1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuse fëmijë

Juli Ristani12 Shtator 2013

Rastet e fëmijëve-nuse në Jemen vazhdojnë të tmerrojnë organizatat për të drejtat e njeriut dhe UNICEF-in.

https://p.dw.com/p/19geG
###ACHTUNG: Verwendung nur zu redaktionellen Zwecken und nur im Zusammenhang mit der Berichterstattung über die Preisvergabe "UNICEF-Foto des Jahres"### Ein Brautpaar sitzt in Afghanistan zusammen, der Bräutigam ist 40, die Braut mit elf Jahren noch ein Kind (Foto vom 11.09.2005). Die US-amerikanische Fotografin Stephanie Sinclair ist mit diesem Bild die Siegerin des internationalen Wettbewerbs "UNICEF-Foto des Jahres". Für den Wettbewerb reichten 142 von internationalen Experten vorgeschlagene Fotografen aus 31 Ländern insgesamt 1230 Bilder ein. Foto: Stephanie Sinclair dpa +++(c) dpa - Bildfunk+++
Fotografi: Stephanie Sinclair dpa

Viktimë e radhës është një 8-vjeçare nga provinca tribale e Hardhit. Lajmi është njoftuar fillimisht nga reporteri i pavarur vendas, Mohamed Radman, e më pas është konfirmuar edhe nga Qendra Jemenase e Mbrojtjes së Fëmijëve dhe UNICEF-i, ndërsa autoritetet lokale e mohojnë.
Sipas raportimit të Radmanit, 8-vjeçarja është shitur për 2 mijë euro nga njerku i saj, (pasi babai i kishte vdekur) tek një burrë saudit 40 vjeç. Pas natës së parë të martesës vajza gjeti vdekjen si pasojë e një hemoragjie të brendshme. Ajo që ka ngjallur zemërim tek një pjesë e opinionit vendas dhe tek organizatat ndërkombëtare të mbrojtjes së fëmijëve është fakti se autori është lënë i lirë dhe ndaj tij nuk është ngritur asnjë akuzë.

Fati tragjik i fëmijëve nuse

Fatin tragjik të 8-vjeçares e kanë patur edhe shumë minorene të tjera në Jemen, ndërsa pak muaj më parë ajo, që denoncoi “traditën” dhe që solli në qendër të vëmendjes martesat e tilla, ishte Nada al-Ahdal, 11-vjeçarja që u arratis nga shtëpia e saj për t'i shpëtuar martesës me një të moshuar.
“S'mund të jetoj më me ta. Dua të shkoj të jetoj me xhaxhain tim. Çfarë u bë me fëmijërinë time? Çfarë faji kanë fëmijët? Pse duhet të martohen në mënyrë të tillë ? Unë ia dola të zgjidh problemin tim, por shumë vajza të tjera s'mund t'i zgjidhin ato dhe rrezikojnë të vdesin, të kryejnë vetëvrasje. Ato janë thjesht fëmijë të pafajshëm që s'dinë asgjë. Nuk kanë kohë për të studiuar. Nuk është faji ynë dhe unë nuk jam rasti i vetëm. Kjo mund t'i ndodhë çdo vajze të vogël”, thotë ndër të tjera 11-vjeçarja në videon e postuar në Youtube, që tashmë ka arritur miliona klikime.

“Martesa me forcë nuk është kulturë, është abuzim”

“Martesa me forcë nuk është kulturë, është abuzim”, thotë Jasvinder Sangera, e cila ka 20 vjet, që punon për të tërhequr vëmendjen e publikut për çështjen e martesës me forcë dhe mbështetjen e viktimave të reja në moshë. Pranim kulturor nuk do të thotë të pranosh të papranueshmen, pohon Sangera.

Si drejtore ekzekutive e “Karma Nirvana”, një shoqatë britanike bamirësie, Sangera bën fushatë, që synon të ndërgjegjësojë shoqërinë për fenomenin e martesës me forcë. Organizata ndihmon të gjejnë një zgjidhje ato të cilat ndodhen nën presionin e familjes për t'u martuar kundër dëshirës së vet.E pyetur nga Deutsche Welle, se si u përfshi Sangera në këtë çështje, ajo iu përgjigj se ishte përvoja e saj personale. Kur isha 14 vjeç, mamaja ime më tregoi fotografinë e një burri. Ajo më tha se ai ishte njeriu me të cilin do të martohesha dhe se familja ime i kishte premtuar atij, që kur unë isha 8 vjeç. Unë kundërshtova dhe si rezultat më hoqën nga shkolla. Unë u arratisa nga shtëpia kur isha 16 vjeç dhe për pasojë familja më mohoi. Unë jam e mohuar prej 32 vjetësh. Por ngjarja fatale për të ishte rasti i të motrës, Robinës, të cilën familja e detyroi të martohej. Ajo nuk e duroi dot këtë gjë dhe vrau veten duke u djegur, tregon Sangera. Që nga ai moment unë dola prej nga fshihesha dhe vendosa të flas publikisht për përvojën time dhe të motrës sime. Sangera thotë se donte t'i tregonte botës për ato, që ndodhnin, megjithëse ajo kishte lindur në Britani. Doja që njerëzit të kuptonin se megjithëse je lindur në një demokraci, në një vend ku ke të drejtën e lirisë, arsimimit, dhe pavarësisë, ti je privuar.

Abuzime, që bëhen publike, vetëm kur ndodhin tragjedi

E pyetur nga Deutsche Welle se sa është numri i viktimave të këtij abuzimi, kryetarja e shoqatës britanke thotë se se është e vështirë, pasi është një abuzim i fshehtë. Viktimat nuk tregojnë nga frika e familjeve dhe nuk e dinë se ekzistojnë shërbime mbështetëse, si ky yni. Nëse i referohemi telefonatave, që na vijnë në numrin e shoqatës sonë, janë rreth 600 të tilla në muaj. Referuar statistikave zyrtare, qeveria britanike ka një zyrë të posaçme në Londër, që riatdheson mbi 300 britanikë në Mbretërinë e Bashkuar çdo vit, pasi martohen forcërisht, ose janë në prag të një martese të tillë. 1/3 e tyre janë nën moshën 17 vjeçare. Rasti më i ri, me të cilin janë përballur, është 2 vjeç. Në këtë zyrë vijnë mijëra telefonata çdo vit. Nisur nga përvoja ime personale këto martesa ndodhin, pasi familjet duan të sigurohen, që martesa të ndodhë brenda rrethit te tyre. Ata kanë lidhje të forta në Indi, Pakistan, Iran, Somali, Afganistan, me të cilët duan të ruajnë lidhjet kulturore. Familja beson se e di ç'është më e mira për fëmijën e tyre. Një nga motivet është të marrësh vizë për bashkim familjar në Britaninë e Madhe. Sipas mendimit tim janë me qindra mijëra njerëz në rrezik, për të cilët ne nuk dimë asgjë. Ajo, për të cilën biem dakord, është që të merremi seriozisht me këtë ajsberg, thotë Sagera.