1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gazpromi i bën konkurrencë Rosneft-it

6 Qershor 2018

Koncernet energjetike ruse Gazprom dhe Rosneft kontrollohen të dyja nga shteti. Që ato i bëjnë edhe konkurrencë njëra-tjetrës, kjo ka të bëjë me ndryshime në biznesin e gazit.

https://p.dw.com/p/2yx0C
Russland Moskau - Gazprom
Shefi i Gazpromit Aleksej MillerFotografi: picture-alliance/dpa/EPA/S. Ilnitsky

Në vështrim të parë, kjo nuk përshtatet fare me përfytyrimin e një "industrie të madhe ruse të dirigjuar": Rosneft, sipërmarrja më e madhe e naftës të Rusisë me mbi 106.000 punonjës duket se gjithnjë e më shumë po i bën konkurencë Gazpromit - dhe këtë po e bën në tregtinë e përbotshme të gazit. Rosnefti nënshkroi së fundi marrëveshje me shtetin afrikanoperëndimor Ghana dhe me kurdët në Irak: marrëveshje, të cilat dikur iu ofruan Gazpromit, shkruajnë mediat ruse. Me sa duket Rosnefti ishte më i gatshëm të vendoste dhe më i shpejtë. Koncerni angazhohet në Venezuelë, në Brazil dhe në Afrikën e Veriut. Kudo bëhet fjalë për biznese në shuma miliardëshe, Gazpromi kërcënon të mbetet pas.

Ndryshime në biznesin e gazit

"Dijet dhe përvojën në biznesin e gazit një sipërmarrje nuk i fiton prej sot nesër", shpjegon Rustam Ulanovic Tankaev i shoqatës ruse të prodhuesve të naftës dhe të gazit për Deutsche Welle-n. Rosnefti ka nisur, në një masë të madhe pa u vënë re nga opinioni publik, që para 16 vjetësh kërkimin e gazit në Vietnam.

"Vitin e kaluar madje qeveria e Hanoit e dekoroi firmën, sepse në nxjerrjen e gazit nuk ka ndodhur asnjëherë ndonjë avari", thotë Tankaev. Koncerni i naftës e ka zgjeruar biznesin e gazit dhe ka punësuar gjithnjë e më shumë inxhinjerë, menaxherë dhe ekspertë. "Ata rekrutojnë punonjës të Gazpromit, pjesërisht paguajnë më mirë", mendon Tankaevi.

Gazpromi nga ana tjetër përfiton nga mbrojtja prej presidentit rus, Vladimir Putin: sipërmarrja ka monopolin e eksportit të gazit natyror rus në tubacione. Kështu Gazpromi furnizon pjesë të mëdha të Evropës, midis tyre Gjermaninë.

Debate ka shkaktuar në Perëndim ndërtimi i tubacionit të naftës e gazit Nord-Stream-2 përmes Detit Baltik. Moska mund të shesë në këtë mënyrë më shumë gaz në Evropë, kritikojnë polakët dhe baltët. Përmes linjës së re të furnizimit anashkalohet Ukraina si vend tranzit, Kievi ka humbje prej miliardash, bëhet e ditur. Ajo që i shqetëson më tej kritikët: Rusia do të kishte në këtë mënyrë mundësinë që ta zgjeronte pozicionin e saj të avancuar si eksportues më i madh i gazit natyror. Tregu evropian i gazit konsiderohet veçanërisht tërheqës.

Putin und Gazprom CEO Alexei Miller
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Nikolsky

Më parë rajonal, sot global

Por biznesi i gazit po ndryshon me shpejtësi. Deri tani ai ka qenë i varur nga tubacionet dhe prandaj ka qenë i kufizuar në plan rajonal. Por pajisjet e furnizimit me gaz të lëngshëm, të ashtuquajturat terminale LNG, po e kthejnë biznesin rajonal në global. Cisternat e dërgojnë me anije gazin në të gjithë botën.

Moska po ndërton me ritme rekord terminale LNG, pasi zotëron rezerva gjigande lëndësh të para. Edhe Rosnefti përfiton nga kjo. Drejtori ekzekutiv i tij, Igor Seçin e çon përpara biznesin e naftës, ai ka lidhje të ngushtë me shefin e Kremlinit, të cilin e njeh që në vitet 1990 nga Sankt Petersburgu. Koncernet ruse të lëndëve të para "Gazprom, Rosneft, Lukoil ose Novatek konkurrojnë me njëri-tjetrin në tregun nacional, por edhe global", thotë Rustam Ulanovic Tankaevi.

Rosnefti për shembull angazhohet në fushën ofshore të gazit "Zohr", më e madhja në Mesdhe. Gazi që nxirret atje është i destinuar për Egjiptin, por mund të eksportohet edhe në Evropë. Rosnefti bashkëpunon atje me BP dhe me koncernin italian Eni.

Schröderi është kudo

Rosnefti, me një vlerë kapitali prej 65 miliardë dollarësh në treg, vërtet që shumicën e parave i fiton me naftë. Por biznesi i tij i gazit rritet me shpejtësi. Megjithë konkurencën midis gjigandëve rusë të energjisë: shteti rus është aksioner, me shumicën e aksioneve si te Rosnefti, ashtu edhe te Gazpromi. Në sfond është gjithmonë Presidenti Putin ai që i merr vendimet më të rëndësishme.

Ka edhe funksione të dyfishta. Kështu, ish-kancelari gjerman, Gerhard Schröder punon për të dyja sipërmarrjet. Që prej vjeshtës së vitit të kaluar është ai është edhe shef i bordit të Rosneftit, prej kohësh ai e ka një pozicion të tillë të Nord-Stream AG e Gazpromit.