1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Katastrofa në Indi: Gjermania dërgon ndihma emergjente

26 Prill 2021

India njofton për shifra të frikshme të infektimeve të reja, në vend mungon oksigjeni për trajtimin e pacientëve.

https://p.dw.com/p/3sZO8
Indien Neu Delhi | Coronavirus | Todesopfer
Fotografi: Amarjeet Kumar Singh/Zuma/picture alliance

Për shkak të gjendjes në Indi, Gjermania po ofron ndihma emergjente. Para kësaj "vuajtjeje të tmerrshme" në vend, Gjermania qëndron "krah për krah në solidaritet me Indinë", bëri të ditur kancelarja Merkel përmes zëdhënësit të saj, Steffen Seibert. Qeveria në Nju Delhi që të premten bëri të ditur, se nga Gjermania do të vijë një furnizim me 23 aparatura për përgatitjen e oksigjenit.

Indien Coronavirus | Ausbruch
Personeli mjekësor ngre trupin e një viktime të Coronës - spitalet janë tejet të mbingarkuara në IndiFotografi: Channi Anand/dpa/picture alliance

Ndihma nga SHBA e Pakistani

Edhe Bashkimi Europian do të ofrojë ndihmë për Indinë, bëri të ditur, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në mesazhin në twitter. "BE po bashkon burimet e saj përmes procedurës së BE për ndihmën nga katastrofat që të reagojë me shpejtësi pas kërkesës së Indisë." Edhe rivali i Indisë, Pakistani dhe SHBA kanë ofruar ndihmë. Ministria e Jashtme në Islambad bëri të ditur, se si gjest solidariteti me njerëzit në vendin fqinj do të dërgohen aparate frymëmarrjeje dhe aparate të tjera të nevojshme për trajtimin mjekësor.

Indien Mumbai  Coronapandemie Impfzentrum
Njerëzit presin për vaksinën në IndiFotografi: Rajanish Kakade/AP/picture alliance

Qeveria amerikane shprehet shumë e shqetësuar pas zhvillimeve të pandemisë në Indi. Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken shkroi në twitter se "ne bashkëndjejmë me popullin indian në mes të shpërthimit të tmerrshëm të COVID-19. Punojmë ngushtë me partnerët tanë dhe qeverinë indiane dhe do të ofrojmë shpejt mbështetje për njerëzit në Indi." Po punohet për furnizime të kufizuara të komponentëve të vaksinës nga firmat farmeceutike amerikane dhe dërgimin e personelit mjekësor, sipas të dhënave të Ambasadës së Indisë në Uashington.

Pacientë që nuk marrin dot frymë

Sistemi shëndetësor i Indisë kërcënon kolapsin e plotë para rritjes së jashtëzakonshme të numrit të infektimeve. Mjaft spitale njoftojnë për mungesë të oksigjenit mjekësor dhe ilaçe. Para klinikave në qytetet e mëdha janë krijuar radhë të gjata njerëzish që presin për trajtim mjekësor. Sipas raportimeve pacientët nuk marrin dot frymë në një kohë që presin për urgjencën.

Për të katërtën ditë me radhë autoritetet e Indisë japin shifrat më të larta në botë të infektimeve të reja. 349.691 vetë janë infektuar dhe 2767 humbën jetën. India regjistron 192.311 të vdekur. Në Nju Delhi dhe qytete të tjera, spitalet refuzojnë marrjen e pacientëve për shkak se nuk kanë më shtretër të lirë.

 

 

la/nob/hf/se/fab (rtr, ap, dpa, afp)