si Gjeorgjia dhe Moldavia, edhe Ukraina i ka rezistuar presionit nga Moska. Njerëzit duan demokracinë dhe mirëqenien dhe në të njëjtën kohë fundin e dominimit nga ana e Moskës. Fakti se ata rrezikojnë të paguajnë një çmim shumë të lartë për këtë, është një vendim i guximshëm. Për shkak se ata paguajnë një çmim të lartë për afrimin me Europën. Konflikti në Ukrainën lindore i drejtuar nga Moska kërcënon unitetin e vendit. Probleme të ngjashme kanë prej kohësh me rajonet separatiste të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut Gjeorgjia dhe Moldavia me Transnistrinë dhe Gagauzinë.
Në të gjitha këto vende, Kremlini mbështet separatizmin. Ai u vë atyre pengesa në rrugën drejt së ardhmes. Partnerët e rinj të asociuar të Evropës e kanë të vështirë që të shpëtojnë prej rrethimit rus. Por BE-ja do t'i mbështesë ata. Europa mbron kështu demokracinë e saj, miqëqenien dhe paqen.