Gjendje e jashtëzakonshme prej vërshimeve në Serbi
16 Maj 2014Shtabet e emergjencës janë në veprim dhe po konsultohen vazhdimisht. Në aksionin për shpëtimin e zonave të prekura nga vërshimet janë angazhuar në Serbi mbi 750 pjesëtarë të njësive të zjarrëfikësit, qindra policë dhe ushtarë, rreth 190 automjete dhe shumë forca të tjera, vuri në dukje Ministria e Brendshme në Beograd. Ministria dekalron, se në Serbi janë angazhuar të gjitha kapacitetet e mundshme për të shpëtuar njerëzit dhe pasuritë nga këto vërshime të papara, jo vetëm në Serbi por edhe në Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci.
Gjendje e rëndë në shumë qytete
Në Ub të Serbisë janë evukuuar 1.500 banorë. Deri tani janë regjistruar 20 persona të lënduar që kanë kërkuar ndihmën e mjekut. Një person llogaritet si i zhdukur. Në këtë rajon janë vërshuar prej ujit mbi 2.500 shtëpi, qindra objekte biznesi dhe publike, mbi 10.000 hektarë tokë bujqësore dhe 500 hektarë male. Në Beograd deri tani janë evakuuar rreth 150 familje, sipas Ministrisë së Brendshme.
Gjendja është shumë e rëndë edhe në rajonin e Valevës, ku qindra qytetarë janë larguar nga shtëpitë dhe janë vendosur në kazerma të ushtrisë. E ngjashme është situta edhe në: Oseçinë, Lajkovc, Lig, Mionicë, Shabac, Topollë, Kragujevc, Arangjellovc etj. Shumë qytete kanë vështirësi të mëdha furnizimi me ushqime, ujë të pijshëm dhe energji elektrike. Nga shumë rajone njoftohet edhe për të zhdukur, por aktualisht është e pamundur të bëhet evidenca e saktë, thonë autoritetet. Ka pasur edhe viktima.
Reshje të mëdha dhe vërshime ka edhe në Bosnje- Hercegovinë dhe në Kroaci. Edhe nga këto vende njoftohet për gjendje të rëndë, evuakuime të shumta dhe pasoja në njerëz. Por deri tani askush nuk ka dhënë shifra të sakta.