1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

100411 Tschernobyl Opfer

23 Prill 2011

Katastrofa atomike në Japoni. shumë vetë i tremben një Çernobili tjetër. Para 25 vitesh aty ndodhi katastrofa e tmerrshme. Pasojat ndihen ende. Mareike Aden viziton zonën përreth Çernobilit.

https://p.dw.com/p/112uR
Shkatërrim dhe braktisje pas ÇernobilitFotografi: Merle Hilbk

Fshati Bartholomevka në Juglindje të Bjellorusisë. Çdo centimetër aty është i kontaminuar nga radioaktiviteti. Këtu është realitet, ajo çka aktualisht njerëzit i tremben në Japoni: një territor gjigant i rrezatuar, si pasojë e katastrofës atomike.

Shtëpitë janë evakuuar, pasi 25 vjet përpara në Ukrainën fqinjë shpërtheu reaktori i Çernobilit. Shiu dhe era e kanë sjellë këtu radioaktivitetin, në një distancë prej 140 km.

Mareike Aden sheh pasojat e vazhdueshme të katastrofës atomike

Mjafton të qëndrosh këtu tre muaj për t' u konfrontuar me një sasi vjetore radioaktiviteti, që shkencëtarët e konsiderojnë të rrezikshme. Ende pa mbërritur, vijnë policët, të cilët mbikqyrin zonën e bllokuar. Unë kam një leje nga autoritetet lokale. Kushdo që nuk ka një leje të tillë duhet të llogarisë me një gjobë prej rreth 90 eurosh. Policët nuk janë të kënaqur që janë të ngarkuar të punojnë në këtë zonë, por s'kanë tjetër mundësi thonë ata.|

Verlassene Wohnblocks in Pripyat
Shtëpitë janë evakuuar - pallat i braktisur në një rajon pranë ÇernobilitFotografi: DW/K.Percy

Në një fshat të harruar Mareike Aden takon Jelena Mujitschenko

Gjendja është e frikshme. "Si do të jetojmë ne në të ardhmen?", kanë shkruar në mur nxënësit e shkollës përpara se të largoheshin. 135.000 vetë gjithsej janë zhvendosur në rajone të tjera të Bjellorusisë. Mareike Aden takon në një fshat të harruar Jelena Mujitschenko. 80 vjeçarja jeton në mes të zonës së rrezatuar, sikur të mos ketë ekzistuar katastrofa e Çernobilit. Ajo është krenare për kërpudhat që ka mbledhur dhe fillon të paketojë disa prej tyre, por unë kurrë nuk do t'i haja ato kërpudha. Unë e pyes atë, se si është e mundur që vazhdon të banojë këtu. Jelena Mujitschenko: "Autoritetet donin më të largonin prej këtej një herë e përgjithmonë. Por unë nuk pranova: Unë nuk largohem nga vendlindja ime. E sa për rrezatimin, ah e dashur, ai ndodhet kudo në botë. Unë mbledh në pyll manaferra dhe kërpudha dhe i ha ato. " Djali dhe burri i saj, me të cilët ajo ka jetuar këtu, kanë vdekur. Por me siguri që vdekja e tyre s' ka pasur të bëjë me rrezatimin, thotë gruaja.

Unë jam e shokuar, por nëse e vë veten në vendin e saj, arrij ta kuptoj, që ajo nuk do të largohet nga shtëpia e saj. Rrezatimi është si të thuash një armik i padukshëm. Uji i burimit shijon ashtu si edhe më parë, më tregon ajo.

Flash Galerie 25 Jahre Tschernobyl 11
Fotografi e vitit 1989. Të porsalindurit në rajon ende sot kanë shkallën më të lartë të sëmundjes nga kanceri i tiroideveFotografi: picture-alliance / dpa

Ekspertët këmbëngulin se pasojat janë nën kontroll

Largohem prej pyjeve të rrezatuara. Vetëm pak orë duhet të qëndrosh në zonën e ndaluar pa veshje mbrojtëse më kanë këshilluar ekspertët e Greenpeace. Vazhdoj në drejtim të Jugut, në qytetin 140 km larg, Gomel. Edhe këtu përpara 25 vjetësh ra shi i kontaminuar me radioaktivitet. Aty takoj ekspertin e rrezatimit Keinigsberg. Në javët pas katastrofës ai punonte në reaktor. Sot ai drejton komisionin shtetëror të rrezatimit - dhe më siguron se pasojat e Çernobilit janë nën kontroll.

Jakov Keinigsberg: "Ajo s' ka influencë ndaj jetës së njerëzve. Ne i kemi pasojat nën kontroll. Por në periudhën e parë pas aksidentit, është e vërtetë ka pasur shumë jod radioaktiv në ajër dhe në ushqime. Asokohe nuk ka pasur përkujdesje për kancerin e tiroideve - e si rrjedhojë kjo sëmundje është shtuar shumë." Shumë raste të kancerit të tiroideve - ende një nga problemet e mëdha. Unë vizitoj qendrën e specializuar kundër kancerit të tiroideve në Gomel.

Kur mjekja, shefe e pavionit Maria Tulupova më thotë, se fëmijët këtu pas Çernobilit janë sëmurur 45 herë më shpesh me kancerin e tiroiedeve, unë shokohem. Falë donacioneve dhe specialistëve nga Gjermania qysh nga fillimi i viteve nëntëdhjetë diagnostikimi dhe kurimi në Gomel është në nivele moderne. Maria Tulupowa: "Aksidenti i Çernobilit ka pasur pasoja veçanërisht të rënda ndaj prenatalëve dhe atyre që kanë qenë nën moshën 16 vjeç. Tek këto grupmosha tiroidet kanë absorbuar nga ajri shumë jod radiaktiv."

Rasti i Natascha Korawajewas

Mbi 160.000 pacientë janë trajtuar deri tani në qendrën e Gomelit, Natasha Koravajeva është njëra prej tyre. Tri herë është operuar ajo si fëmijë, sot 26 vjeçarja për shkak të kancerit të tiroideve, çdo vit i duhet të vijë për kontroll. Pamjet televizive të javëve të fundit nga katastrofa atomike në Japoni, i ringjallin asaj shumë kujtime, thotë Natasha.

Natascha Korawajewa: "Unë jo vetëm kam frikë për japonezët, por për të gjithë botën. Rrezatimi radioaktiv është rrezik për të gjithë ne. Ne e kemi përjetuar këtë: Aksidenti ndodhi në Ukrainë, por ne u sëmurëm." Natasha duhet të shkojë në punë, unë kam lënë takim me prindërit e saj Vladimir dhe Jelena. Ata ende e ndiejnë veten fajtorë, që nuk kanë mundur ta mbrojnë më mirë nga rrezatimi radioaktiv vajzën e tyre. Natasha ishte një vjeç, kur reaktori shpërtheu në ajër.

BdT Gedenken an Tschernobyl Opfer
Viktimat përkujton çdo vitFotografi: AP

Jelena Korawajewa: "Natasha ishte një ndër të parat që u sëmur. Unë nuk mund të pyesja askënd. Kanceri i tiroideve përpara ka qenë i rrallë në Bjellorusi. Por unë e dija që ky është një organ me rëndësi jetike dhe pyeta veten. Çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e fëmijës tim, nëse i hiqen tiroidet? Çfarë do të bëhet me ne? Unë kam kaluar shumë netë pa gjumë. Ndiej edhe sot dhimbje kur ma kujtojnë këtë dhe më duhet të flas për këtë." Fjalët e nënës së Natashës as mua s' më hiqen nga mendja teksa vazhdoj rrugën drejt Institutit shtetëror të Radiologjisë. Në hyrje të tij shoh shenjën radiaktive - në formën e një gonxheje. Ky më duket mua si një simbol.

Radioaktiviteti është për autoritetet këtu, diçka e rutinës së përditshme dhe drejtori Viktor Averin përpiqet largojë çdo shqetësim: Viktor Averin: "Unë dua të theksoj, se këtu në Bjellorusi ne kemi kontrolle mjaft të rrepta rrezatimi. Kjo garanton që p.sh. të gjitha ushqimet e prodhuara të jenë të çliruara prej radioaktivitetit. Çdo gjë që ndodhet në dyqanet tona është e pastër dhe e parrezikshme."

"Kështu e ka jeta!" - njerëzit përpiqen të mbijetojnë

Por kur hyj në pazarin e Gomelit, kam megjithatë mjaft dyshime. Vërtetë ka direktiva të forta, por a funksionojnë kontrollet? Duhet të jetë e vështirë që të shkosh të blesh me një pasiguri të tillë. Një blerëse ruse: "Kontrolle bëhen. Bujqit duhet të kenë kujdes, se ku kullosin bagëtia. Ne na duhet të hamë dhe vazhdojmë të jetojmë këtu, atëherë përse të shtrojmë pyetje? Kështu është

Njerëzit në Gomel vazhdojnë të vuajnë ende prej katastrofës së Çernobilit. Aq më shumë shpresoj, që një gjë e tillë të mos përsëritet për japonezët. Në fund më vjen disi turp për lehtësimin që ndiej kur largohem prej Gomelit.


Autor: Mareike Aden/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Lindita Arapi