1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Njeriu i fortë i Rusisë në Ukrainë

12 Tetor 2022

Kremlini ka ndryshuar drejtuesin e luftës në Ukrainë: gjenerali Sergej Surovikin është komandanti i ri i përgjithshëm i "operacionit special ushtarak". Ai duhet t'i sjellë Rusisë suksese ushtarake - me dorë të hekurt.

https://p.dw.com/p/4I4tk
Sergej Surovikin
Sergej Surovikin Fotografi: Sergei Bobylev/Tass/dpa/picture alliance

Sergei Surovikinit i paraprin një reputacion. Në rrjetet sociale, gjenerali 56-vjeçar shpesh përmendet si "kasapi i Sirisë", "kanibali" ose "Gjenerali i Harmagedonit". Gjatë luftës në Siri në 2017 dhe përsëri në 2019, ai udhëhoqi forcat e armatosura ruse.

Që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt, Surovikini ka komanduar grupin jugor të trupave. Emërimi i tij për të udhëhequr të gjithë ushtrinë pushtuese është pjesë e strategjisë së përshkallëzimit të presidentit rus Vladimir Putin, tha për Deutsche Welle Margarete Klein, eksperte e politikës ushtarake dhe të sigurisë ruse në Fondacionin Shkenca dhe Politika. Qëllimi është një efekt psikologjik në Ukrainë, për ta demoralizuar dhe penguar atë. Klein gjithashtu pret që ushtria ruse nën Surovikinin të sulmojë dukshëm më shumë objektiva civile se deri tani.

Angazhim i paskrupullt në Siri

Organizatat e të drejtave të njeriut e akuzojnë Surovikinin se është përgjegjës për krime lufte në Siri dhe se ka terrorizuar popullatën civile. Sipas Human Rights Watch-it, ai bombardoi spitalet në provincën Idlib kur dihej se atje kishte shumë fëmijë. Ai gjithashtu thuhet se të paktën miratoi, nëse nuk urdhëroi, sulmet me gaz kimik kundër civilëve në Siri. Ai gjithashtu besohet se është përgjegjës për bombardimin e qytetit të Aleppos, të cilin Forcat Ajrore Ruse e bënë shkrumb e hi në vitin 2016. Në vitin 2017, Putini i dha medaljen "Hero i Rusisë" për ndërhyrjen e tij ushtarake në Siri.

Vdekja dhe shkatërrimi: banorët e Aleppos pas një sulmi ajror në shtator 2016.
Vdekja dhe shkatërrimi: banorët e Aleppos pas një sulmi ajror në shtator 2016Fotografi: Ameer Alhalbi/Getty Images/AFP

Me origjinë nga Novosibirsku, Sergej Surovikini me sjellje buldozeri, ndoqi shkollën e lartë ushtarake në Omsk në 1987 dhe luftoi në luftën në Afganistan.

Në vitin 1991, ai mori pjesë në puçin e dështuar të gushtit kundër presidentit Mikhail Gorbaçov. Si komandant zjarri, ai urdhëroi ushtarët e tij të shtypnin me tanke tre demonstrues që kishin ngritur barrikada në rrugë. Kjo bëri që ai të kalonte gjashtë muaj pas hekurave. Ai nuk pranoi të mbante përgjegjësi për këtë akt: ai po zbatonte vetëm urdhrat, deklaroi ai në prokurori.

Karrierë e qetë

Ai e vazhdoi me sukses karrierën e tij në ushtrinë ruse. Surovikini ishte veçanërisht i angazhuar në 2004 dhe 2005 në Luftën e Dytë çeçene, dhe në tetor 2017 ai u bë Komandant i Përgjithshëm i Forcave Ajrore Ruse.

Sjevjerodonezk nën goditjen ruse, 17.06.2022
Sjevjerodonezk nën goditjen ruse, 17.06.2022Fotografi: Aris Messinis/AFP

A u pasurua ai edhe personalisht me këtë rast? "Ne nuk kemi prova," thotë shkencëtarja Margarete Klein. Por e dimë se korrupsioni është shumë i përhapur në ushtrinë ruse.

Emërimi i Surovikinit si Komandant i Përgjithshëm i ushtrisë pushtuese ruse në Ukrainë u prit ngrohtësisht në Rusi nga të gjithë ata që, pas pengesave të fundit të ushtrisë ruse në lindje të vendit, donin veprime më të fuqishme, duke filluar me lideri çeçen Ramzan Kadirov.

Në fund të qershorit, Sergei Surovikin arriti të pushtojë qytetin e Sjewjerodonezk-ut në Donbass pas betejave të gjata dhe mijëra vdekjeve. Sipas Margarete Klein, suksesi i tij si komandant i përgjithshëm do të varet mbi të gjitha nga aftësia e tij për të përmirësuar koordinimin brenda ushtrisë ruse.