Si transformohet rryma në gaz
6 Korrik 2014Qeveria gjermane kërkon të rrisë pjesën e energjive të ripërtëritshme dhe ka vendosur për këtë objektiva konkretë: deri në vitin 2050 Gjermania duhet të përftojë të paktën 80 për qind të rrymës dhe 60 për qind të nevojës për energji nga dielli, era apo energji të tjera të ripërtëritshme. Por e hapur është se si mund të arrihet kjo dhe njëkohësisht një furnizim i qendrueshëm dhe i mjaftueshëm edhe kur nuk shkëlqen dielli apo nuk fryn erë.
Të ashtuquajturit sisteme "power-to-gas" mund ta zgjidhnin këtë problem, ky është të paktën mendimi i disa shkencëtarëve dhe inxhinierëve. Teknologjia është vendimtare për suksesin e kthesës energjitike, thotë Michael Sterner, profesor në Universitetin Teknik në Regensburg. "Power to gas është absolutisht i domosdoshëm për një furnizim me rrymë nga burime 100 për qind nga energji të ripërtëritshme dhe për dekarbonizimin e sektorit të transportit dhe të industrisë kimike."
Metan përmes elektrolizës
Procedura në parim është e thjeshtë. Gjermania tashmë ka një rrjet të gjerë përçuesish dhe rezervuarësh për gazin natyror. Gazi natyror është një lëndë djegëse fosile dhe përdoret për shembull për ngrohje apo për të prodhuar rrymë në turbinat e gazit. Metani, përbërësi kryesor i këtij burimi energjie, përdoret edhe si lëndë e parë në industrinë petrokimike, ai gjendet në të gjitha produktet e mundshme, nga plastika tek medikamentet.
Rezervuarët ekzistues të gazit natyror dhe rrjeti përkatësh i përçuesve, sipas inxhinierëve mund të përdoret edhe për të zgjidhur problemin e depozitave gjermane të rrymës. Në tuba mund të rridhte edhe gaz sintetik, i cili prodhohet me dioksid karboni, ujë dhe rrymë.
Naftë, benzinë dhe kerozinë nga gazi i ripërtëritshëm
Kur rryma vjen nga energji të ripërtëritshme, atëherë metani i prodhuar në mënyrë artificiale duhet gaz i ripërtëritshem, nganjëherë edhe gaz nga era apo nga dielli, në varësi të burimit të rrymës së përdorur.
Nga gazi sintetik është për inxhinierët gjithashtu e mundur të prodhojnë ndër të tjera lëndë djegëse të lëngshme si metanol apo butanol, të cilët mund të përdoren për motorë me naftë apo benzinë apo edhe për kerozinë, përbërin kryesor të karburantit për avionët. Atëherë ai quhet Power-to-Liquids apo lëndë djegëse e lëngshme, e ripërtëritshme.
Në parim procedura është vërtet e thjeshtë, por duket se është e vështirë që të kthehet në një model tërheqës biznesi. Kushton pak të nxjerrësh nga tona gaz natyror dhe ta dërgosh në destinacione të tjera përmes përçuesve të gazit. Metani sintetik është nga ana tjetër shumë i shtrenjtë. Ai asnjëherë nuk do të mund të konkurrojë me gazin natyror sa i përket çmimit, mendon Peter Röttgen, drejtor i Energy Storage Innovation Center pranë EON, koncernit më të madh energjitik në Gjermani. Të paktën për aq kohë sa çmimi për qymyr të jetë kaq i ulët. Kjo nuk do të thotë megjithatë se Power-to-gas duhet parë si e paarritshme: në fund të fundit gaz fosil i dëmshëm për klimën nuk është i njëjtë me gazin e ripërtëritshëm.
Ove Petersen është shef i GP Joule, një sipërmarrje e cila angazhohet për rrymë nga energji të ripërtëritshme. Ai thotë se situata aktuale mund të ndryshojë me ndihmën e subvencioneve. "Përdoruesit e burimeve energjitike që prodhojnë shumë CO2, si p.sh. operatorët e centraleve të qymyrit janë ata që gëzohen për subvencionet e larta. Për shumë vite u kemi lejuar të përdorin atmosferën e globit si një depozitë plehrash falas për produktet e tyre të dëmshme për klimën."
Depozitë për energjinë nga era
Disa projekte të reja po testojnë potencialin e teknologjisë. Prodhuesi i automobilëve Audi hapi në fund të 2013 një central gjashtë megavatë të tipit Power-to-gas në ëerlte pranë Bremenit. Eon ka në afërsi të Berlinit një strukturë të tillë pilot së bashku me Swissgas.
Tani janë të nevojshme mekanizma tregu për të kaluar nga prototipet tek strukturat e mirëfillta, kërkon Röttgen. Ai i referohet bumit të energjisë nga era e cila ka efekte anësore të padëshërueshme: "Tani ka aq shumë mullinj ere sa në ditë me stuhi shumë prej tyre duhet të fiken për të penguar një mbingarkesë të rrjeteve të rrymës. Por rregulli ligjor për shpërblimin e tyre parashikon që pronarët e mullinjve të erës të marrin të ardhura bujare për rrymën edhe kur mullinjtë e erës janë të fikur."
Me ndërtimin e centraleve Power to gas krahas parqeve të mullinjve të erës do të kishim një alternativë të mirë ekonomike për shfrytëzimin e energjisë së prodhuar në sasi të madhe nga era në ditë me stuhi, thotë Röttgen. Por në kuadrin aktual rregullator nuk ka asnjë stimul për të investuar në sisteme Power- to- gas pasi pronarët të mullinjve të erës i marrin në çdo rast paratë. Kjo duhet të ndryshojë. "Duhet të ristrukturojmë tregjet në mënyrë që të kthehet në model tërheqës biznesi blerja në masë të madhe e energjisë nga era dhe dielli, dhe për ta ruajtur më pas si gaz sintetik. Por për këtë do të duhen ende vite.