1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fushatë frikësimi ndaj refugjatëve në Danimarkë

Christoph Hasselbach7 Gusht 2015

Partia qeverisëse daneze Venstre planifikon një fushatë frikësimi në gazetat e huaja me qëllim për të mbajtur larg refugjatët nga Danimarka. Deputeti danez Marcus Knuth e mbron idenë e partisë së tij.

https://p.dw.com/p/1GBVV
Dänemark Kopenhagen Flüchtlings- und Asylpolitik
Fotografi: DW/A. Stahl

Qeveria në Kopenhagen synon t'i trembë që më parë refugjatët që duan të hyjnë në Danimarkë përmes një fushate frikësimi në mediat e huaja. Marcus Knuth deputeti i partisë qeverisëse Venstre i mbron planet e qeverisë në bisedë me Deutsche Welle-n. Ai thekson se synimi është t'u dërgojmë një mesazh të qartë kontrabandistëve që e dinë me sa duket mjaft mirë, se cilat qeveri në Europë paguajnë ndihmën sociale më të mirë. "Qëkur ka ardhur në pushtet qeveria liberale ne i kemi shkurtuar asistencat për emigrantët për të zbutur presionin nga emigrantët para të cilit ndodhet Danimarka", thotë Knuth. Sipas të dhënave nga 10849 krone (1454 euro) që merr një azilkërkues tani, nga shtatori asistenca e tij do të jetë vetëm 5945 krone, pra gati gjysma shumës së deritanishme.

Knuth i mbron planet e qeverisë. Në takimet me Agjencinë Europiane të Mbrojtjes së Kufijve, Frontex, thotë deputeti danez, kemi vënë re se shumë azilantë vijnë për shkak të asistencës së lartë sociale tek ne. Prandaj qeveria daneze i ka reduktuar ndihmat në nivelin e ndihmës për një student, që është menduar si mininum jetese, edhe po qe se azilkërkuesit janë me fëmijë.

Dänemark Marcus Knuth Parlamentarier
Deputeti Marcus KnuthFotografi: Steen Brogaard/Dänisches Parlament

Kritikët e qeverisë liberale thonë se Danimarka si pjesë e Europës nuk mund t'i ikë përgjegjësisë për të marrë në mbrojtje njerëzit që kanë nevojë për ndihmë. Por deputeti danez Marcus Knuth u kundërpërgjigjet këtyrë zërave duke theksuar se Danimarka është në frontin e parë të ndihmës për refugjatët që vijnë nga Siria e rajonet përreth. Programi danez i ndihmës është shumë i zgjeruar krahasuar me programet e vendeve të tjera europiane, shprehet Marcus Knuth në bisedë me Deutsche Welle-n.

Një ide tjetër frikësimi për emigrantët vjen nga partia populiste e djathtë, "Partia Popullore Daneze" e cila i ka propozuar qeverisë të prodhojë një video, ashtu si qeveria australiane, ku thuhet se kush vjen ilegalisht në këtë vend, ai nuk do kishte kurrë asnjë shans të vetëm të strehohej në Australi. Deputeti danez Marcus Knuth e kundërshton idenë e hedhur nga djathtistët danezë, duke theksuar se fushata e partisë liberale kërkon të bazohet në fakte. "Ne nuk duam të krijojmë panik si në fushatën australiane. Ne duam thjesht me këto shifra t'u bëjmë të ditur njerëzve se Danimarka i ka përgjysmuar ndihmat sociale. Sepse ne mendojmë se është e padrejtë që Danimarka merr për shembull 7.000 refugjatë nga Siria, ndërsa Finlanda vetëm 150 vetë."

Dänemark Kopenhagen Flüchtlings- und Asylpolitik
Fotografi: DW/A. Stahl

Sipas Marcus Knuth Danimarka ka arritur në kufijtë e kapaciteteve të pranimit. Kryetarët e bashkive daneze ankohen se nuk kanë më shkolla apo qendra mjekësore të lira, ku mund të strehojnë refugjatët. Disa komuna kanë filluar me ndërtimin e fshatrave të rinj ekstra për refugjatët. Sipas deputetit liberal danez një gjë e tillë i rëndon së tepërmi financiarisht komunat.

Si masë tjetër për të penguar dyndjen e refugjatëve danezë, qeveria e re daneze ka rivendosur edhe kontrollet në kufirin me Gjermaninë. Por me sa duket frytet nuk janë ashtu si ishte pritur. Deputeti Marcus Knuth thekson se "përsa i përket kontrolleve në kufi nuk ka ndryshime dramatike, edhe megjithëse kjo diskutohet. Por interesante të thuhet është se që nga ulja e ndihmës sociale në korrik numri i azilantëve në vend ka rënë me një të tretën, sigurisht është herët të thuhet nëse kjo rënie lidhet vërtet me këto masa."