G7 pa Rusinë - e pastaj?
4 Qershor 2014Kur fituesit e Luftës së Dytë Botërore do të takohen këtë të premte në bregdetin e Normandisë, për të përkujtuar zbarkimin e aleatëve më 6 qershor 1944, rruga e tyre do të jetë shumë më e shkurtër nga ajo e planifikuar më parë: Përfaqësuesit e ish-aleatëve perëndimorë do të vijnë nga Brukseli, nga takimi i nivelit të lartë të G7-ës - dhe jo nga Soçi në Detin e Zi.
Atje qe planifikuar të mblidhej takimi i G7 dhe Rusisë. Por pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, shumë gjëra ndryshuan. Jo vetëm vendi i takimit, Brukseli në vend të Soçit. Para së gjithash përbërja e pjesëmarrësve është e ndryshme: kryeministrat e Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, Japonia, Kanadaja dhe SHBA duan të mbeten mes tyre. Rusinë ata e larguan si protestë ndaj politikës për Ukrainën.
G8 në thelb nuk ka ekzistuar kurrë
Prej fillimit të viteve nëntëdhjetë ka bërë pjesë Rusia në "grupin e të tetëve". Atëherë kryetarin e shtetit dhe të partisë të BS, Mihail Gorbaçov, e ftuan të bënte pjesë në grup, si shpërblim për politikën e tij reformuese dhe për afrimin e tij të kujdesshëm ndaj Perëndimit. Në fakt, precizon Sabine Fischer, drejtuese e sektorit kërkimor Evropa Lindore dhe Euroazia në Fondacionin Shkencë dhe Politikë në Berlin, "G8 nuk ka ekzistuar asnjëherë, por ka qenë gjithmonë G7/G8. Sepse Rusia nuk ka qenë pjesë e negociatave financiare, që janë bërë në emër të këtij grupi."
Si në shumë takime të nivelit të lartë, puna e mirëfilltë bëhet një ose dy nivele poshtë shefave: tek sekretarët e shtetit, ose tek ministrat. Dhe kur takoheshin ministrat e G7-ës, rusët duhet të qendronin gjithmonë jashtë.
Një pickim - jo më tepër
Sabine Fischer e konsideron anulimin e takimit të nivelit të lartë me Rusinë si "fyerje drejtuar Vladimir Putinit dhe sigurisht që nuk e ndihmon reputacionin e Rusisë në botë". Por megjithatë, Putini së jashtmi nuk tregoi që i bën përshtypje kjo ulje. Fischerit i kujtohet një dalje në televizion e Putinit: "Atë e pyetën: çfarë thoni ju për anulimin nga kryetarët e shteteve dhe të qeverive perëndimore në takimin e nivelit të lartë? Aty Putini kishte ngritur supet dhe pati thënë: "Po, e pastaj?"
Patrick Rosenov, politolog në Universitetin e Jenës, tërheq vëmendjen se Moska nuk është patjetër e varur nga G7/G8, sepse "shumë forume të tjera, ku Rusia është aktive, vazhdojnë të jenë të rëndësishme. Si për shembull Këshilli i Sigurimit të OKB-së, ose Grupi G20, grupi i shteteve më të rëndësishme të industrializuara dhe shteteve në ekspansion."
E ardhmja e Rusisë në Lindje
Në "politikën e tij të jashtme në dhjetë vitet e fundit Putini është përpjekur të ndërtojë një kundërpeshë ndaj Perëndimit", thekson Patrick Rosenov. Dy indikacione duket se e konfirmojnë këtë tezë: nënshkrimi i një marrëveshjeje të gazit me Kinën. Dhe përpjekja, "për të krijuar me Bjellorusinë dhe Kazakistanin një bashkim ekonomik në Lindje të Evropës, tregon se Putini nuk është i interesuar për një lidhje më të fortë të Rusisë ndaj Perëndimit, por se ai kërkon të krijojë disa opsione, për t'i zgjeruar edhe më tej mundësitë e tij të ndikimit në të gjithë botën."