Fëmijët në xhihad: "Feja është thjesht pretekst"
24 Shtator 2014DW: Sa i lartë është potenciali i rrezikut, që del nga një grup i tillë i traumatizuar?
Jochen Müller: Është e vështirë të thuhet. Sigurisht që një potencial rreziku eksziston kjo nuk mund të nënvlerësohet. Mendohet se disa vetë në Siri apo Irak janë trajunuar dhe ka mundësi që të kthehen në Gjermani me porosi për të kryer sulme terroriste. Në këtë pikë duhet që autoritetet e sigurisë të jenë mjaft aktive. Megjithë rrezikun e sigurisë, unë këta të rinj nuk i shoh thjesht si rrezik potencial dhe terroristë me arëm, por edhe si të rinj në nevojë. Shqetësimi im është që anashkalohet fakti, se kemi të bëjmë me të rinj që janë në kërkim të përgjigjeve dhe orientimit. Shumë do të kthehen të zhgënjyer dhe të deziluzionuar. Problemet e tyre do të jenë ekzistente edhe pas kthimit. Duhet të marrim parasysh, se cilat janë arsyet që i kanë çuar ata në Siri apo Irak, e se si mund të integrohen ata në shoqërinë gjermane.
Videot propagandistike të Shtetit Islamik në internet janë tmerruese. Pse kanë ndikim këto video tek këta të rinj?
Motivet e këtyre të rinjve janë të shumta. Tek ata, të cilët janë radikalizuar, që janë të gatshëm për dhunë e për të shkuar në luftë, shohim shpesh familjet problematike ku janë rritur. Shpesh atyre ju mungon figura e babait. Nga ana tjetër ata kanë edhe probleme sociale dhe shkollore, janë të papunë, apo nuk gëzojnë reputacion në shoqëri, Ata kërkojnë një komunitet, orientimin, përgjigje të qarta. Ndër ata që luftojnë një pjesë e madhe janë të konvertuar.
Ku i gjejnë ata përgjigjet?
Familjeve, shoqatave apo edhe xhamive, por edhe mua na mungojnë instrumentat për të krijuar afinitetin me këta të rinj. Shpesh ata e kalojnë kohën në internet, e kërkojnë orientimin e tyre aty dhe i gjejnë përgjigjet tek salafistët, që e kanë përmbytur internetin me ofertat e tyre. Salafistët u japin përgjigje të thjeshta dhe të qarta. Është shoqëria ajo që duhet të krijojë hapësira, në të cilat këta të rinj të ballafaqohen me fenë e tyre - si për shembull në shkollë. Islami është pjesë e Gjermanisë, dhe të rinjtë, qofshin besimtarë apo jo, ata janë pjesë e kësaj.
Mbrojtja Kushtetuese e vëzhgon prej disa kohësh skenën salafiste në Gjermani. Aty gjen elementët paqësorë deri tek ata terrorist. A ka një lidhje mes salafistëve dhe xhihadistëve në Irak, apo Siri?
Në momentin që flasim për radikalizim, ne mendojmë për ata 6000 salafistë që janë radikalë. Do të thoja që një pjesë e madhe e salafistëve është e ideologjizuar dhe paraqet një kërcënim për demokracinë, për mentalitetin demokatik. Të radikalizuar janë vetëm disa qindra prej tyre, ata janë të gatshëm edhe për dhunë. Në këtë pikë duhet të ndërhyjë shoqëria - në shkollë, në qendra rinore, në edukimin politik të të rinjve - me qëllim që të tregohen rreziqet e mëvonshme dhe të rinjtë të sensibilizohen.
Xhihadisti më i ri duket të jetë 13 vjeç. Sa shpejt mund të kryhet radikalizimi?
Kjo është tmerruese. Unë e krahasoj këtë me ata që bëjnë amok, që duan të shprehin të gjithë zhgënjimin, agresivitetin e akumuluar. Edhe dëshira për aventura luan rol. Por këto janë raste të veçanta. Në shkolla edhe unë kam të bëj me 13-vjeçarë, që ndodhen pak para radikalizimit, dhe thonë: Ne duam t'i kursejmë paratë që na japin prindërit për të shkuar në xhihad. Radikalizimi i tyre kalon nëpër udhë të ndryshme. Tek disa zgjat. Duket se ata diku, kontaktohen, i bashkohen një shoqërie të caktuar, brenda së cilës ndodh radikalizimi. Aty ata afirmohen dhe radikalizojnë qëndrimet e tyre, derisa vjen një ditë që duan të ndërmarrin konkretisht diçka. Në radikalizimin e shpejtë vihet re se bindja fetare nuk luan rol. Janë më shumë histori familjare, sociale, individuale ato që japin goditjen përfundimtare. Feja është vetëm një pretekst, dhe jep mundësinë që të godasësh në emër të diçkaje.
Përgjimi i facebook-ut, twitter-it nga Mbrojtja Kushtetuese shkaktoi para disa muajsh debate të mëdha, por nga ana tjetër radikalizimi zhvillohet në rrjetet sociale. Mund të ndihmojë përgjimi për të penguar që herët këta të rinjtë radikalizohen?
Tek këta të rinj mund të kesh akses vetëm po qe se në rrethin e tyre ekzsitojnë njerëz, të cilët e ndjejnë ndryshimin që po ndodh me ta. Duhet të kapen zhvillime të tilla, e të kontaktohen këta të rinj, e të shikohet se çfarë mundësish për ndihmë ekzistojnë ky person mund të jetë motra, trajneri i futbollit, apo edhe imami.
Jochen Müller është studiues i islamit. Si gazetar ai ka jetuar një kohë të gjatë në Lindjen e Mesme dhe të Afërt. Müller ka themeluar organizatën ufuq.de - në të cilën ai trajton kulturën e të rinjve, edukimin politik në një shoqëri migracioni.