Fëmijët refugjatë duhen trajtuar si fëmijë! Grupet për të drejtat e njeriut kritikojnë praktikën e autoriteteve gjermane
20 Nëntor 2004
Rreth 900 fëmijë braktisin për çdo vit vendet e tyre dhe mbërrijnë në Gjermani. Ata janë nga Afganistani, Iraku, Ruanda, Etiopia apo Libani. I ikin luftës civile, dhunës, përndjekjes, urisë. Autoritetet gjermane i kategorizojnë këta fëmijë, si minorenë refugjatë të pashoqëruar. Rreth 10.000 prej tyre jetojnë në Gjermani,-por pa qenë të mirëseardhur. Gjermania e ka ratifikuar konventën e OKB-së por nuk e ka implementuar atë tërësisht. Qeveria gjermane akoma i trajton të huajt ndryshe gjermanët. Fëmijët refugjatë në Gjermani nuk kanë të njëjtat të drejta si fëmijët gjermane, pohon Hajko Kaufman nga Forumi për të drejtat e njeriut:
"Këta trajtohen me 16 vjeç për shembull, si të pjekur dhe të aftë për t'ju nënshtruar rregullave restriktive të ligjit për njohjen e azilit, përfshirë këtu edhe moslejimin faktik të punës dhe shkollimit. Ata mund të mbahen në arrest para lënies së Gjermanisë dhe mund të ekstradohen pa u shoqëruar."
Shumica e këtyre fëmijëve nuk kanë dokumenta dhe shpesh ata vetë nuk e dinë sa vjeç janë. Në rast se zyra e të huajve i kategorizon si 16 vjeçarë, ata nuk mund të shkojnë më as në shkollë, por duhet të futen në strehimet e azilkërkuesve. Pavarësisht se çfarë kanë përjetuar, fëmijët refugjatë në Gjermani nga pikëpamja juridike trajtohen si të huaj dhe jo si fëmijë. Për këtë Forumi për të drejtat e njeriut i ka bërë thirrje qeverisë gjermane që "të tërheqin kushtet e konventës për të drejtat e fëmijëve dhe të iniciojnë një paketë të re ligjore për përmirësimin e situatës së fëmijëve refugjatë." Në praktikën e punës me fëmijët, veçse kanë patur sukses të ashtuquajtuarat "Clearinghäuser", të cilat ekzistojnë në disa lande gjermane. Në këtë shtëpi për trajtimin e fëmijëvë refugjatë, psh të traumatizuarit rëndë gëzojnë përkujdesjen e plotë psikologjike, pedagogjike dhe mjekësore, kështu shprehet Hajko Kaufamann, nga Forumi për të drejtat e njeriut: "Fëmijët nuk duhet të konfrontohen mënjëherë me metodën uniforme të marrjes në pyetje nga autoriteti për mbrojtjen e kufirit,por ata pas gjithë atyre përjetimeve traumatizuese, duhet të dërgohen në një vend, ku me qetësi dhe përkujdesje, duke punuar në kondita të përshtatshme për secilin fëmijë, të përcaktohet, se si mund të ndihmohet më së miri këta fëmijë.
Për të dërguar refugjatët fëmijë në shtëpi të fëmijëve refugjatë duhet një rregullore ligjore, e vlefshme për të gjitha landet. Në marrëveshjen e koalicionit para dy vjetësh, qeveria gjermane ka përcaktuar se do të njohë pa kushte konventën për të drejtat e njeriut. Tanimë ka ardhur koha, sipas Forumit për të drejtat e njeriut, që të mbahet ky premtim.