Gazetari gjerman antisemit?
5 Janar 2013Jo gjithnjë është nderim të jesh ndër dhjetë të parët. Emri i Jakob Augstein-it në pozicionin e nëntë, shkaktoi indinjatë, fajësime dhe moskuptim: qendra Simon Wiesenthal (SWC) në SHBA e ka radhitur gazetarin gjerman si një nga dhjetë antisemitët më të këqinj në botë. Ai nuk është larg nga pjesëtarët e Vëllazërisë Myslimane në Egjipt, të cilët janë në krye të listës, pasuar nga regjimi iranian.
Qendra mban emrin e austriakut hebre Simon Wiesenthal. Shumë pjesëtarë të familjes së tij nuk i mbijetuan dot Holokaustit. Pas Luftës së Dytë Botërore ai u vu në kërkim të nazistëve të fshehur në të gjithë botën. Këtë objektiv mbështeste qendra që prej vitit 1977. Nërkohë qendra me selinë kryesore në Los Angeles, përqendrohet në luftën kundër racizmit dhe antisemitizmit. Lista e "dhjetë shpifjeve më të rëndësishme antiçifute/antiizraelite" botohet çdo vit.
I diskutueshëm por jo antisemit
"Unë u habita vërtet shumë", thotë Juliane Wetzel, nga qendra për kërkime mbi antisemitizmin në Universitetin Teknik të Berlinit. Ajo nuk e kupton përse qendra Simon Wiesenthal e radhit Jakob Augstein-in në krah të presidentit iranian Mahmud Ahmadinexhad. "Sigurisht mund të diskutohet se kritika e Augenstein-it kundër Izraelit nganjëherë është e tepruar, por kjo nuk ka të bëjë me antisemitizmin."
Me pesë citate e argumenton qendra akuzën kundër publicistit. Të gjitha janë marrë nga artikuj që Augstein ka shkruar për "Spiegel Online". Në to ai kritikon politikën e jashtme izraelite, merr në mbrojtje poemën e Günther Grass-it kritike ndaj Izraelit dhe e cilëson Gazën një "vend nga epoka e fundit e njerëzimit". Këtyre u shtohen këta rreshta, të publikuar në nëntor 2012: "Por hebrenjtë kanë fondamentalistët e tyre. Ata vetëm kanë tjetër emër: ultraortodoksë apo Haredim. (...) Dhjetë për qind e shtatë milionë izraelitëve janë pjesë e tyre. (...) Këta njerëz janë gatuar me të njëjtin brumë si kundërshtarët e tyre islamistë."
Lidhur me këto fjali Wetzler shpjegon në bisedë me Deutsche Welle-n: "Unë i konsideroj të gabuara këto vlerësime dhe krahasimi nuk është me vend por këto nuk janë megjithatë deklarata antisemite."
Sinjalizime të gabuara
Qendra nuk është bërë vetë e vëmendshme ndaj Augstein. Ajo është orientuar nga vlerësimet e publicistit gjerman Hendryk M. Broder, i cili vjen nga një familje polako-hebreje. Ai është i njohur si provokator dhe citohet nga qendra Simon Wiesenthal me fjalët: "(Augstein) nuk ka bërë karrierë në Gestapo vetëm se ka lindur pas Luftës së Dytë Botërore." Rabini Abraham Cooper, përgjegjës për hartimin e listës së antisemitëve, tha për kanalin e parë televiziv gjerman ARD, se megjithë kritikat ai është i bindur për zgjedhjen e tij. Augstein i ka kaluar kufijtë.
Përse amerikanët i besojnë thënieve të Broderit shumëkush në Gjermani nuk arrin ta kuptojë. Këshilli Qendror i Hebrenjve e akuzoi qendrën Simon Wiesenthal se nuk ka hulumtuar sa duhet dhe u distancua nga akuza për antisemitizëm kundër Augstein-it. Edhe politikanë gjermanë nga radhët e kristiandemokratëve dhe partisë "E Majta" e morën në mbrojtje Augstein-in.
Vetë Jakob Augstein në 29.12.2012 shkroi në internet: "Për luftën kundër antisemitizmit qendra Simon Wiesenthal ka gjithë respektin tim. Aq më shqetësuese është kur kjo luftë dobësohet. Dhe kjo ndodh patjetër kur gazetaria kritike cilësohet pa të drejtë si raciste apo antisemite."