1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fëmijët jetimë, të varfër dhe Krishtlindjet në Shqipëri

22 Dhjetor 2009

Festa e Krishtlindjeve edhe në Shqipëri si në gjithë botën sjell gëzim, shpresa dhe ëndra për një jetë më të mirë. Por për fëmijët jetimë të Shqipërisë koha sjell të tjera probleme të përballimit të sfidave.

https://p.dw.com/p/LAed
Fotografi: Bilderbox

Ervin Lelaj: e kam ëndërr arsimin

Ervin Lelaj është njëri prej atyre fëmijve jetimë, që fati nuk e ka përkëdhelur. Përkundrazi, dallgët e mëdha të jetës kanë rënë në supet e brishta të tij. Kur luante me lodrat në kopsht humb të atin, ushtarak, që ra në krye të detyrës, duke shpëtuar banorët nga depot e armatimit në vitin e mbrapshtë 1997.

"Unë kam qënë katër vjeç kur babai im ka humbur jetën në vitin 1997, në depot e Picarit. Jeta ime ka qënë me nënën time e me gjyshen."

Vitet kanë ikur njëri pas tjetrit dhe djaloshi i vogël, fëmijë i tretë në shtëpi u rrit sa tek gjyshja, tek nëna, herë ngrënë e herë pa ngrënë …

"E kam pasur ngrohtësinë e nënës në jetë, por nuk kam qënë si shokët e mi, që kishin dhe ngrohtësinë e babait të tyre. Më kanë munguar shumë gjëra."

Një lot fisnik i shket në faqe këtij djali të mbushur plot ëndra për jetën. Ai dëshiron të shkollohet, të bëhet mjek, pasi ky profesion shkon më afër humanizmit dhe gjithë dashurisë që ai ka për jetën. Por …

"Unë tani vazhdoj vitin e tretë. Unë e kam ëndërr arsimin, por e quaj të pamundur. Shkak janë kushtet e mia ekonomike, që janë shumë të varfra. Ëndra ime e vetme është të vete në universitet, por ana ime financiare nuk ma lejon këtë gjë. Megjithatë nëna punon natë e ditë e për këtë gjë e vlerësoj".

Telnis Skuqi: investo te vetja për të qënë pjesë e shoqërisë

Jeta njerëzore është e çuditshme, por për të fituar mbi fatin duhen sakrifica, fuqi morale e përballime të rënda. Telnis Skuqi është sot njëzet e pesë vjeçar. Gazetar i ATSH. Pak vite më parë ka qenë njëri nga fëmijët e shtëpisë së fëmijës në Sarandë. Telnisi kujton Krishtlindjet nëpër vite dhe pohon se ato kanë qënë të trishtuara e gazmore njëherësh. Të trishtuara, pasi nuk kishin ngrohtësinë e vatrës familjare, por gazmore, për shkak të lodrave e çapkënllëqeve. Jetimi Telnis Skuqi që nuk ka njohur kurrë prindërit e tij thotë

Fëmijë të klasës së parë në Brandenburg para biskotave për Krishtlindjet
Fëmijë të klasës së parë në Brandenburg para biskotave për KrishtlindjetFotografi: AP

"Nuk e kam për turp të them se vij nga shtëpia e fëmijës. Vij nga një institucion që më ka rritur, më ka arsimuar, më ka dhënë mundësi të jem ky që jam sot, gazetar i ATSH. Për të ardhur deri këtu kam sfiduar jetën, kam sfiduar hallet e mia, duke i thënë vetes stop, mjaft me ndihmën e shtetit, por investo për të qënë dhe ti pjesë integrale e shoqërisë".

Në rajonin e Gjirokastrës ka rreth 480 fëmijë jetimë e në nevojë, fëmijë të cilët jetojnë në kushte tejet të vështira të varfërisë ekstreme. Në këtë prag Krishtlindjesh, përgjegjësja e seksionit të përkrahjes sociale, Arta Shajko, thotë:

"Për të gjithë fëmijët që janë në nevojë, si fëmijët që janë me ndihmë ekonomike në nevojë si dhe për fëmijët jetimë, bashkia e Gjirokastrës për festat e fundvitit organizoi aktivitete, duke iu shpërndarë edhe nga një pako. Në zyrën tonë janë të evidentuar të gjithë fëmijët në nevojë e fëmijët jetimë. Fëmijët me status jetimi trajtohen në mënyrë të veçantë. "

Por a mjafton vetëm kaq ?

Histori të dhimbshme, të trishta ka me mijëra këtyre anëve të Shqipërisë. Ndoshta Krishtlindjet e këtij viti sjellin fat më të mirë edhe për këta fëmijë jetimë e të varfër. Ndoshta edhe atyre u del dielli i jetës që t'i ngrohë. Ndoshta…

Autor: Odise Kote/ Gjirokastër

Redaktoi. Auron Dodi