1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Mijëra vetë në marshimet tradicionale të Pashkës

31 Mars 2024

Marshimet tradicionale të Pashkëve në Gjermani këtë vit zhvillohen nën hijen e luftës në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Politikanë gjermanë vlerësojnë dëshirën për paqe, por paralajmërojnë nga naiviteti para Putinit.

https://p.dw.com/p/4eGcH
Marshimi në Kemnitc
Marshimi në KemnitcFotografi: HaertelPRESS/IMAGO

Në të gjithë Gjermaninë pjesëmarrësit në marshimet tradicionale të Pashkëve edhe këtë vit duan të dërgojnë një sinjal për paqen dhe kundër luftës. Dita kryesore e marshimeve tradicionale është e shtuna e pashkëve, ku janë paralajmëruar rreth 70 marshime për paqen në Gjermani.

Temë qendrore e marshimeve të Pashkëve të lëvizjes së paqes të shtunën është kërkesa për negociata për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe luftës mes Izraelit dhe organizatës terroriste të Hamasit. Krahas kësaj pjesëmarrësit në marshimin e paqes kritikojnë rritjen e shpenzimeve të armatimit.

Olaf Scholz para mikrofonit
Fotografi: Metodi Popow/IMAGO

Kancelari gjerman, Olaf Scholz (SPD) me rastin e ditëve të Pashkëve e rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen gjermane për Ukrainën dhe e argumentoi atë me interesat gjermane të sigurisë. Edhe zëvendëskancelari, Robert Habeck (Të Gjelbrit), ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock (Të Gjelbrit), dhe kreu i partisë në opozitë, CDU,  Friedrich Merz kanë publikuar mesazhe për Pashkët.

Marsh tradicional i Pashkëve në Kemnitc, 29 mars 2024, njerëz në marshim, flamur me pëllumb të bardhë
Marsh tradicional i Pashkëve në Kemnitc, 29 mars 2024Fotografi: haertelpress/Imago

Scholz: Paqe pa liri do të thotë shtypje

Në një mesazh me video, kancelari, Olaf Scholz tha se "ne të gjithë e dëshirojmë një botë më paqësore". Por paqja pa liri do të thotë shtypje. Paqe pa drejtësi nuk ka. "Prandaj ne e mbështesim Ukrainën në luftën e saj për një paqe të drejtë, për sa kohë që kjo do të jetë e nevojshme. Ne e bëjmë këtë edhe për ne, për sigurinë tonë." Scholz akuzoi Rusinë nën presidentin Putin, se ka shkelur një parim të vlefshëm prej dekadash: që kufijtë nuk ndryshohen me dhunë. "Por ne e kemi në dorë, ta ribëjmë të vlefshëm këtë parim. Duke e mbështetur Ukrainën edhe më tej, të vendosur e me maturi."

Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck veshur me kostum para mikrofonit, sfond blu
Ministri i Ekonomisë, Robert HabeckFotografi: Hannes P Albert/dpa/picture alliance

Habeck: Gjermania duhet të mbrohet nga sulme ushtarake

Ndërsa zëvendëskancelari gjerman dhe ministri i Ekonomisë, Robert Habeck në një video të publikuar të enjten në mbrëmje në platformën X, tha se "ne e dëshirojmë paqen. Po. Por përgjigjja e hidhur dhe e vërtetë është: me gjasë nuk do të ketë fund të shpejtë e të mirë, edhe pse ne e dëshirojmë ndryshe." Në lidhje me agresionin rus, Habekc theksoi, se "duhet të përgatitemi për gjendjen e kërcënimit. Çdo gjë tjetër do të ishte naive." Prandaj Gjermania do të bënte mirë të investonte më shumë në sigurinë e saj. "Ne, Gjermania, BE, ne duhet të mbrohemi tërësisht, edhe nga sulmet ushtarake."

Marshim i Pashkëve, Kemnitc, 29 mars 2024, njerëz me banderolë të kuqe ku shkruhet "ato vrasin njerëz, klimën e mjedisin" - Çarmatim tani
Marshim i Pashkëve, Kemnitc, 29 mars 2024Fotografi: haertelpress/Imago

Habeck theksoi, se ka respekt për pozicionet që për arsye morale apo bindje fetare në lidhje me dërgimin e armëve ne Ukrainë arrijnë në një konkluzion tjetër, ndryshe nga i tiji. "E kuptoj shumë mirë, që njerëzit kanë frikë nga një shkallëzim i luftës. Edhe unë jam i shqetësuar." Habeck u shpreh kundër një "ngrirjeje të luftës". "Edhe pse e kuptoj shumë mirë, se për shkak të numrit të lartë të viktimave flitet për ngrirje të luftës, aq shumë e harron ky pozicion atë, që vetëm ukrainaset dhe ukrainasit mund të vendosin, se cilin çmim do të ishin të gatshëm të paguanin, dhe me cilat kushte do donin të arrinin një armëpushim apo të merrte fund lufta."

 

 

la/tgsch