1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Kontrolle masive të punësimit ilegal në ndërtim

26 Prill 2023

Në një aksion të gjerë në të gjithë Gjermaninë, autoritetet gjermane doganore zbuluan shumë punëtore pa leje qëndrimi apo pune. Po ashtu u gjetën shkelje të punëdhënësve në lidhje me pagën minimale.

https://p.dw.com/p/4QYp1
Kontrolle nga autoritetet gjermane
Kontrolle nga autoritetet gjermane Fotografi: imago images

Aksioni i doganës gjermane të martën ishte pjesë e një kontrolli të përgjithshëm kundër punës në të zezë në Gjermani. Qëllimi ishte të kontrollohej respektimi i detyrimit të sigurimeve sociale dhe pagës minimale, si edhe zbulimi i punës ilegale. Në të gjithë Gjermaninë u angazhuan për kontrolle 3400 punonjës të doganës gjermane, sipas të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganës. Në fokus ishin sidomos kantieret e mëdha të ndërtimit, ku shpesh gjenden raste të punësimit ilegal. Prej vitesh në Gjermani gjenden mijëra vetë nga Ballkani, që punojnë sidomos në kantieret e ndërtimit në të zezë dhe në kushte të këqija pune. Sipas një zëdhënësi të Doganës Qendrore të Shvainfurtit "sektori i ndërtimit është shumë i prekur nga puna në të zezë dhe punësimi ilegal".

Kontrolle nga autoritetet gjermane sidomos në sektorin e ndërtimit
Kontrolle nga autoritetet gjermane sidomos në sektorin e ndërtimitFotografi: Tino Plunert/dpa/picture alliance

Vetëm në landin e Meklenburg-Pomeranisë u kontrolluan 610 vetë dhe në 48 raste u gjetën persona pa dokumente të rregullta që duhen verifikuar më tej. Në Hannover në një kantier ndërtimi nga 69 të punësuar, u gjetën 47 persona me dokumente të pasakta, që po ashtu do të kontrollohen më tej. Edhe në landin Renani Veriore-Vestfali u bënë kontrolle nga qindra punonjës të doganës. Në Köln nga 350 persona të kontrolluar në ndërtim u gjetën 30 vetë që punonin në të zezë. Pra gati çdo i dhjeti person. Shumica u gjetën në një kantier ndërtimi në Këln-Dojtc. Jens Ahland, zëdhënës i Doganës Qendrore të Kölnit tha se "bëhet fjalë të kontrollohet nëse punëtorët kanë lejen e punës, apo nëse marrin asistencë sociale dhe natyrisht nëse punëdhënësit e respektojnë dhënien e pagës minimale".

Përmes punës ilegale shtetit gjerman i shkaktohet një dëm i madh financiar. - Vetëm vitin e kaluar u kontrolluan në 15.000 raste punëdhënësit e sektorit të ndërtimit. Në më shumë se 21.000 raste pati procedime hetimore vitin e kaluar. Dëmi i shkaktuar sipas doganës kapi shifrën e 375 milionë eurove. Të dhënat e mbledhura nga autoritetet doganore pas kontrollit të djeshëm (25.04.) do të verifikohen dhe një pjesë bëhen të ditura të mërkurën.

la/ag