Garë me kohën - Ministrat e jashtëm të BE-së shohin të shqetësuar nga Çekia
27 Tetor 2009Në Marrëveshjen e Lisbonës ende mungon firma e Presidentit çek Vaclac Klaus. Më parë ajo duhet të miratohet nga Gjykata Kushtetuese çeke. Për sa kohë kjo nuk ka ndodhur kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së nuk mund të marrin vendime për çështje të rëndësishme personeli në takimin e tyre të nivelit të lartë të enjten dhe të premten (29.-30.10.) e kësaj jave. Bëhet fjalë për emërimin e presidentit të përhershëm të këshillit dhe të një përfaqësuesi të lartë për politikën e jashtme. Klaus kishte kërkuar garanci që të dëbuarit nuk do të ngrinin pretendime duke iu referuar Kartës së të Drejtave Themelore që përmbahet në Marrëveshjen e Lisbonës. Sipas mendimit të përgjithshëm, Marrëveshja e Lisbonës nuk ka të bëjë aspak me këtë çështje, e megjithatë vendet anëtare janë gati të bëjnë lëshime për ta shtyrë presidentin çek të firmosë. Por se si, mbetet ende e paqartë.
Vendet anëtare të gatshme për lëshime ndaj Çekisë
Ministri italian i Punëve të Jashtme, Franco Frattini i bëri thirrje ndjenjës së nderit të Presidentit Klaus duke i kërkuar të mos pretendojë shumë. "Presidenti Klaus është një xhentëllmen. Dua të them se miratimi i një xhentëllmeni nuk është një pakt me shkrim. E rëndësishmë është përmbajtja. Nëse Çekia na drejton një lutje politike dhe nëse ne vendosim ta plotësojmë atë, atëherë sipas meje firma e Presidentit Klaus është diçka e vetëkuptueshme." - u shpreh Frattini.
Një mundësi do të ishte që Çekia të çlirohet nga detyrimi për të përdorur pjesë të caktuara të Kartës. Edhe për Britaninë e Madhe dhe Poloninë ka përjashtime të tilla. Por edhe nëse Klaus do të nënshkruante pak përpara samitit, koha është shumë e pakët. Presidenca çeke e Këshillit ka propozuar për këtë arsye mundësinë e mbajtjes së një takimi të posaçëm të nivelit të lartë në nëntor. Megjithatë, që tani debatohet ashpër për kandidatët.
Presidenti i ardhshëm i Këshillit duhet të jetë i ndjeshëm ndaj problemeve të anëtarëve më të vegjël
Për postin e presidentit të Këshillit përmendet vazhdimisht emri i ish-kryeministrit britanik Tony Blair. Ministri i Jashtëm i Lituanisë Vygaudas Usackas, pret që kryetari i ardhshëm i Këshillit të ketë këto cilësi: "Bashkimi Evropian është një superstar dhe për këtë arsye kemi nevojë për superstarë që të na përfaqësojnë. Por ata duhet të kenë ndjenjën e përgjegjësisë dhe të jenë të ndjeshëm jo vetëm ndaj vendeve të mëdha anëtare por edhe ndaj të vegjëlve."
Cilësitë e një superstari Blair i përmbush me siguri. Nga ana tjetër vendet e vogla shqetësohen se një president Këshilli nga një vend i madh do të përfaqësonte në radhë të parë të mëdhenjtë. Kritikët thonë se Blair-it i mungon angazhimi i vërtetë evropian, ndër të tjera pasi Britania e Madhe i ka qëndruar larg euros dhe zonës Shengen. Vendimtare do të jetë nëse BE-ja synon para së gjithash një përfaqësim më të fortë nga jashtë apo një harmoni të brendshme.
Gratë pak të përfaqësuara në Këshillin e BE-së
Margot Wallström, zv/presidentja e Komisionit, ankohet ndër të tjera se dhënia e posteve grave nuk është në nivelin e duhur: "Mendoj se në këtë post duhet të jetë një grua. Hidhini një sy emrave që përmenden nga Komisioni. Gratë përbajnë shumicën në popullsi me 52,6 % por këtu reduktohen në pakicë. Mendoj se kjo është e papranueshme në BE-në e vitit 2009."
Steinmeier ndahet me homologët në BE
Ministri i Jashtëm gjerman në largim, Frank-Walter Steinmeier, e shfrytëzoi takimin edhe për t'u ndarë me kolegët e tij. Pas ndryshimit të kabinetit në Gjermani, ministër i ri i Punëve të Jashtme do të jetë politikani liberal Guido Westerwelle. Shumë nga homologët e tij të deritanishëm e vlerësuan Steinmeier-in si një diplomat të besueshëm dhe të ekuilibruar. Vetë Steinmeier e cilësoi idenë evropiane si një "projekt të nënvlerësuar në Gjermani".
Autor: Christoph Hasselbach / Eliana Xhani
Redaktoi: Elert Ajazaj