1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fëmijë të vetmuar në një vend të huaj

Martin Koch/Pandeli Pani24 Gusht 2013

Veçanërisht i rëndësishëm është kontakti personal me fëmijët dhe adoleshentët e traumatizuar rëndë nga përvojat në vendin e tyre apo nga arratia.

https://p.dw.com/p/19VP2
Fotografi: DW/M. Griebeler

Si të mitur ata gëzojnë trajtim të posaçëm, por kur mbushin moshën 18 vjeç nuk konsiderohen më si të mitur dhe në këtë moment nuk kanë më të drejtë të përfitojnë prej ndihmave dhe programeve speciale.

Tek shumë prej refugjatëve, data e lindjes nuk është e sigurt, sepse ata nuk paraqesin çertifikatë lindjeje. Shumica e tyre vijë sipas statistikave të Zyrës Federale për Migrim dhe Refugjatë, nga Afganistani, Somalia, Siria dhe Pakistani. Për ata që vijnë pa dokumente, mosha përcaktohet me përafërsi nga testet mjekësore, ndër të tjera nëpërmjet radiografisë së nofullës ose kockave të kyçit të dorës.

Zübeyde Duyar nga AK Azil në Bielefeld e quan këtë procedurë shumë të diskutueshme dhe thotë se "Edhe Shoqata Mjekësore nuk është dakord që mjekët të marrin pjesë në proces, për shkak se ky nuk i shërben as parandalimit as trajtimit të ndonjë sëmundje dhe se rrezet rëntgen mund të jenë edhe të rrezikshme. "

Zübeyde Duyar vom AK Asyl, Bielefeld.
Zübeyde Duyar, AK Asyl BielefeldFotografi: privat

Rezultati i pasaktë me efekte të gjata

Zübeyde Duyar vë gjithashtu në dukje se këto metoda janë shumë të pasakta. Rezultatet mund të ndryshojnë nga tre në gjashtë vjet. Dhe për shkak se autoritetet kanë interes që refugjatët të qëndrojnë sa më pak të jetë e mundur në strehimore me shërbime të posaçme për të rinj që janë shumë më të shtrenjta se të tjerat, rezultati në shumë raste është tashmë i qartë, thotë Zübeyde Duyar, avokate: "Një 17-vjeçar që nga fillimi s'ka ndonjë shans për ta njohur si të mitur. "

Kontakt personal

Që nga 1 qershor AK Azil në Bielefeld ofron një konsultim të veçantë për të miturit e pashoqëruar refugjatë. Stafi i shoqëron fëmijët dhe të rinjtë përmes procesit të sqarimit në të cilin përcaktohet nëse të rinjtë kanë të drejtë për përkujdesje të posaçme apo jo. Veçanërisht i rëndësishëm është kontakti personal me fëmijët dhe adoleshentët të cilët kanë qenë të traumatizuar rëndë nga përvojat në shtëpinë e tyre apo në arrati, thotë Zübeyde Duyar. Kështu fëmijë nga Afganistani tregojnë se i kishin rekrutuar me dhunë talebanët dhe donin t'i trajnonin si kamikazë .

Rruga e jashtëzakonshme bavareze

Një kujdes i tillë është punë shumë intensive, por ofrohet në mbarë Gjermaninë për të gjithë të miturit refugjatë. Vetëm autoritetet bavareze mbajë një qëndrim shumë të rreptë. Të miturit refugjatë të pashoqëruar klasifikohen në katër kategori. Në varësi të gjykimit të personave përgjegjës, disa 16 deri në 18-vjeçarë klasifikohen p.sh. në "nivelin 3" dhe humbasin të drejtën e shërbimeve dhe të përkujdesit për të rinj, ndërsa moshatarë të tyre që klasifikohen në "niveli 2" e gëzojnë të drejtëne përkujdesjes. Të rinjtë që nuk marrin trajtim të posaçëm përjetojnë shpesh shok për shkak të ndryshimeve kulturore mes vendeve nga vijnë dhe Gjermanisë, sqaron Ilona Christel që punon si kujdestare për të rinj refugjatë në Nyremberg.

Minderjährige Flüchtlinge in Deutschland FREI FÜR SOCIAL MEDIA
Të mitur refugjatëFotografi: picture-alliance/dpa

Burokracia si një frenë e motivimit

Andreas Meissner nga OJQ Evin në Berlin tregon se ka edhe pengesa masive burokratike. Shumë fëmijë dhe të rinjtë që kanë ardhur si refugjatë pa persona shoqërues në Gjermani duan të mësojnë ndonjë zanat apo me të arsimohen mirë dhe janë shumë të motivuar, thotë Andreas Meissner. Ata madje duan ndoshta edhe të kthehen në vendlindje në rast se përmirësohen kushtet e jetës. Por autoritetet dhe burokracia, problemi i statusit të qëndrimit, i ndihmave sociale etj ua presin vrullin të rinjve që kanë ardhur si refugjatë pa persona shoqërues në Gjermani, sqaron Andreas Meissner nga OJQ Evin në Berlin.

Histori suksesi

Po ka edhe histori suksesi, pra edhe fëmijë ish-refugjatë që kanë ardhur pa të holla dhe pa persona shoqërues Gjermani dhe megjithatë kanë qenë të suksesshëm, janë shkolluar, kanë studiuar apo kanë përfunduar shkolla profesionale. Dhe këta janë argumenti më i mirë për një shërbim edhe më të mirë, thotë Andreas Meissner: "Pa mbështetjen e punonjësve socialë, juristëve, mësueseve, mësuesve, kujdestarëve vullnetarë, klubeve sportive, ne nuk do t'ia kishim dalë mbanë thonë pothuajse të gjithë."

Unbegleitete Minderjährige Flüchtlinge UMF
Konsultim për të miturit e pashoqëruar refugjatëFotografi: picture-alliance/Peter Kneffel