G7 bie dakord për sanksione të tjera kundër Rusisë
26 Prill 2014Të shtatë kombet kryesore industriale, G7, duan të vendosin masa të mëtejshme ndëshkuese ndaj Rusisë për shkak të qëndrimit të saj në krizën e Ukrainës. "Kemi rënë dakord që të veprojmë shpejt dhe të vendosim sanksione shtesë ndaj Rusisë", thuhet në deklaratën e publikuar nga grupi i shteteve në Seul. Nga Shtëpia e Bardhë në Uashington u njoftua se sanksionet e tjera mund të vendosen që të hënën.
Edhe BE ndërmerr sanksione
G7 përfshin SHBA, Kanadanë, Japoninë, Francën, Britaninë, Italinë dhe Gjermaninë. Sipas njoftimeve të agjensive vendet e BE-së duan t'i bashkangjiten raundit të ri të sanksioneve. Deri tani perëndimi ka vendosur sanksione ndaj disa qytetarëve të Rusisë dhe Ukrainës, si ndalim hyrjeje dhe bllokim të llogarive bankare. Të prekur janë edhe njerëz të besuar të presidentit rus Vladimir Putin.
Sanksionet e reja u argumentuarn me faktin se Rusia nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për të mbështetur marrëvëshjen e Gjenevës për planin e paqes në Ukrainë. Në vend të kësaj Moska ka lejuar që të shtohen tensionet "me një retorikë gjithnjë e më alarmante dhe me manovra kërcënuese ushtarake“. Në mënyrë eksplicite të shtatë shtetet e industrializuara vlerësuan në deklaratën e tyre „përmbajtjen“ e qeverisë ukrainase në konfliktin me aktivistët prorusë, të cilët në shumë qytete të Ukrainës lindore kanë pushtuar ndërtesat e administratës.
Në deklaratën e G7 mbetet e hapur, se çfarë masash ndëshkuese do të vendosen saktësisht. Por shtatë shtetet deklaruan gatishmërinë e tyre për të vëndosur sanksione ndaj sektorëve të tërë të industrisë në Rusi në rast nevoje. Në të njëjtën kohë G7 theksoi edhe se dera për një zgjidhje diplomatike të konfliktit të Ukrainës ëshë ende e hapur dhe Rusia mund të marrë pjesë.
Obama telefonon
Një përfaqësues i qeverisë së SHBA njoftoi se çdo vend i G7 vendos për vetë se çfarë sanksionesh dëshiron të miratojë kundër qeverisë në Moskë. Sanksionet nuk do të jetë patjetër identike, por të koordinuara. Presidenti amerikan Barak Obama është për sanksione të forta ekonomike ndaj Rusisë. Ai telefonoi të premten me kancelaren gjermane Angela Merkel, me kryeministrin britanik David Cameron, presidentin francez Francois Hollande dhe kryeministrin italian, Matteo Renzi. Por Merkel kërcënoi më vonë vetëm me një zgjerim të ndalimeve ekzistuese të udhëtimit dhe të llogarive bankare.
SHBA mund të vendosin sanksione ekonomike edhe të vetme, por kërkojnë solidaritetin e BE. Evropianët kanë kërcënuar me sanksione ekonomike në rast të një pushtimi ushtarak rus të Ukrainës lindore.